*Bisedë në COD Edi Rama dhe Carlo Ancelotti, me miq të ftuar nga sporti, politika e biznesi
*Ancelotti: Gjëja e bukur e këtij Europiani ishin të vegjlit si Shqipëria, sollën në Europë një entuziazëm të madh
*Libri për lidershipin, Ancelotti: Thelbi është komunikimi. Rama: I dobishëm për këdo që menaxhon

TIRANE– Në një mbrëmje të veçantë në hollin protokollar, kryeministri Edi Rama bashkëbisedon në panelin e COD me Carlo Ancelotti, në prani të të ftuarve nga bota e sportit, publicistikës, politikës, trupit diplomatik dhe medias.

Carlo Ancelotti vjen në Shqipëri si i ftuar i posaçëm i Kryeministrit në një takim që vë në qendër sportin, talentin dhe strategjitë e suksesit. Pjesë e dialogut me të ftuarit është edhe libri i fundit i Ancelotti-t, “Lidershipi i urtë: të fitosh zemrat, mendjet dhe ndeshjet” (Quiet Leadership: Winning Hearts, Minds and Matches) i botuar në maj të 2016.

Para të pranishmëve Ancelotti ka përshkruar disa momente nga libri i tij, dhe mesazhet që përcillen tek lexuesit.

“Jam i kënaqur dhe i nderuar që ndodhem këtu. Faleminderit për ftesën e kryeministrit. e pranova me shumë dëshirë. është hera e dytë që vij në Tiranë. Hera e parë ka qenë me Milanin ku kemi bërë një miqësore këtu. Libri është shpjegimi i një përvoje të bukur, bazuar në marrëdhëniet midis njerëzve. Pasi në fund të fundit futbolli është ky. Trajneri duhet të ketë aftësi të menaxhojë dhe të ruajë marrëdhënie të mira me të gjithë. Lidershipi është mbi të gjitha i qetë dhe me komunikim. nuk mund të ketë lidership autoritar. Karakteri përfitohet me përvojën që personat kanë. Asnjëherë unë nuk kam patur një lider autoritar, as im atë, as mësuesit e profesorët e mi, dhe as trajnerët e mi. Ndonjëherë thonë se duhet të përdorësh thuprën, por unë i kam thënë se nëse doni të përdorni thuprën duhet të merrni dikë tjetër”, tha Ancelotti.

Kryeministri Rama tha se libri përcjell mesazhe me vlerë për lidershipin.

“Në libër ka gjëra mjaft të dobishme për çdo person që punon me persona të tjerë që duhet t’i menaxhojë dhe të punojë me ta”, tha Rama.

Trajneri i shquar italian shpjegoi edhe filozofinë e tij për mënyrën e drejtimit të skuadrave, duke u shprehur se “Jam një person që kam një reputacion si i qetë. Shumë më thonë si ia bën të kesh miqësi me lojtarët. Po, unë mund të jem mik me lojtaret, flas me ta, i kuptoj. Por në fund mund t’i them pa problem se nesër nuk do të luash në formacion”.

Ancelotti rrëfeu se në zhvillimin e tij kishin pasur shumë rëndësi lidhja me Arrigo Sakin dhe periudha dyvjeçare te Juventusi.

“Unë asnjëherë nuk mohoj mjeshtrin. Saki ka qenë… fitova lotarinë kur takova Sakin. Me Sakin pata fatin që më peshkoi nga Roma dhe më çoi në një nga skuadrat ndoshta më të mëdha të botës. Përvoja me të nuk ishte aq shumë sa lojtar, por si trajner isha tre vjet asistent i tij dhe aty mësova profesionin. Përvoja të ndihmon në marrëdhënie por ka shumë punë të tjera për të bërë. Nga Saki kam mësuar shumë, mendoj që është një nga shkollat më të mira për trajnerë. Pastaj u nisa nga kjo ide dhe gjërat ndryshuan. Nga përvojat e mbledhura ndryshoi mënyra e të menduarit kur fillova te Juventusi. Atje nuk dija kë të vija sulmues, kush të luante në krahë. Nga aty fillova të përshtatja sistemin e lojës. Unë mendoj se sistemi i lojës është i rëndësishëm. Në bazë janë parimet. Të gjithë duhet të punojnë. Lojtarët duhet të jenë altruistë, skuadra të ketë rëndësi. Unë kam qejf të theksoj karakteristikat e lojtarëve. Kjo do të thotë që unë duhet të gjej idenë se si ata të përfshihen në lojën që unë bëj. Kjo është të përpiqesh të vlerësosh në mënyrën më të mirë të mundshme”, tregoi ai.

Të pranishmit në sallë i kanë drejtuar pyetje trajnerit italian, të nxitur edhe nga kurioziteti për të ditur diçka më shumë rreth eksperiencave të tij në skuadrat italiane, por edhe për sugjerimet e tij për kombëtaren shqiptare. I pyetur se çfarë do të sugjeronte për kombëtaren shqiptare në mënyrë që mund të mundte Italinë, Ancelotti preferoi të shmangte përgjigjen.

“Për këtë duhet të mendojë Xhani. Mendoj se hovi që ka pësuar Shqipëria në vitet e fundit është falë punës së Xhanit. Distanca mes skuadrave është ulur shumë, ka bërë një Europian shumë të mirë. Mendoj se çdo skuadër ka objektivin e vet, që lidhet me cilësinë e lojtarëve që keni në dispozicion. Unë mendoj se një skuadër e vogël klubi nuk mund të fitojë Champions, por mundet të bëjë futboll të mirë, zbavitës. Kjo mund të arrihet në çdo skuadër, edhe kjo është një fitore”, tha ai.

Ndërkaq, De Biazi vlerësoi Ancelottin për atë që i kishte dhënë futbollit botëror.

“Unë kam vlerësuar gjithmonë Karlon për aftësinë për të bërë gjëra të mëdha. Pa i rënduar të tjerët, mendoj se kjo është cilësia më e madhe. Ka pasur një mjeshtër të madh, Sakin, por pastaj karakteri bëri që ta çonte përpara lidershipin në mënyrë të qetë. Saki ishte ndryshe, ndërsa ti ke më shumë marrëdhënie me lojtarët dhe mendoj se është empatia që krijohet brenda grupit, krijon gjëra të rëndësishme. Kjo është madhështia e Karlos, si njeri dhe trajner, pas punës së tij është mënyra e tij të menduarit. Me këtë mendësi ka arritur aty lart, ka shëtitur të gjithë Europën dhe ky është vlerësimi më i madh për një kompetent si Karlo. Urime për karrierën dhe për këtë sezon”, ishin fjalët e trajnerit të përfaqësueses shqiptare.

“I kemi bërë ca ndeshje kundër, e kemi studiuar njëri­-tjetrin”, ishte përgjigja e Ancelottit.

“E pashë mirë Shqipërinë, shumë mirë në grup, por sidomos në kualifikuese. Po flisnim pak ditë më parë në mbledhjen e trajnerëve në UEFA se gjëja e bukur e këtij Europiani ishin të vegjlit si Shqipëria. Sollën në Europë një entuziazëm të madh dhe kjo është bukuria e futbollit. Në UEFA ka bërë përshtypje që fitoi Portugalia. Për ju, më vjen keq, pasi nëse barazonit ndeshjen e parë, do kalonit grupin”, tha ai.

Në diskutime është përfshirë edhe trajneri italian i Skënderbeut, Andrea Agostineli, i cili dukej i shqetësuar sidomos nga dieta ushqimore me të cilën ishin mësuar lojtarët në Shqipëri.

“Unë për vete përshtatem”, ishte sugjerimi i Ancelottit.

“Anglezët janë të çuditshëm, hanë vezë të skuqura para ndeshjes. Nëse pastaj luajnë mirë, ku është problemi këtu?”, ishte përgjigja e Ancelottit.

BISEDË NË COD EDI RAMA DHE CARLO ANCELOTTI, ME MIQ TË FTUAR NGA SPORTI, POLITIKA E BIZNESI
Aktiviteti moderohet nga një emër i spikatur i emisioneve sportive, Edi Manushi. Më herët, takimi i ciklit “Podiumi i COD” kushtuar Asllan Rusit dhe Dashamir Fagut, u moderua nga Dëfrim Met’hasani, ndërsa COD ka mirëpritur në vijimësi gazetarë dhe analistë të njohur, si Rudina Xhunga, Ben Andoni e të tjerë dhe do të insistojë në bashkëpunime të tilla.

I mirënjohur nga dashamirësit e futbollit si Carletto, Ancelotti është i vetmi trajner që ka fituar tri herë Champions League-n, duke u vlerësuar si nga më të mirët e të suksesshmit e të gjitha kohëve. Është përmes librit të tij të fundit, një “management memoir”, që ai zgjedh të rrëfejë aventurën si trajner, duke u përqendruar jo aq në aspektin autobiografik, sa në rolin e tij të menaxherit. “Lidershipi i urtë…” shpalos botën e Ancelottit përmes “metodave të tij, mentorëve, gabimeve dhe triumfeve të mëdha”; e gjitha përmes reflektimit të një drejtuesi të sprovuar dhe strategjive të tij.

Edhe pse është një nga menaxherët më të mëdhenj të të gjitha kohëve, me histori suksesi në klube elitare të Europës, qasja e Ancelotti-t ndaj të tjerëve dallon dukshëm me atë të rivalëve të tij. Me stilin diskret, Ancelotti arriti të bëjë për vete lojtarë kryelartë, si David Beckham, Zlatan Ibrahimovic, Cristiano Ronaldo dhe Gareth Bale. Te “Lidershipi i urtë…” Ancelotti e zbulon historinë e plotë e të suksesshme të karrierës së tij menaxheriale duke e marrë lexuesin në dhomën e zhveshjes, për të ndjekur karakteret, sfidat dhe vendimet që arritën ta formësonin. Prandaj “Lidershipi i urtë…” vjen me një rezultat të dyfishtë: me kujtimet gjithë dritë dhe me reflektimin e thellë në brendësi të lidershipit.

I lindur më 10 qershor 1959 në Reggiolo të Italisë, Carlo Ancelotti e nisi karrierën në futboll si lojtar, me ekipet Parma FC, AS Roma dhe AC Milan. Mesfushori luftarak i dha fund lojës dinamike për të nisur një tjetër përvojë, atë të trajnerit me AC Reggiana, Parma FC, Juventusin dhe AC Milan, ku njohu suksese të njëpasnjëshme. Kalimi në Chelsea FC, Paris Saint-Germain, Real Madrid CF dhe sot me FC Bayern München, shënoi përshkallëzim në rritje të triumfit të tij menaxherial. Fitues i Globe Soccer Award në 2014, Menaxheri më i Mirë në Botë IFFHS në 2007 dhe 2014, Menaxheri më i Mirë i UEFA-s në 2002-2003, Menaxheri më i Mirë në 2003 nga World Soccer Magazine, Menaxheri më i Mirë i Serie A në 2001-2004, Menaxheri më i mirë i Ligue1 (2012-2013), i Çmimit Kombëtar Enzo Bearzot në 2014, i Çmimit Lideri Frymëzues në 2015 dhe 4 herë Menaxheri më i Mirë i Muajit nga Premier League, cilësohet si “trajneri më i mirë i Europës”. Aventura sportive e Ancelotti-t vijon sot në Gjermani, me moton e mirënjohur të Bajernit “Miasanmia” (Ne jemi ata që jemi). Sepse “janë dy gjërat që të japin formë: durimi, kur nuk ke asgjë dhe qëndrimi që mban, kur i ke të gjitha”, sipas vetë Ancelotti-t.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: