Anglia është gati të organizojë Kampionatin Botëror të vitit 2022, nëse Katarit i hiqet e drejta për të pritur fazën finale të këtij aktiviteti. Lajmi u bë i ditur nga sekretari britanik i kulturës, Xhon Uajtindejl, i cili konfirmoi se nëse vërtetohen të gjitha akuzat për zyrtarët e lartë të FIFA-s për ryshfet dhe korrupsion, atëherë “atdheu i futbollit” është gati për të pritur për herë të dytë në histori finalet e Kupës së Botës. Uajtindejl deklaroi se vendi i tij i ka të gjitha kushtet e nevojshme për të mirëpritur një event të tillë, duke shtuar madje se Anglia i përmbushte në mënyrën më të mirë edhe kërkesat për kampionatin e vitit 2018, sidoqoftë 55-vjeçari i cili u emërua nga David Kameron vetëm një muaj më parë si Sekretar i Shtetit për Kulturën, Mediat dhe Sportin shpjegoi se kjo gjë do të bëhet e mundur vetëm nëse FIFA vendos për një zgjidhje të tillë. Në fakt, Uajtindejl e bëri një deklaratë të tillë vetëm kur u ngacmua nga njëri prej gazetarëve në konferencën për shtyp, në lidhje me akuzat për korrupsion që qarkullojnë prej kohësh për zyrtarët e lartë të FIFA-s. Sekretari britanik mbështeti gjithashtu edhe shpjegimin e shefit të FA, Greg Djuk, i cili mendon se me organizimin e Kupës së ardhshme të Botës në Rusi në vitin 2018 do të jetë pothuajse e pamundur që një tjetër vend nga Kontinenti i Vjetër të presë kampionatin pasardhës.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: