Jam buzë Oqeanit Atlantik, është Qendra Botin pas meje. E dini çfarë ka qenë më parë këtu? Ka qenë një hapësirë me garazhe peshku, një asgjë, hiç. Deri sa u krijua Qendra Botin, nga Banka Santander, me ndihmën e njërit prej zërave më të rëndësishëm të dizajnit botëror, Renzo Piano. Ai që ka bërë Pompidou ai bëri edhe Qendrën Botin. Dhe ka bërë një mrekulli, duke e futur në hartë Santanderin, në hartën e artit bashkëkohor ndërkombëtar.

Ekspozita personale që ka sjellë Anri Salën në Qendrën Botin, e ka kthyer në një pikë takimi për galeristët më në zë në botë. Kështu mund të kthehet një qytet, në qytetërim, nëpërmjet artit. Këtë bën arti, të fut në hartë. Anri Sala është i tillë. Është artisti që na futi në hartë, në hartën e artit ndërkombëtar bashkëkohor. Si djali nga Tirana që shkëlqen kudo ekspozon. Si zëri më i rëndësishëm i momentit, ai vjen në një rrëfim të rrallë për emisionin “Shqiptarët e Mrekullueshëm”, në News24.

4db652e5 2ef6 4e62 A83b 05c03db3d8f1
4db652e5 2ef6 4e62 A83b 05c03db3d8f1

Intervistoi Rudina Xhunga

Rudina Xhunga: Ku jemi tani, te ky tuneli i pazakontë i Qendrës Botin?

Anri Sala: Ky është një tunel në hapësirë, por edhe në kohë, në kuptimin që, në kohë që ne e përshkojmë, tuneli vetëpërshkohet edhe nga këta filma, video që vijnë gjithmonë në çift. Është çifti, ku dy filma kompletojnë njëri-tjetrin. Aktualisht filmi që po shohim quhet “Take Over”, ku është një raport midis Marsejezës dhe Internacionales, por gjithashtu midis një pianisti edhe një pianoje mekanike që luan vetë. Pra është ky tensioni midis dy këngëve që në gjenezë të tyre janë këngë revolucionare, por që interpretohen në mënyra të ndryshme, sipas pozicioneve politike të dëgjuesve. Një francez kur dëgjon Marsejezën, nuk krijon ato ndjesi si një njeri që jeton në Algjeri, Marok, apo vendet që kanë qenë koloni franceze, për ta nuk është më kënga e revolucionit, por mund të jetë himni i atyre që i kanë kolonizuar. Ka një pjesë të historisë së përbashkët, sepse pasi u shkruan fjalët e Internacionales, për 17 vjet nuk kishte muzikë për të, kështu që u luajt me muzikën e Marsejezës. Dhe në momentin kur u vendos se ishte shumë e rëndësishme që të kishte muzikën e vet, sepse filloi të përhapej gjithmonë edhe më shumë, në lëvizjet punëtore, në botë, u pajtua me pagesë një kompozitor që kompozoi muzikën që njohim ne sot të Internacionales. Vetvetiu kanë një kërthizë të përbashkët, por edhe shumë tensione që i ndajnë nga ana tjetër. Është edhe ky momenti që po shohim tani, ku duket raporti, ku në një film pianisti luan Marsejezën, ndërkohë që piano luan Internacionalen. Kurse në anën tjetër është e kundërta.

Rudina Xhunga: Sa kohë t’u deshën për të sjellë këtë ekspozitë?

Anri Sala: Përgatitjet kanë qenë shumë të gjata. Ishte në një formë paksa ndryshe. Pjesën qendrore të ekspozitës, pra puna që quhet “As you go”, që përmbledh tri punë që kanë ekzistuar më përpara: “Ravel, Ravel”, “Take Over”, “If and only if”, e kam shfaqur në Castello di Rivoli, në Itali. Por për këtë hapësirë, ekspozitë e rikompozova raportin koreografik midis filmave.

8ded9e06 703b 4dfd Bd29 4f582b136b97
8ded9e06 703b 4dfd Bd29 4f582b136b97

Ne Torino ishte shumë më i shkurtër. Këtu ti dëgjon një zë që vjen nga afër, në lidhje me një kadencë që vjen nga afër, ndërkohë që i sheh filmat duke iku apo ardhur, që nga larg. Kurse në Torino ti e dëgjoje një film para se ta shihje sepse, duke qenë në dhoma të ndryshme ti nuk e shihje akoma dot një film që vinte nga një dhomë tjetër.

Rudina Xhunga: Edhe kjo më ngacmoi Anri, pjesa e dytë e titullit, “As you go”, (Châteaux en Espagne).

Anri Sala: Natyrisht ka pak humor, por ka edhe një të vërtetë brenda. Châteaux en Espagne është një shprehje franceze që në shqip do të thotë “Kështjella në rërë”. Ndërsa në anglisht, në italisht do të thotë të ndërtosh kështjella në ajër. Ne i ndërtojmë në rërë, ndërsa francezët i ndërtojnë në Spanjë. Është një shprehje shumë e vjetër, ka atë idenë e një projekti që është utopik, por mbase i parealizueshëm. E ëma i thoshte shpesh Charles Baudelaire, që nuk ishte shumë i zoti për shumë gjëra të tjera, por ishte mjeshtër i kështjellave në rërë. Luan pak edhe me idenë e vendit ku jemi. Është një ndërtesë e Renzo Pianos, Centro Botin, që është një hapësirë publike, por që është qendra kulturore, apo muzeu i bankës Santander, që konceptualisht bankat janë pak kështjella rëre. Pra është pak një lojë midis kuptimeve të ndryshme.

Fd696268 0275 4373 9ddf A49a2f938fe7
Fd696268 0275 4373 9ddf A49a2f938fe7
E6efda8e 3bb9 4e5e Bf83 9a4f656e1369
E6efda8e 3bb9 4e5e Bf83 9a4f656e1369

Rudina Xhunga: Si është axhenda jote? Unë para një viti u lajmërova që të jem në ekspozitën tënde. Po shikoja El Pais apo gjithë gazetat kryesore spanjolle shkruanin për zërin më të rëndësishëm të artit ndërkombëtar të momentit.

Anri Sala: Një ndër zërat. Vitet e fundit kam pasur shumë ekspozita në muze, diku 3 apo 5 në vit, që është shumë për ta përgatitur. Në rastin e kësaj ekspozite ka pasur më shumë punë, sepse bëra një punë të re. Kjo pjesa e koreografisë mori shumë përgatitje në studio. Ishte përvoje e re, sepse në fakt ishte shumë e vështirë të montoje lëvizjen e filmave në hapësirë, nuk është si të montosh një film tjetër, kërkon një lloj tjetër imagjinate. Aq më shumë që një film do të ikë, do të kalojë përtej murit, do të kalojë nga ana tjetër. Është e pamundur, aq më shumë në kushtet e një studioje, e cila sado e madhe të jetë, nuk mund të jetë aq sa hapësira reale. Kështu që unë krijova një sistem, quhet maping, përdoret një sistem serveri database që ti lëviz filmin mbi mur. Dhe gjithë ekspozitën e bëra në një realitet virtual, hapësirë virtuale. Pra mund ta shihja ekspozitën para se të vija këtu dhe mund ta përmirësoja montazhin sa herë që avancoja në punë. Gerard Kose është një violinist me famë botërore, një nga të paktët për të cilët janë kompozuar pjesë dhe ka një nga violat më të vjetra në botë, diku 1560-vjeçare, nëse nuk gaboj. Unë desha që ai të performonte elegjinë e Stravinskit për Viola, që është një muzikë solo, pa shoqërim, por i shoqëruar nga udhëtimi i kërmillit. Gjatë kësaj kohe kërmilli fillon një udhëtim nga fillimi e deri në fund të harkut të violës. Mënyra sesi e konstruktuam muzikën, apo sesi ai do të ballafaqonte këtë situatë, sesi do të inkurajonte kërmillin në momente lodhjeje, është që gjithsesi kërmilli të këtë arritur në fund të harkut. Pra ka disa përkime të përbashkëta, është udhëtimi i kërmillit, kohëzgjatja e muzikës dhe filmit janë të njëjta. Kërmilli është shumë i ndjeshëm ndaj dritës dhe ne nëpërmjet saj e shtymë në drejtimin që deshëm, drejt errësirës. Kështu që, në momente kur ka shumë pak ndriçim, bëhet shumë e vështirë për të filmuar, sepse duhet të jesh shumë me sensibël me fokusin, ndjekjen e tij.

Cfbd4459 496a 4b10 8a9a 03f216e29c2f
Cfbd4459 496a 4b10 8a9a 03f216e29c2f

Rudina Xhunga: El Pais shkruante për ty: “Ai e tregon veten në një mënyrë tjetër, pa politikë.”

Anri Sala: Ishte pjesë e pyetjeve, ishte interesante si nga El Pais ashtu edhe nga El Mundo. E kuptoj si pyetje, por nuk jam dakord. Sepse në botën ku jetojmë kam përshtypjen se njerëzit, gjithnjë edhe më shumë e shohin politikën te përmbajtja. Unë nuk e shoh te përmbajtja, por te struktura, te sintaksa. Për herë të parë kuptova rëndësinë e sintaksës, sepse në atë kohë, t’i thoshe gjërat siç duheshin thënë ishte shumë e kontrolluar përmbajtja sesi do të shprehej brenda normave politikë, pa marrë asnjë risk, pa dalë nga ajo autostrada e kuptimit. Por nga ana tjetër kur dëgjon fjalimet e asaj kohe sot, duken sikur ka diçka që nuk shkon në strukturën e gjuhës, sepse ishte shumë e tkurrur brenda një sistemi që e përdorte politikisht. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për rastin e anglishtes, nëse marrim rastin e aksentëve, që gjithmonë tregojnë jo vetëm prejardhjen, por edhe ku je në piramidën shoqërore, sidomos në disa vende më shumë sesa të tjera. Pra aksenti është pjesë e sintaksës, jo e përmbajtjes të komunikimit. Raportet e forcës, ndonjëherë janë të futura më shumë në formë, sesa në përmbajtje. Kështu që në këtë kuptim unë jam interesuar, mua nuk më duket se puna është bërë më pak politike, aq më shumë kur japim rastin e filmit “Take Over”, midis Marsejezës dhe Internacionales. Apo Ravel, Ravel ku është raporti midis dy pianistëve që luajnë të njëjtin koncert, të kompozuar nga Ravel, vetëm për dorën e majtë, pasi kjo ishte kërkuar nga një pianist që humbi dorën e djathtë gjatë Luftës së Parë Botërore. Në atë kohë pati shumë kompozime për dorën e majtë që janë bërë gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, që tregojnë edhe për shumë njerëz që humbën kryesisht dorën e djathtë gjatë luftës në llogore. Ka një lidhje direkte midis ekzistencës së repertorit për dorën e majtë dhe historisë së konflikteve botërore. Nuk është se i jam larguar politikës, por politika ka shkuar nga paraskenë, në prapaskenë. Por në fund të fundit në prapaskenë krijohen gjithë ato gjëra që bëhen të dukshme para perdes. Pra politika ka shkuar nga pozicioni para perdes, në atë pas perdes.

A4370f9a Ffa5 4e58 Afed D3d2ce472749 1
A4370f9a Ffa5 4e58 Afed D3d2ce472749 1

Rudina Xhunga: Nënën tënde e telefonova për ta intervistuar, por nuk pranoi sigurisht. Më tha: “Jo unë nuk jap intervista, nuk kam dhënë asnjëherë.” Pastaj u kujtova që ajo e ka dhënë Intervistën e saj, në punën tënde kryesore. Intervista.

B7f0538d 3ca0 47da B9f3 67826636e78b
B7f0538d 3ca0 47da B9f3 67826636e78b
795c862b 7ba5 43d5 9bfa 3427a26a7615
795c862b 7ba5 43d5 9bfa 3427a26a7615

Anri Sala: Po është e vërtetë. Për mua ka qenë një film që është si kërthiza nga ku kanë buruar pastaj shumë punë të tjera dhe vazhdojnë të burojnë.

Rudina Xhunga: Ishe student atëherë?

Anri Sala: Po isha viti i dytë, isha në Paris.

Ab12878e 8789 4b81 Ba08 B34cff0d654f
Ab12878e 8789 4b81 Ba08 B34cff0d654f

Rudina Xhunga: Kjo është “No window, no cry”. Ka qenë e ekspozuar për herë të parë në Qendrën Pompidou. Por duket në Qendrën Botin, është në vendin e vet. Janë të gjitha dritare që shohin në oqean. Dhe pa dritare nuk ka lot.

Me Anri Salën, në Qendrën Botin, në Santander, në Spanjë, në një ngjarje të mrekullueshme për artin ndërkombëtar dhe shumë krenari për shqiptarët.

Cc07b95c Aa04 4109 Bcee Cfead46513a5
Cc07b95c Aa04 4109 Bcee Cfead46513a5

Anri Sala: Është interesante për mua, sepse ngaqë është dritare, ka lidhje shumë me transparencën. Ti nuk mban mend xhamin, por pamjen. Në Pompidou, pamja ishte shatërvani i Niki de Saint Phalle, ishte përtokë, në nivelin e rrugës, me njerëzit që kalonin. Ajo që është interesante këtu dhe që më pëlqeu është pozicioni ku ndodhet instrumenti dhe manivela që luan, është fiks niveli i horizontit. Përkon mirë me lartësinë, me katin.

Rudina Xhunga: Kjo është “Jo dritare, jo lot”?

Anri Sala: Po. Është pak në stilin e Bobe Marley, “No women, no cry”, “No window, no cry”.

Ne e nisëm me “As you go”, e cila është pjesa qendrore, dhe anash janë dy kllapat. Është një lloj ruloni që përdorej para 150 vjetësh për të printuar letrat e murit. Dhe unë gjeta dy të tilla që i kam bërë bashkë, me idenë për të krijuar muzikën e këtij takimi, midis dy motiveve, por që janë edhe dy shije të ndryshme, që të lënë të imagjinosh dy interiore të ndryshme, dikur mes dy njerëzve të ndryshëm, që i përzgjodhën ato. Pra është një imazh, që kalon nga një motiv pamor, në një akustik, të zërit. Të dyja këto kllapat kanë atë ndjesinë e rrotullimit, por që luajnë vetë ashtu si boksi i muzikës nga ana tjetër. Por mundon trupi, mungon prania personit që luan. E ndërkohë, gjithë pjesa tjetër e ekspozitës As You Go, është kundërta. Është e mbushur me duar, me praninë e qenies, që luan instrumentet muzikore.

7c9aa68c A391 4fc4 A9c5 77acac87f318
7c9aa68c A391 4fc4 A9c5 77acac87f318
E08ed52e 8439 461f 879c 22e7efbdfc89
E08ed52e 8439 461f 879c 22e7efbdfc89

Rudina Xhunga: Shqipen e ke merak, do patjetër që ta thuash ç’mendon, në shqipen e duhur?

Anri Sala: Për mua është e rëndësishme. Nuk mungojnë fjalët. Kam përshtypjen që shumë shpesh, sa herë që flas për artin bashkëkohor, gjithmonë e kam kthyer një a dy herë kur kam qenë në Akademi, apo kur kam bërë prezantim publik, për mua është me rëndësi të gjej fjalët në shqip. Në fakt nuk mungojnë fjalët, por historia e përdorimit të tyre, për kontekste që janë të reja për ne, në Shqipëri, siç është arti bashkëkohor, ku për të shpjeguar një ide, që ka lidhje me këtë, duhet të thuash shumë fjalë bashkë që të krijosh . Dhe jam i bindur që për 20-30 vjet do të flitet më shumë për këto gjëra dhe një fjalë e vetme do të mund të mbajë peshën e të gjithë fjalisë që përdorim. Ndodh edhe në frëngjisht, apo anglisht. Unë natyrisht shprehem më kollaj në shqip sesa në gjuhët e tjera, por kur vjen puna për të folur në intervistë për artin bashkëkohor flas në anglisht apo frëngjisht. Është ndoshta më lehtë, jo se e kam unë vështirë të gjej fjalët në shqip, sepse janë togfjalësha, apo fjali, nocione në anglisht apo frëngjisht që kanë një histori më të vjetër pas tyre.

Mjafton që pak t’i çukitësh ato nocione dhe personi tjetër, dëgjuesi e kupton për çfarë po flet. Është normale që nuk është mungesa e shqipes, por e realitetit përreth këtyre fjalëve që kanë lidhje me kulturën bashkëkohore, e që janë rrugës.

8a00db33 Dd0e 46a3 A873 63d71d90610b
8a00db33 Dd0e 46a3 A873 63d71d90610b

Rudina Xhunga: Kjo godinë është një mrekulli dhe unë po mendoja, sikur gjithë ky qytet rrotullohet rreth kësaj qendre. Kjo ndërtesë ishte jeta e qytetit.

Anri Sala: Po. Mesa kam parë edhe gjatë këtyre ditëve kur kam qenë duke instaluar, është interesante se nuk ka pasur ekspozita hapur, por vetëm koleksioni te kati më poshtë, dhe vijnë shumë njerëz. Pjesën poshtë e frekuentojnë shumë, është një lloj vendi që i tërheq njerëzit.

0fe167db 6308 43ab 8fdb 70970ad059a6
0fe167db 6308 43ab 8fdb 70970ad059a6

Rudina Xhunga: Arti mund t’ia dalë. Për shembull përmende Renë, kur ishim te tuneli i filmave. Reja ka krijuar identitet aty, ti nuk thua më: “Do të shkoj te Galeria.”, por “Takohemi te Reja!”. Arrin arti të të sjellë në mënyrën e vet, të pandjerë.

Anri Sala: Janë disa vende arti, arkitektura që janë instrumentale, që kur i vendos në vendin e duhur, krijojnë një lloj akustike, nuk bëhet fjalë vetëm për atë të zërit. Pra krijon një lloj akustike në qytet, në raportin midis njerëzve, kthehet në një lloj koordinate për njerëzit. Është e vërtetë. Reja e pati shumë shpejt këtë mundësi, në Tiranë. Mesa thuhet është një nga këto rastet më flagrante, sesi arkitektura kthehet në një nga instrumentet për të ndryshuar imazhin e qytetit, pra kthehet në një destinacion për ta bërë më të dukshëm përtej banorëve të vet.

Rudina Xhunga: Këtë po mendoja rrugës ndërsa po vija, nga Bilbao në Santander. Një panoramë që nuk e ke të panjohur, e ke parë. Por këto vende janë në hartë, siç ne nuk jemi dot. Ajo që besoj unë në të vërtetë është sesi, qendra të tilla mund t’i ndryshojnë jetën qyteteve.

Anri Sala: Po natyrisht.

Rudina Xhunga: S’di si mund të ndryshohet jeta e atyre që janë brenda në Tiranë, apo në qytetet tonat qe duken të humbura. Çfarë kanë më shumë këta këtu, sesa ne? Është pyetja që i bej vetes?

Anri Sala: Unë kam përshtypjen që këtu e kanë kaluar atë momentin e tranzicionit. Edhe Spanja ka pasur momente që ka kaluar tranzicion, e ka kaluar nga një tjetër lloj diktature, ajo e djathtë, në sistemin demokratik. Por natyrisht është edhe një kulturë tjetër politike e trashëguar që më përpara. Kultura është gjithmonë një nga mënyrat më efikase, në kuptimin total, jo atë ekonomik, janë të lidhura bashkë. Fakti që e nxjerrin një qytet në hartë, e bën qytetin pjesë të udhëtimeve të njerëzve. Këtu në Sandander, për shembull, kanë një lloj konkurrence shumë të madhe me Bilbaon, sepse janë shumë afër. Natyrisht që Bilbao është më i njohur. Por nga ana e programit, që është vërtet bashkëkohor, më shumë bashkëkohor sesa muzeu i Bilbaos, e bën me një lloj networku programesh, që janë edhe në kohën e tyre, por edhe në pararojë me të tashmen.

Rudina Xhunga: Në marrëdhënie me Shqipërinë, je përsëri afër, apo ke më pak kohë tani?

Anri Sala: Jo njëlloj ka qenë, të paktën këto 10 vjetët e fundit. Nuk vij për shumë gjatë, por vij shpesh. Më shumë i kam dhënë avantazh të ardhurit më shpesh, sesa të qëndruarit gjatë. Para një viti isha te Festivali i Resë. Ndihmova me idenë e Resë sesi të vinte kjo strukturë, nga Londra, në Tiranë të qëndronte për ca kohë. Jo nuk më duket fare që jam i shkëputur.

Rudina Xhunga: Si është tani, Tirana e “Dammi i colori”, si është tani, çfarë emri ka tani?

Anri Sala: Ka kaluar në një fazë tjetër, nuk është me te faza e ngjyrave si diçka për sytë. Natyrisht është bërë një qytet më kompleks, me shërbime më komplekse, me probleme që vazhdojnë të jenë komplekse. Por nuk është më ai momenti i aksioneve të forta, radikale. Tani është një qytet ku aksioni është më i shpërndarë, në nivele të ndryshme. Është pjesë e një qyteti që po gjen atë kompleksitetin që i takon.

Rudina Xhunga: Besoj në çdo medie që tregohet për ty, të lidhin me Edi Ramën, profesori, pedagogu, që tani është kryeministri.

Anri Sala: Po është pjesë e fakteve, e shoqërisë, pjesë e të qenit një person që ka qenë i rëndësishëm për mua që herët. Kur ishte pedagog në Akademinë e Arteve, por edhe më përpara, sepse nuk kam qenë direkt student i Edi Ramës, por i Edi Hilës, në Akademi. Por që ka qenë një person shumë i rëndësishëm, sikurse ka qenë edhe një pedagog i rëndësishëm, në atë momentin e hapjes së syve, në ato vitet që të gjithë po nuhasnin se diçka po ndryshonte. Nga ana e diskutimeve, e horizontit, e të qenit prezent, nga mënyra sesi arrinte të fliste për artin, ato pjesët e ndaluara, por në një mënyrë që prapë e bënte të mundur, dhe natyrisht zgjeronte horizontin e studentëve. Dhe këto jo në lidhje vetëm me mua, por edhe me studentë të tjerë.

4315125d 527c 4713 A302 1ed842ad46ab
4315125d 527c 4713 A302 1ed842ad46ab

Rudina Xhunga: Në kohën që ty t’u hapën sytë, ti ju dhe krijimit. Ajo që ndodh në Shqipëri, është se ata që u hapen sytë, duan të ikin.

Anri Sala: Në fund të viteve ’90, nuk ishte krijuar akoma tisi i cinizmit, lodhjes, që gjërat nuk arrihen ndershmërisht, e të tjera, ca të vërteta, e ca të pavërteta. Shpesh janë edhe justifikime për të mos i shkuar deri në fund luftës personale, në lidhje me jetën. Kam përshtypjen se ka pasur shumë energji në fillim fare, por nuk ka pasur mundësi siç janë sot për t’u shprehur artistikisht. Unë mbaj mend videoja e parë që bëra kur isha student, m’u desh të aplikoja te fondacioni Soros, për të pasur një kamera, në përdorim, një ditë. Kështu e kam bërë videon e parë në akademi. Duke ditur që e kisha kamerën vetëm për një ditë dhe do ta xhiroje filmin duke e montuar, sepse nuk i kishim mundësitë e montazhit. Do të thosha që ka shumë mundësi tani, në Tiranë, sesa ka pasur atëherë. Mbase atëherë ishte dëshira për ta bërë një gjë, e cila ishte e ndaluar për një kohë të gjatë, ishte një lloj lirie shprehjeje. Me kalimin e kohës, me tranzicionin, me lodhjen, një pjesë e humbi besimin se edhe kështjellat në ajër, mund të bëhen realitet. Dy-tri vjetët e fundit në Tiranë shoh që ka një skenë gjithmonë e më të artikuluar, artistë që mbështesin njërit-tjetrin.

Nga njëra anë unë nuk mund ta di më mirë se njerëzit që janë atje, po nga ana tjetër distanca është avantazh, të krijon një lloj qartësie që nuk e ke në të përditshme.

Rudina Xhunga: Na e trego pak me ngjyra qytetin tonë!

Anri Sala: Ka filluar të marrë ato tiparet e një skene, të një kurioziteti. Ka të rinj që mendojnë sesi të bëjnë një program ekspozitash brenda një viti, të rinj që lëvizin që shohin Bienalet. Në një farë mënyre kjo po ndihmon që njerëzit edhe kur janë konkurrentë me njëri-tjetrin, sepse çdo vend i vogël e ka pak më problematike konkurrencën, por ajo që shoh unë është konkurrencë që me kalimin e kohës po i tërheq njerëzit për më sipër, ndërkohë që më parë i mbante njerëzit nga poshtë. Këto ndryshime sipas ndjesisë sime po ndodhin këto tre-katër vitet e fundit.

F8105389 Daea 4acd A38e B1e6fc962182
F8105389 Daea 4acd A38e B1e6fc962182

Rudina Xhunga: Kjo është e vërtetë, që njerëzit duke e parë nga jashtë edhe nga larg e ndjejnë më shumë sesa e shikojnë. Ndërsa rutina e përditshme të merr me vete.

Anri Sala: Ndonëse në Shqipëri ka gjëra për të cilat mund të ankohemi, sepse jeta është shumë më e vështirë krahasuar me vendet e tjera, natyrisht varet edhe nga mundësitë e gjithsecilit, por ne e presim edhe të përditshmen më me ngjyra. E kemi pjesë të natyrës sonë, sikurse edhe në vendet afër nesh. Kur shkon në vendet pak më lart. Në Berlin, nuk ka ato pritshmëri njeriu, ka më shumë fokus. Ne për nga natyra jemi më up and doën, do të thoshte psikologu nëse do të shkonim të vizitoheshim të gjithë. Pritshmëritë shumë të mëdha, krijojnë zhgënjime të mëdha.

Rudina Xhunga: Shqipërisë i mungojnë edhe gjërat bazike, nuk i mungon vetëm eksitimi për të jetuar, por edhe mundësia për të jetuar.

Anri Sala: Nuk mendoj se i mungon eksitimi për të jetuar, por mbase ka një mungesë balance midis eksitimit dhe mundësisë.

Rudina Xhunga: Ti i ke gjetur balancat në jetën tënde?

Anri Sala: Kur je në një profesion krijues është më e vështirë për ta ndarë pjesën e punës, të krijimtarisë, të problemeve, të gëzimeve që të krijon nga të njëjtat gjëra, gëzime, probleme, strese në jetë. Nuk është e thënë që i kam zgjidhur këto. Është si t’i thuash dikujt që i ka zgjidhur njëherë e mirë të gjitha balancat midis shqetësimeve dhe gëzimeve. Ndërkohë që është pjesë e jetës edhe nëse nuk i ke zgjidhur akoma, sepse vihet gjithnjë në pikëpyetje një mënyrë sesi e ke zgjidhur diçka përkohësisht, është pjesë e motorëve të brendshëm që vënë në lëvizje ecjen përpara.

B5979bd5 8904 439f Bcad 31b17e19d1a6
B5979bd5 8904 439f Bcad 31b17e19d1a6

Rudina Xhunga: I ke zgjidhur apo jo, Anri Sala e rëndësishme është se ti je njëri prej atyre personazheve që bën krenarë shqiptarët në këtë moment, sepse nuk i përket të kaluarës. Je tani. Njeriu që sa herë që flitet në çdo gazetë të rëndësishme ndërkombëtare, në medie, apo kudo ku vetëm Anri Sala, djali i lindur në Tiranë që kreu Fakultetin e Arteve të bukura dhe pastaj vazhdoi studimet në Francë dhe jeton në Berlin. Të falënderoj gjithmonë që më jep kënaqësinë të të intervistoj.

Anri Sala: Shumë faleminderit! Në fakt gjithë kjo pjesa e problemeve që ne flasim, problemet të lindura brenda një konteksti, me problematika më të mëdha se te vendet e tjera, në rastin tim është kthyer në një mjet, në një vlerë të shtuar, dhe natyrisht në një lloj ndjeshmërie. Antena bën lidhjen midis realiteteve, eksperiencave shumë të ndryshme, që vijnë edhe për arsye historike, politike, sistemesh të ndryshme, që kthehet në një gjë që është më shumë, dhe jo më pak në punën time. Fakti nga jam dhe fakti që është gjithmonë e qartë, nuk është për gjithkënd dhe për mua në radhë të parë është pjesë jo vetëm e një krenarie, përkatësie, por edhe brumit që vazhdon të më gatuajë mua përditë. Vërtet nuk jam në Tiranë gjithë kohën, por mbase duke mos qenë atje, nuk kam atë lodhjen e përditshme dhe i ndjek gjërat me më shumë kureshtje. Ndërkohë që po të kisha qenë brenda kontekstit do të kishte qenë shumë e vështirë për të luftuar atë të përditshme që krijon një lloj kolapsi psikologjik, por që kam përshtypjen se po ndryshon. Gjithmonë e më shumë po tretet dhe po i jep mundësinë njerëzve të dalin nga ky lloj tisi që i ka mbajtur nën.

Rudina Xhunga: Ashtu qoftë, sepse jemi në dhjetor, në fund të një viti, po vjen tjetri. Unë këtë u uroj atyre që na ndjekin. Mbarofshin këto lloj problemesh që na mbajnë brenda, fillofshin të tjera probleme, ato që na nxjerrin në sipërfaqe.

Anri Sala: Qofshin, probleme interesante!

Rudina Xhunga: Paçim probleme interesante! Me këtë urim po e mbyll nga Qendra Botin, në Santander, në Spanjë, e një shqiptari të mrekullueshëm, Anri Sala.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb