Fakti që nuk po mundet, nuk arrin më t’i mbulojë problemet e Partizanit, veçanërisht pas kësaj merkatos së janarit.

Largimet në mesfushë dhe sulm e kanë kapur skuadrën “gafil” dhe trajneri Veselinoviç duket se ka mbetur edhe vetë në ngërçin e krijuar. Largimi i Rrapajt, Carës dhe Mba kanë lënë pas një Partizan, që nuk ka fantazi, shpejtësi, driblim dhe befasi.

LOJA – Partizani kundër Dinamos, por edhe në dy ndeshjet me Laçin është shfaqur shumë i çorganizuar. Të kuqtë nuk kanë aftësinë për ta përpunuar një top që e marrin dhe për të zbritur në mënyrë të befasishme dhe të organizuar drejt portës kundërshtare. Zgjidhjen më të shpejtë kemi parë topin e gjatë drejt Bintsukës, i cili në fakt është gjithnjë i markuar. Lojtarët e mesfushës kanë treguar se nuk e kanë aftësinë për të mbledhur kundërshtarë rreth vetes dhe për të liruar pika pasimi. Atë që e bënin më parë Maget dhe Rrapaj, tani nuk e bën dot askush. Në sulm krahët duken të pafuqishëm, ndoshta ndikuar edhe nga fakti se në anët e mbrojtjes luajnë qendërmbrojtës dhe nuk shtyjnë shumë përpara.

AFRIMET – Nga afrimet e janarit, deri më tani në fushë nuk kemi parë Eleke dhe Çipin. Të tjerët si Podstrelov, Vujnoviç apo Guxhufi nuk kanë dhënë sinjale se janë në gjendje të bëhen menjëherë protagonistë dhe ta ringjisin Partizanin në nivelin që ka qenë në këto katër vitet e fundit. Gjithashtu, mungesa e afrimeve në mesfushë ka krijuar një handikap të madh, që vështirë se plotësohet.

TRAJNERI – Trajneri Veselinoviç, nisur edhe nga deklaratat e tij konfuze dhe pa përmbajtje në to, duket se është edhe vetë në një ngërç. Cilësia në skuadër i ka rënë dhe trajneri nuk po di t’i japë një zgjidhje. Kur një skuadër nuk ka elemente që spikasin, mbështetet te një filozofi e caktuar. Partizani nuk po e bën dot dhe po shfaqet i çorganizuar në lojë, me raste që krijohen nga gabimet e rivalëve më shumë se aftësia e vet. Trajneri duhet me patjetër të gjejë zgjidhje.

MBROJTJA – Kjo duket të jetë pika e vetme e fortë e Partizanit. Mbrapa të kuqtë janë shndërruar në një skuadër që gabon shumë rrallë dhe arrin të neutralizojë çdo kundërshtar. Të kuqtë kanë pësuar vetëm 17 gola në kampionat dhe janë mbrojtja më e fortë. Ky repart është një garanci për Partizanin, por duket se nuk po mjafton, sepse që të fitosh, duhet edhe të shënosh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb