TIRANE- Analisti Andi Bushati ka komentuar sot situatën politike në vend, që nga bojkoti i zgjedhjeve nga PD, kritikat e demokratëve të vjetër për zotin Basha, por dhe listat e kandidatëve të PS dhe LSI për zgjedhjet e 18 qershorit. Teksa ishte i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në “News24”, Bushati theksoi se qëndrimi i deputetëve Majlinda Bregu, Eduard Selami, sipas tij janë të drejta, por nga ana tjetër të vonuara.

“Bregu dhe Selami përveç asaj që shprehin për bojkoti e zgjedhjeve, kanë dhe kritika se si Basha po drejton partinë. Qëndrimet e tyre duken të drejta. Aq më tepër kur Basha po propagandon Republikën e Re. Për mua PD i ka të trashëguara defektet që prej 20 vitesh, vuan nga Berishizmi. Pyetja themelore: Lërë Basha e ka gabim, por ai ka ngritur një kauzë për zgjedhjet. A siguron pushteti i Ramës zgjedhje të lira? Nga sa pash, nga qëndrimi i Selamit dhe Bregut, kjo çështje eskivohet. Këto zëra disidentë janë në të drejtën e tyre”, tha Bushati.

Nga ana tjetër analisti Bushati pohoi se pas këtyre deklaratave të Selamit dhe Bregut sot, që kritikonin sjelljen e zotit Lulzim Basha për zhvillimet e fundit politike, sipas tij la gjasa që nga demokratë në çadër mund të shihen si armiq. “Nuk mendoj se ka lidhje me Kavajën, sesa me thelbin e problemit. Do ishte jonormale që brenda PD mos të kishte zëra desidentë. Unë e di që shumë demokratë nga ata të çadrës sot, janë të pritur që t’i shohin si armiq Selamin dhe Bregun, por duhet t’i shohim njerëzit në thelbin e asaj që thonë. Nuk ka ndonjë mëkat të madh, blasfemi, që dikush mendon ndryshe nga Lulzim Basha. Për një vendim si ky i Bashës duhet të kishte dhe zëra kundër, fatkeqësi do ishte që të ishin të gjithë në unison. Njeriu nuk është kundër jashtë kohe për t’i thënë mendimet e veta. Edhe nëse Selami dhe Bregu thonë gjera të tjera, dhe në këto momente kanë ikur ato që kanë thënë ata. Basha ka gjetur një terren goxha të punuar”, nënvizoi Bushati. Mes të tjerash Bushati analizoi dhe listat e kandidatëve të PS për zgjedhjet parlamentare, që sipas tij kanë brenda rilindas dhe jo socialistë.

“Nga grupi socialist janë hequr të gjithë mbartësit e memories së PS, aty mund të ketë Rilindas por jo socialist. Zëra ndryshe nuk ka më në PS…”, pohoi Bushati.

Për sa i përket listës së kandidatëve të LSI-së, Bushati tha: “Ndryshe nga PD-ja apo PS-ja mendoj se LSI nuk ka shumë preokupim të duket simpatike në publik. Duke qenë parti klienteliste që votuesin nuk e josh por e rekruton, këdo që do zgjedhë deputet, do ketë ata votues që ka arritur të rekrutojë”.

Lidhur me zgjedhjen e Ilir Metës President i Republikës dhe nëse do të jetë ai mbi palët, analisti u shpreh se “me fjalë po, me aksion jo”.

Ndërsa të ardhmen e dy partive të reja nëse PD nuk hyn në zgjedhje, Bushati e sheh të avantazhuar. “Së pari duhet të bëjmë llogarinë minimale nëse bëhen zgjedhje me apo pa PD-në. Pa PD-në këto dy parti të reja janë më të avantazhuara. Blushit apo Bojaxhiut do t’i duhej të merrnin në Tiranë 11 apo 12 mijë vota, tani do iu duhen 4-5 apo 6 mijë vota”, tha ai.

Sipas Bushatit, pa PD në zgjedhje LSI humbet shumë.
“Po të pyesësh njerëzit e LSI-së ka një lloj frike apo ankthi se çdo ndodhë pas ikjes së Metës. Ilir Meta ka ngritur një kompani personale dhe si në çdo kompani ikja e pronarit krijon probleme. Ky problem është shfaqur edhe në LSI. Problemi më i madh i LSI së nuk është se kush do ta udhëheqë, por në dy fushatat e tjera LSI premtonte më votoni mua se do jem në pushtet. Nëse PD nuk hyn në zgjedhje, LSI e humbet atë rolin e bërësit të mbretit. LSI nuk mund të jetë një parti qeverisëse. Do humbasë një arsye për të joshur njerëzit. Mund ta penalizojë LSI-në shumë më tepër se figura e liderit në fushatë”, deklaroi analisti Bushati.

(ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb