Mund të ketë vonesa të mëtejshme në miratimin e Budapestit për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, ka deklaruar sot kryeministri hungarez Viktor Orban.

Vitin e kaluar, Suedia dhe Finlanda aplikuan për t’u bashkuar me paktin e mbrojtjes transatlantike pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, por të 30 anëtarët e NATO-s duhet të mbështesin aplikimet dhe Suedia është përballur me kundërshtime nga Turqia për strehimin e atyre që Ankaraja konsideron se janë anëtarë të grupeve terroriste.

Me procesin e ratifikimit të Hungarisë të bllokuar në parlament që nga korriku, zoti Orban tani ka shprehur shqetësime për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.

Ndër kritikat e tjera, ai ka akuzuar të dy vendet për përhapjen e “gënjeshtrave” për shëndetin e demokracisë dhe sundimin e ligjit në Hungari.

Ai tha gjithashtu se nevojiteshin më shumë bisedime midis grupeve parlamentare përpara se ligjvënësit të votonin mbi ofertat e anëtarësimit.

Më herët sot, ndihmësi i Orban, Gergely Gulyas, tha se duhej më shumë kohë për një votim mbi ofertat e NATO-s.

“Bazuar në procedurën hungareze, miratimi i legjislacionit zgjat rreth katër javë, kështu që rrjedh që parlamenti mund të ketë një votim për këtë diku në gjysmën e dytë të marsit, në javën e 21 marsit.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: