TIRANE– Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nisi procesin e Vetingut për anëtarin e Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj i cili do vlerësohet mbi kriterin pasuror, atë të figurës, si dhe vlerësimin profesional.

Kryetarja e trupës gjykuese Suela Zhegu njohu subjektin e rivlerësimit, Edmond Islamaj me procedurën e seancës dëgjimore, sipas së cilës, në fund të seancës do ftohet subjekti i rivlerësimit të shprehë qëndrimin për procedurën e vlerësimit të tij.

Po ashtu, kryetarja e trupës gjykuese, Zhegu prezantoi trupën gjykuese e cila përbëhet nga kryetarja e trupës, Suela Zhegu, Pamela Qirko, anëtarë, Genta Tafa (Bungo) relatore e çeshtjes, dhe trupa asistohet nga sekretarja gjyqësore, Orsida Goxha.

Në cilësinë cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtare merrte pjesë Ferdinando Buatier.

I ftuar në këtë seancë dëgjimore ishte dhe vetë subjekti i rivlerësimit Edmond Islamaj. Në shpjegim të procedurës, kryetarja e trupës gjykuese Suela Zhegu shtoi se “kjo trupë gjykues si dhe vëzhguesi ndërkombëtar kanë të drejtë t’ju drejtojnë pyetje në përputhje me pikën 3 të nenit 55 të ligjit 84 të vitit 2016, keni të drejtë të refuzoni të përgjigjeni. Ju kujtojmë se i gjithë qëndrimi juaj do të merret në konsideratë gjatë këtij procesi në përputhje me nenin 48 të ligjit”.

Kryetarja e trupës gjykuese Zhegu, i është drejtuar subjektit të rivlerësimit, anëtarit të Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj duke e pyetur nëse i ka marrë në dorëzim të gjitha materialet e vëna në dispozicion nga KPK, pyetje që merr konfirmimin e subjektit.

“I kam tërhequr pranë zyrave tuaja dhe jam i njohur me to”, tha Islamaj.

Gjithashtu, Kryetarja e trupës gjykuese Suela Zhegu theksoi se “Kjo trupë gjykuese ka vlerësuar të zhvillojë procesin mbi bazën e tre kriterëve të parashikuar në pikën 2 të nenit 4 të ligjit 84, 2016 mbi kriterin pasurorë, atë të figurës si dhe vlerësimin profesional”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb