Grupimi i ultrasve “Tifozët Kuq e Zi” janë më të zjarrtit që mbështesin kombëtaren dhe gjithashtu më i madhi në numër. Prej sfidës me Izraelin ata i kanë shpallur bojkot stadiumeve shqiptare për shkak të trajtimit që policia shqiptare iu bën tifozëve nëpër impiantet e vendit tonë.

Së fundmi duke u nisur nga kjo mungesë e tyre, ata i bënë thirrje ish-kapitenit të kombëtares Lorik Cana që të shtyjë ceremoninë e lamtumirës që do të organizohet të hënën me rastin e sfidës Shqipëri-Itali, e fundit për kualifikueset e Botërorit.

Një prej themeluesve të grupimit dhe aktualisht anëtar i kryesisë, Fitim Xharra, flet në emër të TKZ dhe bën me dije bisedën me Lorik Canën si dhe zhvillimet e fundit pas letrës së tyre publike.

Përfaqësuesi i TKZ për ‘panorama sport’ tregon edhe vendimin në lidhje me ceremoninë e lamtumirës së ish-kapitenit të Kombëtares, Cana në ndeshjen kundër Italisë.

A keni komunikuar me Canën pas letrës së hapur që bëtë?

Ne kemi kërkuar publikisht që Loriku ta shtynte ndeshjen e lamtumirës. Kërkesa jonë ishte me letër publike dhe si rezultat i saj Loriku pastaj ka telefonuar TKZ-në, ku ne e informuam që akoma nuk ka ndonjë reflektim në raport me bojkotin, pra që ne nuk mund të kthehemi në stadium derisa sjellja e policisë dhe dhuna psikiko-fizike e tyre të përfundojnë një herë e përgjithmonë. Loriku gjithashtu na informoi që ndeshja me Italinë ishte mundësia e fundit që ai t’i jepte lamtumirën sepse ka kohë që është larguar nga futbolli aktiv.

Çfarë vendimi keni marrë pas bisedave?

Ceremonia e lamtumirës së Lorikut do të jetë pa prezencën e TKZ-së në stadium, pavarësisht që për TKZ-në dhe për të gjithë tifozët shqiptarë kudo që ata ndodhen Loriku ka qenë dhe do të mbetet kapiteni i ynë LEGJENDAR. Me Lorikun jemi dakordësuar që të kemi projekte në të ardhmen, projekte të cilat do të informoheni me kalimin e kohës.

Po me federatën a keni pasur biseda gjatë kësaj periudhe?

Nuk ka ndodhur asnjë takim për rikthim deri sot, pavarësisht që për t’u arritur dakordësia dhe zgjidhja e këtij problemi, duhet të ndodhë takimi me ministritë përkatëse, FSHF-në, TKZ dhe institucionet e tjera përgjegjëse për organizimin e ndeshjeve. Nëse këto subjekte nuk ulen për të diskutuar dhe për të arritur akordin, ne nuk do të kthehemi në stadiumet shqiptare.

Krisja pas Izraelit është aq e madhe saqë nuk ktheheni as për këtë ngjarje?

Në shumë media, është keqkuptuar deklarata jonë, që ne vendimin e kemi marrë për atë se çfarë ndodhi në ndeshjen me Izraelin. Në fakt, nuk është fare e vërtetë sepse ne ishim të vetëdijshëm për masat e sigurisë për atë ndeshje, mirëpo ne jemi dhunuar me vite nga policia e shtetit shqiptar, pra keqtrajtimet për tifozët kanë filluar shumë kohë më parë, por TKZ-ja asokohe nuk ka marrë vendim për bojkot, gjithmonë duke shpresuar që në ndeshjen e ardhshme do të përmirësohen gjërat. Në fakt ishte e kotë.

Pra, ultimatumi juaj është i prerë për të vazhduar bojkotin?

Ne si TKZ jemi të gatshëm të diskutojmë dhe të gjejmë një zgjidhje, gjithmonë duke mbrojtur të drejtat bazike dhe elementare të tifozëve shqiptarë, pra keqtrajtimet psikiko-fizike nga policia e shtetit shqiptar.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb