Agron Gjekmarkaj, ka përshkruar përmes satirës seancën e fundit të Parlamentit ku u votuan ndryshimet në qeveri.

Analiza satirike e Gjekmarkajt:

Babo nuk doja, kurrsesi nuk doja po rixhatë e shumta të kolegëve andej e këtej ma thyen zemren dhe betimin.

Majko me shënja, “jepi ç’pret”, Damo me sy,” nxito, hë te keqen “, Tao me zë, “nuk mund të heshtësh”, Shalsi “si do e lësh Babon pa bukën e përditshme?”, Etilda me pikellim muzgu, “mos na e bëj këtë, jemi sjellë mirë me ty, të kemi duruar si zhegun ndaj mos na prit në besë siç ju ka dalë nami në parti”!

Andej nga banka ku rri ti me vezireshat e vezirushet e paket ngjante si natë vaji “moj e bukura Kronikë si të pashë e më s’të lashë, si të lashë e me s’të pashë”! Mu t’hollua shpirti. U preka. Nuk mbajta më. A durohej përhumbja e pashpresë e Nikos? Po vuajtja pa horizont shelbimi e Çuçit? Po Bores kush ja zëvendeson atë gëzim nëse aty nuk gjindet ku tjetër? Po përtesën e Margaritit për të folur për Butrintin me kokën mbi re kush e shquan? Po trenin dhe lodrat e Gent Cakës kush i’a shtie në mend Oltës që na bashkoi partinë si tabele qitjeje?

Po marazi i Krifcës? Ah mor Babo ç’të shihja sot në korridor, Greta Bardeli Gjoni dhe Zef Hila si Bac Pencer sa një bina i kishin zënë rrugën Fridës dhe hesap i lypnin për fushat e Shkodrës djerr, për lopët që kishin humbur burrat nga mbarështimi online, për naftën e plotë të tjera. Në kini zot ndaluni u thashë, ku veni? Boll e ka gërvishtur Braçja me çaponj!! Se di sa me dëgjuan! Timen e bëra.

Vetem Vllai, Mimi di Puccini nuk jepte shenja jete, më sheh si hasëm, me pikon xhani gjak, edhe pse nga një trung kulturor.

Të gjithë duan kronikën lum Baboja. Të mitë po kaq se shumëkujt po i harrohet emri në rropamat e përçarjes. Saimir Korreshi tha kam blerë një kuintal shalqi Lushnje eja e freskohu. Eralda Taso Bane qeshi me fuqinë e shakasë si kontribut në dhimbjet tona. Dash Sula mungonte e bashkë me të eleganca.

Përballë dilemave të tilla falet gjaku jo më një shkrim me romuze.

Dita sot filloi me ngjarje. Festuam 100 vjetorin e mardhënieve me SHBA-të. Qeshë edhe unë në rresht të parë si Pasha kur ja behe ti me një dolloma të gjatë rozë, sytë çakërr miletit.

Luli të pa me indiferencë të përmbajtur e mall të shtuar. Kohët e zamanit i kalonin nëper fiqir.

Meta vëngër e nuk nginjej po të shihte të pjekur në hell si shën Andrean. Paska lëshuar pëllumbat Babo, mërmëritën ca aty po Elisa i pa vengër. Nuk qe shikim por flakë.

Ndërsa u ndriu nuri të gjithave shoqëni e motrani të pranishme aty që tek xhaketa jote zylmen e partisë gjetën.

Në lajme e resme ata të nahisë sime më kishin bërë hasha, askund unë. I turpëroj dreqërit se helbete, i konsumuar në politikë e pushtet, i panjohur për miletin nga mediat.

Se kisha vënë re po ai qerrata Salian me naivitetin që e karakterizon që pranë çdo zjarri ujë hedh e jo fuçi benzinë  me tha, ashtu e kështu. Yt i paudhë i thashë. Me jep të shtyrën me honet e ngasjes kur ata janë të gjithë shpirt dlirë.

Ti Babo festën e Amerikës e ktheve në demaskim të armiqve të brendshëm. Ta dinë këta amerikanët sa hileqarë jemi ne ketej që një dy themi “hallall me rrejtë kaurin”! Po e zënë lepurin me qerre ata edhe kur palë palë rendin për ti gënjyer gjasme në garën kush është më pro, kush info më qelibar çon, kush tradhtar të kauzës tjetrin shpall!

 

Qeshin me politikën tonë të madhe kabà e me përbetimet tona edhe më. E madhe ajo e uruar Amerikë po t’ja hidhnin çamarroket e vegjël do ishte shuar nga mot.

Sot i bëre të gjithë kureshtarë hyre në kafe dy herë Babo. Ngjarje e madhe. Babo gju me gju.

Nuk pipëtiu as miza. Të tutë sakën se guxonin të afroheshon edhe se shpirti jua lypte më shumë se frymëmarrjen. Kur Manastirliut i dhe ymër e gëzim duke e thirrur u iku boja të tjerëve. Xhelozia si topat e nemçes ra mbi ato fytyra ëngjullore deri atë çast.

Pamja në seance qe e trishtë. Ulsiu kafshonte buzën që mos të ngashërehej. Me ju dhimbtë gurit e drunit ishte bë. Ikja e Belës për në qiellin e shtatë të Qeverisë, e kishte lënë atë kuk mes Delinës që qesh kot dhe Evisit që hesht plot. Gjithkush qan hallin e vet. Ti hoqe Tigrushin për arsyet e tua. Disa thonë se çoi dosjen e inceneratorëve tek LSI ca se Spaku pas dere, nejse e di vetë ti punën tënde po mua me fike. Kronikat e mia pa Tigrushin janë si malet pa kurore, si fushat djerr, si ora pa zemrek, si tava pa levrek! Tani vetëm Tezja me frazat si karritë më ka mbetur ashtu e vrerosur, me shikimin rrepirë dhe plot munxë! Se mos ma heq dhe atë e pastaj mbeta si kukudh me laps në dorë. Ti bëj sh…. kronikës.

Lamtumirë Tigrush. E lehtë të qoftë lendina pas daljes nga kronika. Nga sot je vetëm lexues i saj! Po me Zef Mazin ç’pate!? Allah allah e zëvendësove me Ciun. Po kjo nga u gjet o Babo dermani?

Pas votimit u kthyem prapë në kafe kur hop ti prapë aty njerëzor deri në dhimbje. Ç’të shihnim Ulsiun që qante në krahët e tu dhe ti që i gugasje ëmbël tek veshi, mos qaj xhan mos qaj, me Belën do takohesh përsëri po ai s’donte t’ja dinte! Shyqyr që erdhi Paulini dhe i vikati nuk qajnë burrat more haram dhe pushoi.

Thashë se plasi, gjithë ajo vapë e kaq lot. Por edhe dashuria e fjala jote i ra si balsam pas asaj pamje shafran.

Nën ketë shembull u pajtuam edhe unë me Fatmirin, nuk e mbajti zemra ndarjen. Doktori erdhi të bëri rezil e iku tek Mirdita e Linditës e cila trazohet nga paudhësitë. Kosta i Gramozit dhe i saj sot ishte i zymtë katran.

Gaz Bardhi mungoi. Grida rroku me sy mungesën pa guxuar ta shprehë mallin. Xhindja molepset në nostalgjira.

Luan Baçi e Luçiano Boçi që mos bëfshin hajër mor Babo kur unë të përshendeta, ata seç bënin, mendova se kruheshin, por jo preknin ca vende kundër tersit. Lëshuan një ah lehtësuese se po të uleshe aty çfarë do i thonin Doktorit! E madhe do qe belaja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: