TIRANË- Ministria e Arsimit dhe Sportit ka dërguar në prokurori emrat e katër drejtuesve arsimorë në rrethe pasi janë angazhuar në aktivitete të fushatën zgjedhore në kundërshtim më përcaktimet ligjorë.

Ministria e Arsimit dhe Sportit deklaron se në zbatim të ndryshimeve të fundit të Kodit Penal, të cilat kanë hyrë në fuqi më datë 23.05.2017, dhe në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 473, datë 01.06.2017 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017” është duke monitoruar në vijimësi të gjithë punonjësit e administratës së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe institucioneve të varësisë.

Në vijim të Njoftime për Shtyp të bëra publike, Ministria e Arsimit dhe Sportit, mbi bazën e informacioneve të mbledhura ka evidentuar raste të pjesëmarrjes të punonjësve në pozicione drejtuese të cilët në kundërshtim me ligjin, janë angazhuar në aktivitete të fushatën zgjedhore në kundërshtim më përcaktimet ligjorë.

Për të gjithë rastet për të cilat ka fakte të dokumentuara, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka depozituar sot me datë 05.06.2017, pranë organit të Prokurorisë në rrethet përkatëse dhe duke informuar edhe Prokurorinë e Përgjithshme, për drejtuesit, si më poshtë:

1- Përgjegjësi i Zyrës Arsimore Librazhd, znj. Fatbardha Qatja
2- Përgjegjësi i Zyrës Arsimore Gramsh, z. Xhevit Dyrmishi
3- Përgjegjësi i Zyrës Arsimore Bulqizë, znj. Bedrie Manjani
4- Drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale Lezhë, z. Bardhok Pula

Ministria e Arsimit dhe Sportit shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar institucionalisht me organet kompetente duke vlerësuar çdo provë të depozituar në trajtimin me profesionalizëm të gjitha rasteve të përfshirjes së paligjshme të administratës shtetërore në fushatën zgjedhore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: