Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, realizoi takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe me Këshillin Veri-Atlantik.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg dhe anëtarët e Këshillit Veri-Atlantik, po qëndrojnë në vizitë dyditore në Maqedoninë e Veriut, ku realizuan takime me krerët shtetërorë të vendit.

Siç njoftojnë nga kabineti i presidentit Pendarovski, në takimin me Stoltenbergun dhe delegacionin, presidenti ka shprehur kënaqësinë, siç thuhet në kumtesë, për faktin që Këshilli Veri-Atlantik vjen për vizitë historike në një periudhë shumë të rëndësishme për Maqedoninë e Veriut.

“Jam i bindur se të gjithë të pranishmit vlerësojnë përparimin demokratik thelbësor dhe miratimin e reformave që synojnë restaurimin e rendit institucional dhe të drejtësisë në shtet. Nuk do të doja të numëroj të gjitha reformat. Këtu vetëm do të theksoj nënshkrimin e dy marrëveshjeve kyçe me fqinjët tanë, Greqinë dhe Bullgarinë, Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”, thuhet në deklarate.

Në takim, Pendarivski gjithashtu ka theksuar përpjekjet e tija për reformat në fushën e mbrojtjes konform standardeve të NATO-s.

“Si president i Maqedonisë së Veriut, duke pasur parasysh kompetencat e mia në shërbimet e sigurisë dhe inteligjencës, do të insistoj në reformimin e tyre të plotë në përputhje me të gjitha standardet më të larta të NATO-s. Ky do të jetë angazhimi im i përhershëm, ndërsa situatën do ta mbikëqyr në mënyrë aktive dhe do të këmbëngul që sa më shpejtë të kemi përparim në këtë sferë”, theksoi Pendarovski.

Mes tjerash, presidenti i Maqedonisë së Veriut, në takim ka shprehur falënderime për përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare të cilët deri më tani kanë ratifikuar protokollin, duke theksuar se është i kënaqur me dinamikën e ratifikimit.

“Presim që edhe shtetet tjera të rrumbullakojnë procedurat e brendshme juridike, që procesi të përfundoj në fund të vitit”, thuhet në deklarate.

“Si shtet mbetemi të përkushtuar në kontributin për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit global, luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, për çka jemi të gatshëm që në periudhën në vijim të zmadhojmë pjesëmarrjen tonë në operacionet paqësore nën udhëheqjen e NATO-s”, ka thënë Pendarovski.

Ai ka shprehur bindjen se “anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO pozitivisht do të ndikojë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal, me çka ndikimi i faktorëve margjinal të jashtëm do të sillet në minimum”.

Në kumtesën e lëshuar nga kabineti i presidentit të shtetit, thuhet se Pendarovski ka falënderuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare të NATO-s për mbështetjen e vazhdueshme që NATO i ka dhënë vendit në vitet e kaluara përmes formave të ndryshme si dhe përmes pranisë së drejtpërdrejt në Maqedoninë e Veriut përmes zyrës së NATO-s në Shkup.

Sekretari Stoltenberg dhe Këshilli Veri-Atlanik nga dita e djeshme po qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut. Në kuadër të vizitës, Stoltenberg dhe delegacioni zhvilluan takime me krerët shtetërorë.

Më herët gjatë ditës, para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut u mbajt pritje solemne me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake me rastin e vizitës së Stoltenbergut në Shkup.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb