TIRANË

Analisti Andi Bushati mendon se pranimi i opozitës për të hyrë në zgjedhjet e 13 tetorit është një pranim absurd i situatës. Në studion e News24 në rubrikën “Opinion”, Bushati tha se opozita ka disa vite që akuzon qeverinë dhe kryeministrin si regjim e duke folur për qeverisje me banda e nuk mundet të mendojë që për tre muaj të futet në zgjedhje sërish me Edi Ramën.

“Ajo e opozitës për të hyrë shpejt në zgjedhje të parakohshme është një pranim absurd i situatës sepse askush nuk mund të mendojë që në qoftë se kjo opozitë që ka disa vite që thotë regjimi i Edi Ramës, banda, oligarkët nuk munden me zgjedhje të mendojë që për tre muaj të futet në zgjedhje me Edi Ramën. Ka një pyetje konkrete? Pse nuk hyre më 30 qershor në zgjedhje? Nxitimi për të shkuar në zgjedhjet e 13 tetorit duket absurd. Nga ana tjetër dua ta shoh si lëvizje taktike. Opozita mund të bëjë sikur i përkrah ato.
Të lësh 3 vjet propagandë e të thuash ne hyjmë shumë shpejt me Ramën kryeministër dhe ia fitojmë atij zgjedhjet kjo ka diçka që nuk shkon. Në qoftë se opozita thotë se mua më mjaftojnë një palë zgjedhje më 13 tetor por gjithë ato angazhime për reforma të mëdha, për një sistem më të drejtë, pra për të bërë një sistem që nuk i shërben Ramës apo Bashës por i shërben qytetarit. 13 tetori nuk më duket zgjedhje, por një gënjeshtër, mashtrim ndaj më duket absurde pranimi i zgjedhjeve më 13 tetor. Palët politike duhet të hyjnë të barabarta në zgjedhje”, tha Bushati.

Nga ana tjetër ai tha se beson edhe tek një kthim nderi nga opozita tek Presidenti.
“Më shumë besoj tek kthimi i një nderi apo një topi mbrapsht. Ilir Meta i bëri një nder duke zhvlerësuar 30 qershorin dhe opozita tani bën sikur respekton 13 tetorin. Por Edi Rama dhe Rilindja as nuk i përfill këto manovra por e thellon hap pas hapi rendjen pas një pushteti monopartiak”, tha Bushati.

Ai foli edhe për shkarkimin e Arben Malajt nga maxhoranca.
“Është mbledhur parlamenti për të shkarkuar Arben Malajn. Është një çuarje deri në ekstrem e logjikës që ai që është kundërshtar me ne, nuk mund të hajë bukën tonë në thonjëza”, u shpreh Bushati. Sa iu përket protestave të opozitës, ai deklaroi se ato e kanë arritur qëllimin e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb