Angelina Jolie ka pohuar se ish-bashkëshorti, Brad Pitt kishte abuzuar emocionalisht dhe fizikisht ndaj saj dhe fëmijëve të tyre, gjë që rezultoi në kërkesën e saj për divorc.

Në dosjet e reja ligjore, avokatët që përfaqësojnë aktoren detajuan një seri incidentesh të dyshuara të dhunshme, të cilat ndodhën në një aeroplan, në shtator 2016.

Pretendimet vijnë në një ankesë të ndërthurur nga Jolie si pjesë e mosmarrëveshjes ligjore të vazhdueshme të çiftit të fuqishëm të Hollivudit mbi shitjen e vreshtit në pronësi të tyre, që gjendet në jug të Francës.

Pretendimet për incidentet e supozuara të vitit 2016 ishin përfshirë më parë në një raport të redaktuar të FBI-së që u bë në atë kohë.

Dokumentet e depozituara në Los Anxheles pretendojnë se Pitt sulmoi verbalisht Jolie dhe në një moment sulmoi një nga fëmijët e tij.

“Më 14 shtator 2016, martesa e Jolie mori fund. Atë ditë, Jolie, Pitt dhe fëmijët e tyre po fluturonin për në Los Anxheles nga Chateau Miraval”, thuhet në dokumentet e depozituara.

”Gjatë gjithë fluturimit të gjatë, gjatë natës, Pitt ishte fizikisht dhe emocionalisht abuzues ndaj Jolie dhe fëmijëve të tyre, të cilët atëherë ishin mes moshës 8 dhe 15 vjeç. Pas atij fluturimi, për mirëqenien e familjes së saj, Jolie vendosi të bëjë kërkesë për divorc”, shtohet në to.

Dokumenti vazhdoi duke pretenduar se ”sjellja agresive e Pitt kishte filluar përpara se të hipte në aeroplan, duke u konfrontuar me fëmijët dhe Jolie, përpara se të vazhdonte të hipte në bord”.

”Kur njëri nga fëmijët e mbrojti verbalisht të ëmën, Pitt iu hodh fëmijës së tij dhe Jolie e kapi nga pas për ta ndaluar. Fëmijët nxituan dhe të gjithë u përpoqën të mbronin njëri-tjetrin. Disa nga fëmijët iu lutën Pittit të ndalonte. Ata ishin të gjithë të frikësuar. Shumë prej tyre po qanin”, theksojnë dokumentet.

Dokumentet vazhdojnë me pretendimet se Pitt kishte vazhduar në mënyrë agresive duke sharë familjen dhe në një moment duke derdhur birrë dhe verë të kuqe mbi fëmijët.

Pas uljes, Pitt dyshohet se ndaloi gjithashtu familjen të zbriste nga avioni dhe dhunoi përsëri fizikisht një nga fëmijët e tij.

Pas incidentit, Jolie bëri kërkesë për divorc, pesë ditë më vonë, më 19 shtator 2016, çka u shoqërua edhe me një hetim të FBI-së.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb