Andi Lila shpreson që Shqipëria të nisë rrugëtimin e saj në kualifikueset e Botërorit 2018 duke fituar tri pikë ndaj Maqedonisë, në një ndeshje e cila duhet trajtuar njëlloj si takimet kundër ekipeve të forta në grup.

“Unë nuk shoh derbi në takimin me Maqedoninë, sepse si ajo ndeshje si Italia apo Spanja janë 3 pikë. Ne do të bëjmë detyrën dhe do të jemi të përqendruar për të marrë tri pikët dhe shpresoj që t’ia dalim mbanë”, u shpreh mesfushori.

Shqipëria vjen nga një paraqitje e mirë në Euro 2016 dhe Lila shpreson që skuadra të vazhdojë me të njëjtin ritëm edhe në këtë edicion, për të arritur sa më larg që të jetë e mundur.

“Shpresoj që të bëjmë një ndeshje, një performancë ashtu si e lamë në Francë, pasi jemi në nivel më të lartë. Kam shumë besim se do të dalim mirë në këtë ndeshje dhe në të ardhmet. Duhet të luajmë me këmbë në tokë dhe kemi treguar se nëse jemi të bashkuar, mund të dalim sa më mirë në këtë ndeshje”, vijoi ai.

Kuqezinjtë do të luajnë në këtë edicion në “Loro Boriçi”, një impiant i ri i cili i ka bërë përshtypje mesfushorit të kombëtares.

“U befasova nga stadiumi i jashtëzakonshëm. Duke parë që Shkodra është qytet sportdashës, do ta mbushin plot për kombëtaren. Por edhe me Vllazninë do ta mbushin mirë. Ishte një stadium si na ka hije pasi prezantohemi me një stadium cilësor në arenën ndërkombëtare”, tha ai./panoramasport/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: