NGA Mariglen MERTIRI

TIRANE- Për të marrë një notë të mirë apo për të kaluar në një lëndë pa e frekuentuar atë, ka një zgjidhje, ai është korrupsioni. Studentët e Universitetit të Tiranës, në masë, deklarojnë se ndërhyrja për të arritur qëllimin e tyre kryhet nëpërmjet të tretëve, që mund të jenë të afërm apo familjarë, ose direkt nëpërmjet dhënies së ryshfetit.

Këto të dhëna janë bërë publike nga një studim nga Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane, të cilët morën në studim Universitetin e Tiranës duke kryer 990 intervista.

43% e të anketuarve deklarojnë së në fakultetet e tyre ekziston korrupsioni, dhe pedagogët në këtë universitet shihen si shumë të korruptuar. Vlerësimi i përftuar nga publiku është 3 pikë më i lartë se Indeksi Kombëtar i Korrupsionit, çka do të thotë se këto rezultate janë një kambanë alarmi për sistemin e lartë arsimor në Shqipëri.

Pjesa dërrmuese e studentëve të Universitetit të Tiranës mendojnë se “kemi të bëjmë me një rast aspak të përshtatshëm dhe aspak të justifikuar kur pedagogu pranon dhuratë apo ryshfet nga studenti”.

Edhe pse fenomeni i korrupsionit ndodh nëpërmjet pedagogëve dhe studentëve, më shumë se gjysma e studentëve të këtij universiteti e shohin korrupsionin si një problem të madh dhe pengues për rininë në Shqipëri dhe familjet e tyre.

Megjithatë edhe studentët që besojnë se ky fenomen duhet denoncuar pohojnë se nuk kanë informacion nëse ka një zyrë përkatëse në fakultet. Arsimi i lartë bazuar në këtë studim renditet për nga perceptimi mbi korrupsionin pas gjyqësorit, qeverisë dhe shëndetësisë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb