“Anonymous” ka paralajmëruar se njerëzit duhet të fillojnë të përgatiten për një luftë të tretë botërore, teksa tensionet mes SHBA dhe Koresë së Veriut rrezikojnë të arrijnë pikën e vlimit.

Kolektivi i fshehtë i internetit tha se antagonizmi mes Koresë së Veriut, SHBA-së dhe Koresë së Jugut është duke përgatitur një betejë totale mes fuqive. “Anonymous” paralajmëroi se “të gjitha shenjat” e një lufte të ardhshme janë të pranishme dhe u tha shikuesve “të përgatiten për atë që vjen më pas”.

“Të gjitha shenjat e një lufte në Gadishullin Korean kanë dalë në sipërfaqeve”, tha grupi “teksa secili vend po vendos pjesët e tij strategjike atje”, shkruan telegraph.uk në një artikull dy ditë më parë.

Grupi, i cili ka shpallur kundërshtimin e tij ndaj Donald Trump dhe grupeve terroriste, tha se lufta do të jetë ndryshe nga betejat e vazhdueshme në Lindjen e Mesme, duke përfshirë Sirinë dhe Jemenin, teksa “vende të tjera do të jenë të detyruar që të zgjedhin një anë”. Ai gjithashtu tha se do të ishte më “brutale” se luftërat e kaluara botërore.

Kolektivi i hackerave nuk bëri thirrje për ndonjë veprim, por ai ka ndjekës të përkushtuar në internet dhe pretendon se do të përhapë fakte që qeveritë refuzojnë t’ia tregojnë publikut.

“Ndryshe nga luftërat e fundit botërore, edhe pse nuk do të ketë trupa në terren, beteja ka të ngjarë të jetë e ashpër, brutale dhe e shpejtë. Ajo do të jetë gjithashtu shkatërruese globalisht, në kuptimin mjedisor dhe ekonomik”.

Paralajmërimi i zymtë vjen pas disa javësh përshkallëzim të tensioneve mes SHBA dhe Koresë së Veriut, pas inaugurimit të Donald Trump. Fokusi ndërkombëtar mbi marrëdhënien e tensionuar të këtyre vendeve është dyfishuar, që kur Kim Jong-un kërcënoi me “luftë të afërt” ndaj SHBA.

Trump është përgjigjur duke thënë se është i gatshëm të përdorë forcën ushtarake, për të ndaluar Korenë e Veriut, që të testojë armë bërthamore.

Koreja e Veriut këtë javë akuzoi SHBA dhe Korenë e Jugut, për një atentat të pasuksesshëm kundër liderit të saj, mes njoftimeve se mund të jetë duke u përgatitur për teste të mëtejshme bërthamore.

Anonymous e ka akuzuar fort Trumpin në të kaluarën, duke shpallur “luftë totale” kundër tij përpara se të zgjidhej, dhe më pas duke kërcënuar javën e inaugurimit, se ai do të “pendohet për katër vitet e ardhshme”.

Anonymous ka bërë kërcënime të ngjashme edhe ndaj grupeve si ISIS dhe Ku Klux Klan. /The Telegraph – Bota.al/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: