I dashur Ditmir,
E di që po të bren malli për shokët e Partisë e mbi të gjitha për betejat e mëdha që ata po bëjnë. Ti doje të ishe aty në front ku lufta ndizet zhari. Kjo ndodh se je shpirtdhembshur e aspak cinik.

E patëm lënë të piqeshim e të llafoseshim, por pasi lideri të dha dorën e të rifuti në kryesinë e partisë, duke ta krypur shpresën për një tjetër avenir, si xhingel-mingel, në dekorin e tij s’u bërë më i gjallë. Gjithmonë Bushatlinjve u ka ecur me malësorët, se baruti i tyre i mbronte, e tha edhe Doktori “ndihma e Zotit pushka e Hotit” derisa gjaku i ndonjërit u bë hirrë dhe Edi Rama i dukej si Sulltan Sulejmani.

Ti e di që prifterinjtë u bënin politiken e jashtme një nga të mitë jua la edhe të shkruar Erazmo Balneun. Nejse ka shumë për të rrëfyer e kohë përpara do kemi. Po e filloj nga fundi! Dje u mblodh Këshilli Kombëtar i Integrimit ! Kryetarja Joridë dhe nënkryetarja Etildë kolliteshin sa me të këputë shpirtin, xhani po ju dilte nga krahërori, raporti u kishte shkaktuar alergji. Por le të kthehemi tek ajo që ndodh në sallë. Partinë e ke të fortë dhe të bashkuar rreth Liderit.

Askush nuk e vë ne diskutim shenjtërinë dhe pagabueshmërinë e tij. Tani kjo është dogme teologjike ndërtuar nga misteri i besimit. Kryetarja e dashur e Parlamentit Zonja Lindite edhe pse është më lart nga të gjithë shfaqet e përunjur se ajo e di që lartësia është vetëm e atij. Kjo vetëdije është shenje virtyti. Ai vete vjen here pas here e na kqyr, sidomos ne të opozitës me dashuri e dlirje , pastaj na këshillon atërisht , pastaj ngre preshin si satelit ne hapësire dhe ikën i vuajtur nga moskuptimet tragjike fat i njerëzve të mëdhenj.

Qeveria duket si koshere bletësh punëtore. Madje si bletë ngjajnë edhe Ahmetaj, Nikua yt, Ulsiu dhe Bledi për nga entuziazmi. Elisa vishet me bukur nga të gjithë krejt si Ashraf Gani me ngjyra të forta. Teze Mirela na sheh me sytë e Liderit dhe psherëtin fali Zot se nuk dinë çbejnë. Taulanti edhe pse nuk u bë Kryetar Parlamenti siç i takonte e mideja ja lypte dhe u shkarkua si Sekretar i Përgjithshëm shfaqet më i gëzuari sepse ai ashtu si ti e di që Lideri ju do të mirën dhe gjykimi i tij është i drejtë. Ju ka si evlatër po ju here pas here e lodhni e plakni more qafira! E kam në krah qerratain Taon e shkëmbejmë edhe ndonjë romuz se unë i përshëndes socialistet njësoj si para edhe pas kamerave.

Damua edhe pse u promovua nuk shfaq gëzim, qesh ndonjëherë mbyturazi por me mase. Re të zeza me gjasë e turbullojnë. Klosi rri i heshtur plot babaxhanllëk. Në këtë kohë fjalët e tepërta janë fukarallëk. Ka raste që nga zemra e hapësirës dëgjohet ndonjë sokëllime, mos kij dert është zëri i popullit në gojën e Braçes që vikat kundër padrejtësive, në pamundësi që ta beje kundër Ramës që me një të fryrë bulçinjët e nxorri nga zyra. Me Mimin kemi lënë një kafe mbase me ndihmon të përmirësoj raportet me personazhet e mi të satirave që ti e di se ti e di që i kam lënduar nga pak por pa te keq, se me pëlqen të qesh pak sa me veten po aq me te tjerët. E mora seriozisht komplimentin që me bëre kur me pe si dekor i zonjës Gridë!

Një herë e hëngra nga njerzillëku e padija por në me pafsh më t’u qitë kokën pas të tjerave si kopuk , bjeri në pjate televizorit, thyeje se të blej tjetër, dhe hiç mos u mundo të kujtosh sa qindra herë je shfaqur vete. Këtej nga ne në PD ka rënë gjylja. Doktori ynë ka gjetur armiq të shumtë në gjirin e partisë dhe po i bën copash siç e ka zakon. Madje vete Kryetarin e shpalli poliagjent të Sorosit, të Ramës dhe të Cufe Danës. Nga foltorja në foltore po i shpie demokratet në fitore. Mua vete xhajë Ramazan Daci i dalë nga zyrat e Komitetit qendror jeh i bejtexhizmës popullore me ka kërkuar t’ju kthej borxhin demokrateve dhe t’ja lë mandatin një mbështetësi të Doktorit !

Eh more Ditmir eh,

Shpesh bie në mërzi e melankoli të thellë dhe nëse nuk do të lexoja veprat e Aldo Bumçit nuk e di se si do t’ja dilja ! Ai në momente te vështira për kombin ka udhëhequr drejtësinë, kulturën madje edhe diplomacinë. Në partinë tonë ka disa mendimtarë dhe ata janë për ne si Shën Agustini, Xhirolamo, Shën Toma e Xhovani Kristomo për Kishën Katolike.

Për sot po e lë me kaq. Po edhe ti shkruaj ndonjëherë se shokët i ke në merak ! Ata vërtete janë të zënë për ta bërë Shqipërinë zonjë, por të kujtojnë me mall e brenge teksa fshijnë djerset!/panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb