Ansi Agolli, Ergys Kaçe dhe Armando Sadiku do të jenë lojtarët e Kombëtares shqiptare që do të luajnë në Ligën e Europës ndeshjet e tyre të para për këtë edicion futbollistik të fazës në grupe.

I pari që do të zbresë në fushën e lojës është Ergys Kaçe. Mesfushori shtatshkurtër është transferuar pak javë më parë te kampionët e çekisë, Viktoria Plzen, i huazuar nga PAOK-u, ndërsa pritet që të ketë minutat e tij në këtë takim. Kaçe shpreson që të zhvillojë ndeshje të mira me Plzenin, çka mund t’i hapë derën aktivizimit të klauzolës së blerjes përfundimtare të tij nga klubi çek. Viktoria Plzen pret Romën në shtëpi, një ndeshje delikate me një ekip të fortë, ndërsa Kaçe do të ketë skenën e duhur për të rënë në sy, teksa Plzen do të luajë shanset e saj për të kaluar në turin në grupin E, ku veç Romës, do të jenë dhe rumunët e Astra Giurgiut dhe Austria e Vjenës.

Agolli dhe Sadiku do të zbresin në grupin e dytë të ndeshjeve, ato që nisin në orën 21:05. Ansi është një veteran tashmë te Karabagu, ku luan me sukses prej disa sezonesh. Karabagu pret në shtëpinë e tij çekët e Sllovan Liberecit, ndërsa Agolli është një nga titullarët fiks dhe lojtarët me më shumë minuta te kampionët e Azerbajxhanit. Në grupin J, së bashku me Karabakun dhe Sllovanin, bëjnë pjesë dhe PAOK-u dhe Fiorentina.

Sadiku me Zyrihun e tij do të jenë të vetmit pjesëmarrës nga kategoria inferiore në Europa League. Zyrihu ra nga kategoria sezonin e shkuar, por fitoi Kupën e Zvicrës dhe siguroi pjesëmarrjen. Për Armandon, që këtë verë u kërkua nga shumë ekipe, por u “prangos” nga skuadra helvete, është një mundësi e artë që të tregojë vlerat e tij në një vitrinë me shumë peshë. Sulmuesi kuqezi është në formë të shkëlqyer dhe këtë e ka treguar dhe me Kombëtaren kuqezi. Zyrihu do të luajë në një transfertë të vështirë në fushën e Vilarealit, ndërsa kualifikimin do ta ndajë me turqit e Osmanlisporit dhe rumunët e Steuas së Bukureshtit.
(J.Selimi/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb