“Ka ardhur koha që Suedia të anëtarësohet në NATO , sepse ajo ka bërë atë që është e nevojshme për të siguruar miratimin e Turqisë për anëtarësim”, deklaroi ditën e sotme sekretari i përgjithshëm i aleancës ushtarake Jens Stoltenberg.

“Kam thënë se ka ardhur koha për të përfunduar procesin e ratifikimit për Suedinë”, tha ai për gazetën suedeze Aftonbladet në një intervistë.

Në maj, Suedia dhe Finlanda fqinje hoqën politikat e tyre të vjetra të mosangazhimit ushtarak dhe aplikuan për t’u bashkuar me NATO-n pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Masa kërkon miratimin unanim të anëtarëve të aleancës.

Turqia e ka shtyrë procesin ndërsa u bën presion dy vendeve nordike për të goditur grupet që i konsideron si organizata terroriste dhe për të ekstraduar persona të dyshuar për krime të lidhura me terrorizmin.

Muajin e kaluar, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha se Suedia nuk ishte as “në gjysmë të rrugës” në përmbushjen e angazhimeve që mori për të siguruar mbështetjen e Ankarasë. Deklaratat e tij erdhën pasi një gjykatë suedeze vendosi kundër ekstradimit të një gazetari të kërkuar nga Turqia për lidhje të dyshuara me një grusht shteti të dështuar të vitit 2016.

“Kam besim se Suedia do të bëhet anëtare e NATO-s. Nuk dua të jap një datë të saktë se kur do të ndodhë kjo”, tha Stoltenberg. “Deri më tani, ka qenë një proces i rrallë, i pazakontë dhe i shpejtë anëtarësimi. Normalisht, duhen disa vite.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: