Ai është diplomat dhe mjaft politikan për të dalë nga situata dhe kthyer humbjen në fitore. Humbi ndaj Atletikos, por ajo histori i takon së shkuarës. Trajneri Karlo Ançeloti, gjatë konferencës për shtyp, është fokusuar maksimalisht te ndeshja ndaj Këlnit. Teksa Mynihu është në aromë feste dhe birre, ai ka vënë bast me lojtarët se për çdo pikë të marrë nga kjo ndeshje, do pijë një birrë. Në fakt do ishte më bukur sikur të pinte një birrë për çdo gol, pasi do e bënte atmosferën më brilante.

Ançeloti, tapeti u bë i ri në “Allianz-Arena”. Ndaj Këlnit, kushtet fushës nuk do jenë më justifikim…
Ndeshjen më të mirë e zhvilluam ndaj Hertës në fushë jo optimale. Normalisht, një tapet i ri na duhet për të ofruar një lojë më cilësore. Për Bajernin ishte detyrim.

Në vizitën tuaj të parë në festën e birrës pitë 2 shishe birrë. Në fundjavë do shkoni me ekipin. Sa keni ndër mend të konsumoni?
Do të përpiqem të pi tri birra, nëse marrim tri pikët ndaj Këlnit. Pra, për çdo pikë të marrë do konsumoj një birrë. Ndoshta i bëj dhe katër.

Jeni të kënaqur me rezultatet e skuadrës suaj deri tani?
Jam shumë i kënaqur çfarë kemi arritur deri tani. Starti i sezonit shkoi mirë dhe dalëngadalë po kem në dispozicion të gjithë lojtarët. Kam besim shumë te kjo skuadër.

Si u ndiet pas humbjes së parë, aq më keq në Madrid ndaj Atletikos?
Pas humbjeve, askush nuk është i lumtur. Tashmë kemi humbur. Nuk e kthejmë dot mbrapsht. Për ne shërben si një mësim. Mos harroni që nuk jemi të vetmit që kemi humbur apo kemi hasur vështirësi në ‘Kalderon’. Ndonjëherë është mirë të humbësh për t’u përmirësuar akoma më mirë.

Cili ishte shkaku i humbjes?
Nuk ishim pozicionuar mirë. Patëm disa probleme në mesfushë ku nuk gjetëm dot balancat e duhura. Pas minutës së 20-të humbnim shumë topat dhe bëmë gabime prej të cilave u ndëshkuam. Nuk luajtëm ashtu siç donim.

Do bëni rrotacion ndaj Këlnit?
Mendoj se në këtë ndeshje është e rëndësishme të bëj rrotacion, pasi shumë prej lojtareve ndihen të lodhur. Këlni është një skuadër shumë e mirë që nuk ka pësuar ende humbje. Të shtunën Robeni do luajë nga minuta e parë, ndërsa Riberi ka disa probleme. Nuk jam doktor, por ishte pak i lodhur. Edhe Tiago është stërvitur mirë, por edhe lojtarët e tjerë janë gati për duelin me Këlnin.

Mavraj titullar, në një nivel me Zherom Boateng
Numri 15 i Këlnit, Mërgim Mavraj, ka fituar besim maksimal nga trajneri Peter Shtëger. Qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare është shndërruar në titullar i padiskutueshëm. Falë edhe aftë- sive të tij, Këlni ka pësuar vetëm 2 gola në 5 ndeshje duke mos pësuar ende asnjë humbje (3 fitore dhe 2 barazime). Këtë sezon ai ka luajtur 450 minuta duke qenë në fushë në çdo takim. Bazuar statistikave, Mavraj ka fituar 57% të dyluftimeve, po aq sa Zherom Boateng (110 minuta). Me fanellën e Këlnit, qendërmbrojtësi do luajë ndeshjen e 33-të./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: