TIRANË- “Viti që lamë pas, ka qënë viti i sigurimeve shoqërore”. Kështu ka deklaruar Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho gjatë analizës vjetore të punës së këtij institucioni. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, i cili tha se viti 2014, ishte një vit i suksesshëm për pensionet. Ndërsa përsa i përket të ardhurave që janë mbledhur nga kontributet, Veliaj tha se shkojnë në 100 mln dollarë më shumë.

“Viti 2014, ishte një vit i suksesshëm për pensionet. Këtë vit kemi rritur pensionet deri me 40%, ndërsa kemi arkëtuar rreth 100 mln dollarë më shumë”, u shpreh Veliaj.

Të njëjtën gjë e konfirmoi edhe drejtoresha e ISSH-së, Vjollca Braho, e cila tha se me rritjen e numrit të të siguruarve janë rritur edhe të ardhurat.

“Viti që lamë pas, me plot gojën mund të them që ka qënë viti i sigurimeve shoqërore. Kemi shumë arsye për këtë konstatim, por arsyeja kryesorë është se në këtë vit u diskutua, u hartua, u miratua reforma e pensioneve, një nga reformat më të qënësishme dhe e suksesshme në vitet e fundit. Me këtë reformë është bërë e mundur ulja e deficitit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë dhe për rrjedhojë rritja e qëndrueshmërisë financiare të skemës; lidhja e masës së pensionit me kontributet e paguara gjatë gjithë jetës; eliminimin e tavaneve për masën e pensionit; eliminimin e privilegjeve për kategori të ndryshme; uniformizimin e trajtimit të të gjitha kategorive me të njëjtin standard ligjor; bërjen e skemës më të drejtë dhe transparente; eliminimin e dy skemave fshat dhe qytet në një skemë të vetme të pensioneve; përfshirjen e të gjitha kompensimeve të ndryshme në masën e pensionit, mbrojtja e të moshuarve pa të drejtë pensioni nëpërmjet pensionit social etj”, tha Braho.

Ajo shtoi se gjatë vitit 2014 u hartua edhe Ligji për sigurimin suplementar shtetëror dhe sigurimin suplementar për personat me tituj akademikë ose profesorëve. Të dy këto ligje janë miratuar në Qeveri dhe së shpejti pritet të miratohen edhe nga Kuvendi i Shqipërisë.

“Gjithashtu, u hartua dhe u miratua Ligji për punonjësit e nëntokës, duke zgjidhur një ngërç disavjeçar me këtë kategori, si dhe u hartuan të gjitha aktet nënligjore në zbatim të tij, duke garantuar suksesin në implementimin në praktikë të tij”, tha Braho.

Ajo vuri në dukje realizimin e të ardhurave nga rritja e kontributeve shoqërore.

“Tejkalimi historik i realizimit të të ardhurave nga kontributet e sigurimeve shoqërore është gjithashtu një arsye e fortë. Si rezultat i miratimit të Ligjit për faljen e kamatëvonesave dhe gjobave për kontributet e papaguara për të vetëpunësuarit në bujqësi dhe punës së madhe të bërë nga të gjithë punonjësit e sigurimeve u arrit të mblidheshin 5,917.9 milion lekë më shumë se planifikimi ose 318.7 për qind. Kjo arritje nuk vlen vetëm për sasinë e parave të futura në fondin e sigurimeve shoqërore, por edhe për rritjen e numrit të qytetarëve me mbrojtje shoqërore dhe pension të garantuar në vitet e pleqërisë. Edhe nga organet tatimore plani i të ardhurave u realizua në masën 101.3 % me një tejkalim prej 673 milionë lekë”, tha Drejtoresha e ISSH-së.

Braho tha se ky realizim të ardhurash së bashku me efektet e reformës së re ul deficitin e skemës dhe rrit qëndrueshmërinë e saj që në këtë vit. Ajo vlerësoi punën e drejtorive në rrethe, për mbledhjen e kontributeve.

“Një punë shumë të mirë kanë bërë të gjithë DRSSH-të, duke tejkaluar planin por mund të veçoj për një punë të shkëlqyer në realizimin e të ardhurave nga fermerët DRSSH Fier me realizim 480.7% ose 1,181,235 mijë lekë më shumë; DRSSH Tiranë 439.8% ose 637,825 mijë lekë më shumë; DRSSH Berat me 424.3% ose 393,674 mijë lekë më shumë. Për realizimin e të ardhurave nga vullnetari Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Lezhë me 151.5% ose 5,145 mijë lekë më shumë; Dibër me 132% ose 384 mijë lekë më shumë; Shkodër me 129.1% ose 3,176 mijë lekë më shumë. Ky realizim të ardhurash është rrjedhojë veç të tjerave edhe i rritjes së numrit të personave të siguruar në skemë, duke e rritur këtë numër krahasuar me vitin paraardhës me 93,392 persona. Kjo rritje sinjifikative e të siguruarve përmirëson normën e varësisë së sistemit, garanton pension në të ardhmen për ta dhe ul subvencionin e buxhetit të shtetit për të mbuluar deficitin e skemës”, tha Braho.

Ajo shpjegoi se për vitin 2014 ishin planifikuar të siguroheshin si të vetëpunësuar në bujqësi 121,611 kontribuues dhe janë siguruar 127,728 kontribuues ose 105% me 6,117 kontribuues më shumë se planifikimi.

“Në krahasim me vitin 2013 janë siguruar 63,454 kontribuues më shumë dhe DRSSH-të më të mira përsa i përket numrit të kontribuuesve të të vetëpunësuarve në bujqësi duke e dyfishuar atë në raport me vitin 2013 janë Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Fier me 12,456 kontribuues më shumë; Korçë me 7,867 kontribuues më shumë; Elbasan me 6,826 kontribuues më shumë; Tiranë me 6,783 kontribuues më shumë.

Gjatë vitit 2014 u futën në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi 48,121 fermerë të rinj, ku të gjithë Drejtoritë Rajonale kanë bërë një punë të mirë dhe veçojmë këtu Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Fier, Tiranë, Korçë dhe Elbasan që kanë futur në skemë respektivisht 8,073; 6,764; 6,420 dhe 4,977 kontribuues të rinj”, tha Braho.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb