Nga Agron Gjekmarkaj

Babo preu malin e Skërficës  me shpatë !

Eh Babo, Babo ja mbërrite ditës së lezetit popullor. Si neper legjenda zbrite dhe malin e Skërficës godite! E përshkrove tunelin siç të ka hije me sqime e madhështi.

Dy ministrushet gojëarta e zëbilbil të rrëfenin Shqipërinë e së nesërmes që ti bërë hazer dhe atë të së djeshmes lëngatë e vaj.

Nga shpirti u dilte pasioni i rrëfimit Babo, dhe ti i zymtë  si xhind, dëgjoje. Ato nuk ndalonin llaf pas llafi pirg e bënin muhabenë.

Ecje ti ndanë udhës ku frynin shtrëngatat e ato në anë me kokën kthyer në këndin e drejtë dëshmonin faqe njerëzisë sa dritë bëjnë rrezet e tua.

Ti i lije të flisnin qerrateshat po ju thënë as mirë as keq, as ju lumtë e as ju marrtë, ato fol e ti ec si tufan Babo.

Veç kur tezja gjithnjë e më shumë e njehsuar me tabanin popullor nga magazja e saj kulturore nxori metaforën e artë ” shtëpitë e Tepelenës dhe Përmetit tani janë me pamje nga deti” ti Babo qeshe! Nuk e mbajt më.

The me vete ja që edhe budallallëku shijon se ai lind nga servilizmi i pafre që lëpin e fshin. I ke transformuar njerëzit Babo. I bën të recitojnë. I bën të këndojnë. I bën të qeshin e të qajnë. Askush si ti Babo s’ja ka dalë që të realizosh njeriun e ri në liri.

E mendoje nga Fushë Kruja e sipër le ta marrë Kosova e Mali i zi se unë atje as u jap përfaqësim e sikter i bëj në investime. As rrugë, as ura, as gjë prej gjëje.

Dhe mirë jua bën o Babo duan rrugë ata, duan ujë ata, duan dritë pale! Madje edhe në Milot atë trafikun 14 km si grykë shisheje ashtu lërjua se atë s’të këndojnë këngë, s’të hedhin valle , nuk ju mbushet dhe aq shpirti me llahtar kur të shohin , ndaj ti hakmerru punoju qindin !

Po le të kthehemi të udhëtimi historik brenda tunelit Babo. Aty ku Belinda rrëfente nurin tënd në investime, aty ku tezja bukurinë e mendimit tënd përkufizonte në ndërtime, aty ku Damo dhe Tërmeti dukeshin njësoj në pamje e të folur, aty ku historia përsëritej dhe udhëheqësi pritej në mes të vapës me dajre, saze, kënge e valle! I përçmoje ti Babo këto dikur, talleshe si mendimtar allafrënga që je, me këtë akraballëk e folklor politik! Përqeshje ti Babo atë qe e pranonte e qyqaret që e bënin të yshtur nga sejmenet lokal. Derdhje ti Babo fjalë të ndezura me shpoti për gjithë atë karikaturë të historisë që përsëritej. Tani Babo të mungonte vetëm Behar Zhudra në krah dhe ashtu siç ëndërron të jesh u shfaqe. “Dilni se erdhi Enveri” jehona nga tuneli vinte. Babo dhe ty s’të vjen fare keq kur me atë të krahasojnë! Njerëzit mendojnë se mërzitesh. Sa gabim e kanë. Pak më i ngrohtë Babo duhej të tregoheshe me valltaret e këngëtarët se ata e qëronin zënë për ty, se ato vërtiteshin për ty asaj gryke, për ty tundej shamia e vallja, zjarr merrte.

Një rrugë që nisi goxha para se ti të vije në pushtet Babo ti pas 9 vitesh ja preve shiritin, disafish ja rrite kostot, nga 57 milionë euro qe ishte parashikuar, 108 shkoi për 33 km, po ani në Shqipërinë tënde ato nuk përbëjnë më lajm.

Ajo që ra sot në sy Babo ishte palla jote me të cilën ndave historinë në dysh po aq sa Skërficën. Pret shpata jote Babo pret. Këngë të ngriti populli sot ” Babo Babo o Kapedan në Skërficë sot e le nam/ me pallë malin godite gjithë këtë popull në det e qite/ Rrofsh e qofsh Babo jarani se pa ty s’na gëzon xhani !

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb