TIRANË

Në zgjedhjet e 25 Prillit koalicioni i drejtuar nga PD do prezantohet me 222 kandidatë për deputetë. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka mbëhstetur kërkesën e PD-së e cila kundërshtonte vendimin e komisionerit shtetëror të zgjedhjeve që reduktoi listën e kandidatëve për deputetë nga 222 të propozuar, në 153.

Para se të shpallej vendimi, përfaqësuesi i PD-së Ivi Kaso tha se ligji zgjedhor nuk përcakton në asnjë nen e gërmë të tij se kandidatët duhet të jenë 153, por vetëm për vendosjen e një dyshemeje për listën.

Por përfaqësuesi i PS-së në KQZ Eridian Salianji ka vlerësuar se lista e PD-së me 222 kandidatë, cënon barazinë në garë.

Gjatë shqyrtimit të çështjes Kaso ka pranuar konstatimet e anëtarit të KAS Ilir Rusmali se një listë e gjatë kandidatësh për deputetë parimisht do ta vështirësonte procesin zgjedhor.

Pas këtij vendimi, KQZ mund të vijojë punën për vendimmarrjen sa i takon fletës së votimit që do të përdoret në zgjedhet e 25 Prillit.

Njoftimi i plotë:

Komisioni Ankimimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi Kerkesen Ankimore nr. 05, të depozituar nga subjekti zgjedhor PD-Aleanca për Ndryshim, me objekt “Kundërshtimin e vendimit nr. 156, datë 17.03.2021 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për shqyrtimin e kërkesës për regjistrimin e listave shumemërore të koalicionit PD-Aleanca Për Ndryshim, për zgjedhjet për Kuvend të datës 25 prill 2021”.

Në përfundim të shqyrtimit, KAS vendosi pranimin e kërkesës së koalicionit PD-Aleanca për Ndryshim dhe ndryshimin e vendimit nr. 156, datë 17.03.2021 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për shqyrtimin e kërkesës për regjistrimin e listave shumemërore të koalicionit PD-Aleanca Për Ndryshim, për zgjedhjet për Kuvend të datës 25 prill 2021”.

Komisioni Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi regjistrimin e listave shumemërore të koalicionit PD-Aleanca për Ndryshim, sipas listës së depozituar në datën 16 mars 2021 pranë KQZ-së.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb