Ku leh qen e ku del tym me zu kjo kohë. Punët rreth e qark ma kanë bërë të pamundur pjesëmarrjen në Kuvend këtij muaji.

Kushedi sa i ka marrë malli për mua shokët e idealit. Kosta i Gramozit dhe Linditës ndal karavanet dhe i pyet për mua? Në kufijtë veriore dhe jugore dërgon vëzhgues. Të gjithë pyesin qysh e ka hallin qyqari?

Zëvendës Lideri Muli është parë i pikëlluar duke lënë në të shkuarën peng babaxhanllëkun e tij. Dash Sula u shfaq me golf të zi në shenjë zymtësie. Thilet e shamizat me përbuzje kishte shkelur me këmbë.

Gaz Bardhi i vu gjoksin mikrofonit si Mic Sokoli topit, e desh e copëtoi hekurin duke dëftyer trimëri me dushman.

Eduart Shalësi kokën rrotullonte se mos ndonjë e qeshur e zgjonte nga gjumi i kotësisë. Por shpresa nuk i përthyhej në realitet. Tao i mbështetur mbi gushen e vet si bilbilenjët e plagosur mbi dyfek mendonte shyqyr një me pak që çoç i duket vetja dhe me autoritetin tim sublim bën shakara.

Salianji ky xhind i pandreqshëm si Dhaskal Todri me Abetare në dorë u ngjit në foltore dhe më pas ja la në pëqi Çuçit me këshillën: po lexoni more se nuk vdisni, duke zgjuar zili tek gjysma e qeverisë dhe parlamentit ku secili për vete ja ndiente nevojën atij libri të bekuar. E shikonin librin e dashur dhe mërmërima aaaaa, bbbbbb, cccccc dëgjoheshin. Braçja si vox popoli vox dei recitonte: Abetare sa te dua me ato shkronjat e tua.

Si çdo gjë edhe mërzia e ka një fillim. Iku Grida! Që atë dekik nuk vura këmbë më në sallë. Në djall buxheti e porti i Durrësit.
Na këputi mërzia e ngashërimi. Gjëmat e opozitës na vunë përfund dhe këmbët na u lagen nga vaji. Sajme Korresh trimoshi qesh.
Jozit i ikin vitet si verës në qilar e ndjekur nga Albana dhe Ina pa konkurrencë meqënëse Grida s’jua begenisi organizatën.
Me Fluturën bëmë xhiron e botës portal me portal! Me kokën poshtë njëri, lart tjetra, habitëm dynjanë.

Ministrushet lozonjare e shpërndanin në grupe WhatsApp-i këtë mynxyrë si gra të forta që e bëjnë zap sentimentalizmin e qaramanllëkun. Pamje të tilla veç gaz u japin qerrateshave. Veç mërzi e Babos u shtjen të dridhurat.

Shumë jam mejtuar këtyre javëve qysh mund të ofroja konsulencë e ndihmë për qarje e ngashërime publike, për vikama e dihatje për ngjarjet të cilat ngado po i ofrohen horizontit

Javët e mungesës nostalgjinë për Joridën e bankës së cilës gjithashtu e qara i vërtitet si kurorë me ferra mbi krye ma shtuan.

Fillova të mendoj nëse Jorida trishtohet nga romuzet e “foltores” nga shkurtimi i emrit në Jori dhe iken , çdo të bëja? Do qaja mbyturazi apo me denesje, rreket e lumit të Lanes ç’do të ishin para furise që nga xhani do me dilte?

Po mos e dhëntë zoti Tezja vendos të na lërë shëndenë vuajtjet e djaloshit Verter pesë me hiç do të qenë dhe lotët si shi do përmbysnin bulevardin. E sikur një ditë të bukur shikimi të na errësohet dhe në vesh na vjen kumbimi, iku Etilda na la, a mos do ndukja mjekrrën dhe çirrja faqet si Lek Dukagjini kur Skënderbeu i la dhe mjegulla u dend në shpirtin e arbërit?

Po nëse Mimi di Puccini me sheh vëngër me ngjyra kripe dhe ftohtësi akulli mos do të mbështetem në gjoksin e Babos derisa llaftari e lëngata të kalojnë?

Mos e yshtë Perëndia dhe Ulsiu rruan mjekrrën e ne të mësuar me atë fisnikëri të thinjur qysh do t’ja bëja si lotmadh që jam? Po sikur ajo që duket e largët befas e afërt të bëhej për refuzim intelektual Niko të japë dorëheqjen sa shami do duheshin me tha sytë e mi??

Mes kësaj lagështire shpirtërore po ikin ditët dhe si kam shijuar si duhet nga Tv sharjet e Babos, fjalimet e Elisës me recitime noliane, ato të teta Gertës mbi shëndetin publik, suksesin ndërkombëtar të Krifcës e zgjedhur në krye të një organizate ndërkombëtare për librat që duhet të lexojnë barinjtë dhe fyejt që fryjnë nder male! Edhe për Boren ndiej mall se s’kam kush ma ndan në nata behet dite, apo dita nate. Ah aq xhahil nuk mund te isha sa të mos kujtoja Margeritnë në qetësinë e saj vetmitare kur buxheti bluhet si në mulli.

Shpirti me këputet për Belën që me mushama mes shiut dhe suferinës inspekton kaskadat dhe shiu i jep melankoli njerëzore. Në panair të librit u shfaqen politikanë që blejnë libra me metër dhe figura!

Njëri bleu 1,5 metra libra, tjetri i donte ngjyrë kafe se i shkonin me mobiljen. Nuk e kam fjalën për Doktorin se ai për të lexuar s’ka të ndalur.

Me zor e duruan tështimën e alergjisë që ju shkakton letra, sidomos dikujt që kishte muaj i fshehur i uruari. Po dritë e diturisë e nxorri nga strofulla. Aldushi si korife i së mirës ka patur një kushëri të largët prift që në 1919 mundohej të sillte Europën në Shqipëri ndërsa mbrëmë Aldushi këndonte thoshte “thuaj sikter Europës si den baba den” si hyzmeqar lepe peqe i neotomanizmit.

Nga ekrani tigrushi duket më i humanizuar dhe ka filluar të lyejë flokët me bojën e preferuar. Damua vesh bluza të ngushta që të ekspozojë muskujt e bërë nga ndeshjet me Taon.

Ja kështu kalojnë ditët nën mejtime dhe të qara qe me kujtuan zulmen popullore

“oj oj oj lale
oj oj oj lale kujtova se binte shi
ato ishin lotet e mi”
Selam o shokë të betejave se dhe nesër nuk do jem ! Mbeçë more shokë mbeçë!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: