Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Marina Abramoviç është në të majtë. Ulay është në të djathtë. Të dy janë nudo. Në mes është një pasqyrë që ata e mbajnë në këmbë me trupat e tyre. “Balance proof” e vitit 1977 është një prej veprave që mund të shihet në ekspozitën “ONUFRI” të premten në Galerinë Kombëtare të Arteve. A është përballja me qelqin, përballje me të pamundurën, të paarritshmen? Ne e shohim, por nuk mund ta prekim, as të ndërhyjmë në botën përtej tij. Një qasje artistike rreket të tregojë se qelqi portretizon botën e ditëve tona: e frikshme dhe e brishtë. Andrea Pagnes i ka njohur shqiptarët gjatë eksodit të viteve 1990. Në 2006-ën mori pjesë në festivalin “Art Kontakt” në Porto Palermo, ku u shpall fitues. Këtë vit ai rikthehet si kurator i ekspozitës ndërkombëtare “ONUFRI”, që mbahet në Galerinë Kombëtare të Arteve në datat 20 nëntor-3 janar 2016. Së bashku me të shoqen, Verena Stenke, përbëjnë dyshen kuratoriale që rikthejnë bujshëm “ONUFRIN” e munguar, e përtej kësaj, arrijnë të sjellin në Tiranë, emra si Marina Abramoviç apo Yoko Ono. Ekspozita “SiO2 – Arsyeja e Brishtësisë, Si e Shkronjëzojmë Fjalën K-U-J-D-E-S kur Përballemi me Qelqin?” është përzgjedhja përfundimtare për Edicionin e 21-të të Çmimit ONUFRI dhe mbledh së bashku veprat e 23 artistëve nga vende të ndryshme të botës, disa prej të cilëve janë nga emrat më të dëgjuar të skenës së artit bashkëkohor sot.
Artistët e njohur ndërkombëtarë që ekspozohen janë: Marina Abramovic & Ulay, Chris Burden, Tony Cragg, Jan Fabre, Joseph Kosuth, Boris Nieslony, Yoko Ono, Jaume Plensa, Douglas Quin, Lawrence Weiner, Armando Lulaj, Leonardo Cimolin, Dana Dal Bo, Seamus Farrell, Andrea Moruçhio dhe Nelda Ramos, ndërsa 7 artistët shqiptarë janë: Eros Dibra, Oltsen Gripshi, Shqipe Jonuzi, Sead Kazanxhiu, Ermela Teli, Klodian Deda dhe Ermal Baboçi & Linda Doçi. Kuratori vjen në një intervistë ku flet për intervistën.
– Prej muajsh, ju po punoni për ekspozitën “ONUFRI”. Ju i vini artistët të përballen me qelqin; çfarë është “qelqi” në këtë rast?
Qelqi si material është një zgjedhje simbolike, në këtë rast, dhe është kuptimplotë, sepse për ne portretizon situatën politike globale sot. Kur u njoha me time shoqe, Verenën, e zhvillova këtë kërkim te qelqi, jo vetëm si material për të krijuar objekte, por për atë që ai përfaqëson simbolikisht edhe për nga kuptimi. E kemi ende të freskët atë që ndodhi në Paris; në kohën në të cilën ne jetojmë, në aspektin politik, social e global (luftërat globale që po jetojmë), ne besojmë se qelqi është një material që mund t’i portretizojë mirë këto lloj krizash e situatash. Përmes informacioneve në media, ne shohim çdo gjë, por është si një ekran që nuk na lejon të ndërhyjmë. Nëse i përkthej këto në mënyrë artistike, i shoh artistët ta ndjejnë këtë shqetësim, dhe i shoh të përpiqen ta përkthejnë këtë shqetësim si qenie njerëzore, më shumë sesa si artistë, në një “fjalim artistik” në një itinerar artistik. Kjo ishte zgjedhja, përpjekja për të folur për këtë situatë që po jetojmë, në këtë kohë të brishtë, kohë frike. Qelqi është një element i bukur, rezistent, mund të jetë i rrezikshëm dhe i paparashikueshëm në reagimin e vet. Ai ka një strukturë të veten, që është si shoqëria në të cilën jetojmë. Supozohet se kemi disa rregulla për të ndjekur, por këto rregulla disa herë nuk shkojnë.
– Dhe ne përplasemi me qelqin?
Po, dhe fakti është se s’ke pse bën një përplasje të dhunshme, mund të jetë edhe vetëm një prekje, sepse nëse shkon në pikën më të dobët të qelqit, ai thyhet vetë, edhe pse ti nuk ke bërë asgjë. Është si të kesh një pjatë qelqi; është rezistente kudo, por ka një pikë të dobët dhe nëse e prek aty, ajo thyhet. Dhe kjo është si shoqëria jonë sot: ka përpjekje për ta stabilizuar disi, por nuk arrihet. Ne nuk duam të prodhojmë një deklaratë, ne nuk duam të bëjmë këtë ekspozitë e të themi ‘ja si janë gjërat’. Ne preferojmë të tregojmë artin dhe t’i bëjmë njerëzit të reflektojnë, të kenë një çast përqendrimi dhe të mendojnë. Ndaj u morën artistë nga periudha të ndryshme të 40 viteve të fundit, nga shtete të ndryshme, artistë të lidhur me qelqin, në mënyrë shoqërore e artistike. Përmes tyre ne japim një pamje të pjesshme.
– Të pjesshme sepse nuk mund të jepni të gjithë pamjen?
Po, japim një imazh, qasjen tonë, sepse është shumë komplekse të bësh një ekspozitë ku ftohen artistë të mëdhenj dhe të kombinohen ata me artistë të rinj. Procesi i realizimit të kësaj ekspozite është shumë kompleks. Disa prej tyre vijnë për herë të parë në Galerinë Kombëtare të Shqipërisë dhe e pritën mirë ftesën, pranuan menjëherë.
– Kush, për shembull?
Yoko Ono tha menjëherë “po”. Lawrence Weiner na dha menjëherë punët e tij. Ishin shumë bashkëpunues e shumë të përkushtuar. Marina Abramoviç e pëlqeu shumë konceptin; ajo na shkroi ne se, të qenët së bashku me artistë shqiptarë është gjë e mirë. Artistët e rinj kanë shumë pak mundësi që t’i ekspozojnë punët e tyre në evente ndërkombëtare. Ndaj, ne kemi pasur një thirrje të hapur, në mënyrë që një ditë, të paktën një nga këta shtatë artistë të rinj të ketë të dokumentuar se ka qenë në një ekspozitë së bashku me këta emra të mëdhenj.
– Ka pasur një lloj debati në Shqipëri para se ju të vinit, mbi arsyet pse vihen këta artistë të rinj përballë emrave të mëdhenj (duket sikur të rinjtë thjesht vendosen aty). A do ishte kjo përgjigjja juaj?
Po. Sepse, kur unë kam qenë i ri, kam pasur fatin që kam punuar me artistë të mëdhenj, kam qenë asistent i tyre. Mbase, ngaqë unë jetoja në Venecia, ishte më e lehtë, por ishin ata që më morën mua “përdore” ‘me duart e mia të vogla’ dhe më çuan të ekspozoja me artistë të mëdhenj, dhe filloi kështu një lloj karriere e respektueshme. Nuk jam i famshëm, por jam i respektuar në skenën e artit.
– Siç ju përmendët, ka artistë të mëdhenj që vijnë në Shqipëri, si Yoko Ono, Marina Abramoviç. Pse nuk do të jenë ata edhe fizikisht?
Sepse kushtojnë shumë dhe ne nuk kemi aq para. Përtej kësaj, ka edhe arsye të tjera. Yoko Ono nuk udhëton shumë tashmë sepse është 83 vjeçe. Ajo ka ekspozitë në Bejiing këto ditë por nuk ka shkuar, dhe ndërkohë po përgatit një ekspozitë të madhe në Lyon të Francës, në Contemporary Art Museum. Marina Abramoviç ka shumë ekspozita të mëdha rreth e rrotull botës. Pra, ata janë shumë të angazhuar dhe kanë pagesa të larta. Shumë prej tyre na i kanë dhënë punët e tyre me pagesa të vogla. Sigurisht, këto lloj veprash paguhen vërtet shumë.
– Këtu, janë marrë falas?
Disa. Por janë marrë me një pagesë shumë të ulët, një pagesë simbolike, një pagesë simbolike për emrin që kanë këta artistë, por edhe kur kjo pagesë ulet me 75%, sërish është shumë. Që të jem i qartë, është disi e vështirë, sepse kur unë punoj për “Venice International Performance Art Week” në Venecia, nëse nuk kemi detyrimet financiare për artistët që ne ftojmë, është shumë e vështirë të bëhet. Shpesh, për të pasur këta artistë, duhet të kalosh përmes galerive. Unë kam fatin që unë i njoh vetë këta artistë dhe me shumë prej tyre i bëj vetë marrëveshjet drejtpërdrejt me ta.
– Një njeri me kontaktet tuaja në botën e artit, pse zgjedh të punojë për “ONUFRIN”?
Kur unë dhe Verena u njohëm dhe filluam të punonim bashkë më 2006-ën, një nga performancat e para që bëmë bashkë ishte në Porto Palermo, në Kalanë e Ali Pashës. Ishte shumë e suksesshme dhe fituam çmimin e parë atë vit. Kam pasur shumë miq shqiptarë para se të vija këtu. Në vitet 1990, kur filloi emigrimi i madh e tragjik i shqiptarëve drejt Italisë, Venecia dhe e gjithë provinca u bë strehë për ta. Mbaj mend që kam ndihmuar disa prej tyre dhe disa më kanë ndihmuar mua me shtëpinë time. Unë i dua shqiptarët, me pak fjalë.
– Ç’mendim keni për artistët e rinj shqiptarë në këtë ekspozitë dhe artin e tyre?
Janë ftuar përmes një thirrjeje të hapur, me një tekst të qartë besoj. Kemi zgjedhur veprat që për ne ishin më interesante dhe që i përgjigjeshin më mirë konceptit tonë kuratorial dhe shprehjes së disa shqetësimeve përmes qelqit.
Duhet të them se neve na pëlqen të vijmë këtu. Na pëlqen të punojmë me artistët e rinj. Donim të kishim në ekspozitë edhe Armando Lulajn, mbasi e kemi njohur më herët. Jemi ftuar në Universitetin e Arteve për një aktivitet, me studentët e Ema Andreas, dhe ka qenë një eksperiencë e mirë. Shumë prej artistëve të rinj kanë talent dhe vlen të vihet në dukje. Është e çuditshme! Kudo që shkon, njerëzit nuk e shohin se sa jeshil është kopshti i tyre, shohin kopsht tjetër. Unë, përveç diferencave politike apo ekonomike, nuk shoh ndonjë ndryshim. Ka artistë që kanë ide brilante, siç kanë në Berlin apo në Londër.
– A premtojnë ata për të qenë pjesë ekspozitash të tjera?
Nuk kam folur ende për këtë.
– Me ç’punë vijnë në GKA Marina dhe Ulay?
Me “Balance proof”, që ata e bënë më 1977-ën. E mbajnë pasqyrën me trupa të zhveshur, më pas ata ikin dhe pasqyra bie. Ne jemi shumë të interesuar mbi performancën, sepse jemi artistë të performancës; është e rëndësishme, nuk është element i vdekur që qëndron aty, por tregon se si trupi ynë lidhet me të.
– Ndërkaq, Yoko Ono si prezantohet?
Ka katër punë: “A key to open a forest”, “A key to open a faded memory”, “Position piece: a hole” dhe “Season of glass”, albumi që ajo nxori pak muaj pas vdekjes së John Lenon, bashkë me tekstin, pasi na dha mundësinë të përdorim edhe tekstin.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb