TIRANE- Analisti Andi Bushati thotë se Lulzim Basha është kandidati i preferuar i ish-kreut të PD-së, Sali Berisha, në garën që po zhvillohet brenda Partisë Demokratike. Në rubrikën “Opinion” në “News24”, analisti Bushati thotë se në këtë përfundim arrihet nëse analizohet sjellja e Berishës.

Ai thotë se edhe në zgjedhjet e 2013-ës brenda PD, pas dorëheqjes së Berishës, ky i fundit është sjellë në të njëjtën mënyrë si tani.

Sipas Bushatit, ashtu si në garën e 2013-ës të organizuar nga Berisha dhe të konceptuar prej tij, ashtu po veprohet edhe në këto zgjedhje.

“Berisha mbështet kandidaturën e Bashës. Nuk kam ndonjë fakt, por analiza është e tillë. Po të shohësh veprimet e Berishës në 2013, mënyra si ai organizoi garën mes Bashës e Olldashit, tregon si u bë gara, duke krijuar imazhin e një fushate të qetë, pa përplasje mes kandidatëve. Janë të njëjtat simptoma që shohim edhe në garën e 2017, pra një kopjim i garës së 2013 që e ka konceptuar dhe organizuar Berisha. Ndaj them që edhe në këtë të tanishmen, është Berisha. Ndaj Berisha ia lejoi Bashës t’i përzërë të gjithë rivalët e mundshëm, kritikët e tij, që ta gëzojë të gjithë partinë”, u shpreh analisti Andi Bushati.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb