Partizani me shumë mundësi pritet që ta devijojë trajektoren e trajnerëve në sezonin e ri, ku për momentit të gjitha skuadrat e Superiores dhe Kategorisë së Parë drejtohen nga specialistë vendas.

Pas eliminimit nga Liga e Konferencës, në kampin e kuq shikohet si çështje orës zëvendësimi i trajnerit Dritan Mehmeti, i cili i dha një shtysë të madhe skuadrës pas largimit të Ilir Dajës, ku arriti të shpëtojë sezonin me sigurimin e biletës europiane.

Por duket se rrugëtimit të Mehmetit te “demat” po i vjen fundi dhe shumë shpejt klubi pritet të zyrtarizojë “timonierin” e ri.

Edhe pse Partizani ka eksperimentuar dhe provuar shumë me trajnerët e huaj, kryesisht italianë, sërish nuk heq dorë.

“Panorama Sport” ka mësuar se Partizani ka hapur ankandin për gjetjen e trajnerit të ri të skuadrës dhe në skenë kanë dalë disa emra të njohur.

Trajneri i njohur që ka drejtuar disa klube të ndryshëm në Itali, Serse Kozmi, është një nga alternativat.

64-vjeçari ka miqësi me presidentin Gaz Demi, madje ata janë parë në shoqërinë e njëri-tjetrit para finales së Ligës së Konferencës që u zhvillua në Tiranë, mes Romës dhe Fejnordit.

Diego Longo
Diego Longo

Ish-trajneri i Kukësit, Diego Logo, mbetet nga italianët e preferuar të drejtorit të përgjithshëm, Olsi Rama.

46-vjeçari që u largua së fundmi nga verilindorët është lakuar edhe më herët si alternativë për “demat”.

Italiani tjetër që lakohet te të kuqtë është ish-trajneri i Apolonisë, Xhovani Kolela, i cili asokohe në Fier u çua nga Elton Marini, aktualisht drejtor sportiv te Partizani.

Përpos këtyre tri piketave nga Italia, mësohet se drejtuesit kanë nisur bisedimet edhe në Kroaci por gjithçka mbetet në kuadrin e parashtrimit të kërkesë-ofertave.

Ndonëse kupola drejtuese anon më shumë nga tregu i huaj, kryesisht përtej Adriatikut, tifozët dhe ish-lojtarët e kuq gjithnjë kanë qenë për një trajner të familjes, duke nisur nga Shpëtim Duro, Skënder Gega, Orges Shehi apo ndonjë tjetër.

Partizani pritet që me kompletimin e shtëpisë së re, të nisë edhe një projekt madhështor me akademinë, ndaj trajneri i ri mund të shihet edhe si një plan kompleks i drejtuesve.

Strategjia mbetet ende e pazbuluar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb