Komisioneri Publik po shqyrton vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për prokurorin Besnik Cani, i cili u konfirmua në detyrë në muajin nëntor, pas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili ka rekomanduar ankimimin.

Besnik Cani, prokuror në Prokurorinë e Elbasanit është zgjedhur edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në njoftimin e tij, Komisioni Publik deklaron se “në datë 27.11.2018, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Besnik Cani, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Elbasan.
Në datë 25.1.2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ka njoftuar Komisionerëve Publikë vendimin nr. 84, datë 27.11.2019, në lidhje me konfirmimin në detyrë të z. Besnik Cani, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë’.

Por në të njëjtën datë, 25.1.2019, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Besnik Cani.

Rekomandimi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është publikuar në faqen zyrtare të Institucionit të Komisionerëve Publikë: http://ikp.al/rekomandime/
Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb