Kërcënimi bërthamor i nisur nga presidenti rus, Vladimir Putin, fyerjet ndaj liderëve ukrainas dhe paralajmërimet e rënda kundër Evropës sinjalizojnë një lider rus në vështirësi dhe të detyruar të përballet me një situatë që ai ndoshta nuk e kishte parashikuar dhe një evolucion të luftës në terren që po bëhet vështirësisht i menaxhueshëm nga ushtria ruse.

Kreu i Kremlinit ka vendosur të nisë një luftë tipike të shekullit XX në zemër të Evropës së vjetër, me tanke, trupa që përparojnë në baltë, qytete të bombarduara, gjak dhe vdekje, me një përfshirje në rritje të civilëve duke përfshirë fëmijët.

Nga këto pesë ditët e para të një lufte – e cila sipas disa analistëve mund të zgjasë – dalin dy elementë pjesërisht të papritur.

Nga njëra anë, disa gabime vlerësimi të bëra nga Moska, nga ana tjetër, një goditje në shpinë të Bashkimit Evropian, i cili, brenda frontit perëndimor, ka treguar unitet, solidaritet dhe një guxim që ka pak precedentë në historinë e Kontinentit të Vjetër.

Në thelb, gabimet e bëra nga Rusia, nga pikëpamja strategjike, janë tre, përtej ”nënës së të gjitha gabimeve” që është padyshim ajo e vendosjes për të shpallur një luftë të tmerrshme duke vendosur të zgjidhë një mosmarrëveshje midis shteteve me armë, duke braktisur pra dialogun diplomatik dhe gjeopolitik.

Gabimi i parë është nënvlerësimi i kapacitetit të reagimit ukrainas, i cili bazohet jo vetëm në aftësitë ushtarake, por, mbi të gjitha, në krenarinë, guximin dhe kompaktësinë e një kombi demokratik që është bashkuar rreth simbolit të rezistencës, presidentit Zelensky.

Gabimi i dytë është parashikimi i një ndarjeje brenda Perëndimit, që, përkundrazi, ka mundur të kapërcejë këndvështrimet e ndryshme në emër të së mirës së përbashkët dhe të krijojë një front të bashkuar kundër Moskës me sanksione të ashpra dhe kolektive.

Gabimi i tretë është ai i mosparashikimit të një plani B. Kur ”blitzkrieg”-u (Blitzkrieg është një term që përdoret për të përshkruar një metodë të luftës sulmuese me një goditje të shpejtë dhe të fokusuar në një armik duke përdorur forca të lëvizshme, të manovrueshme, duke përfshirë tanke të blinduara dhe mbështetje ajrore, i përdorur edhe nga Hitleri gjatë LIIB – shën. i përkth.) që duhej të kishte shkatërruar Ukrainën brenda pak ditësh dështoi, gjeneralët rusë tani janë përballur me një dilemë vërtet mizore: të përdorin gjithçka që munden ose të qëndrojë në rrugën e kësaj lufte që mund të zgjasë vërtet shumë.

Në këtë fazë, një Evropë e re po shfaqet me një vendosmëri të gjetur në momentin më të errët.

Bashkimi Evropian, për herë të parë në historinë e tij, po dërgon armë në një vend në luftë dhe po ndërton një politikë të përbashkët të jashtme dhe të mbrojtjes reale dhe konkrete, transmeton Atsh.

Ky është një lajm i madh për BE-në, që në të ardhmen do të jetë në gjendje, nëse vazhdon në këtë rrugë, të arrijë një identitet të vërtetë të mbrojtjes së përbashkët, domethënë një ushtri evropiane.

Evropa po bën luftë edhe me sanksionet, duke mbyllur hapësirën ajrore evropiane ndaj Rusisë dhe duke mënjanuar Moskën nga SWIFT-i i transaksioneve ndërkombëtare.

Rezultatet janë të mahnitshme.

Bursa e Moskës nuk u hap sot, rubla ra në nivelin më të ulët historik me një humbje prej 30%.

Protestat po rriten në vend, ndërkohë që edhe aleatët historikë të Moskës, duke filluar nga Kina, janë gjithnjë e më të hutuar nga veprimet e Kremlinit.

Tmerri dhe tronditja nga pushtimi i Ukrainës mbeten, por tani ka edhe një reagim që Kremlini nuk e kishte parashikuar në këtë shkallë.

Dhe, pikërisht për këtë, situata po bëhet edhe më e rrezikshme./ (Nga Stefano Polli)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: