Milwaukee Bucks dhuroi një tjetër mbrëmje spektakolare në NBA, duke fituar 133-124 në fushën e Sacramento Kings. Vendasit bënë mirë gjysmën e parë të ndeshjes, duke u shkëputur me 9 pikë, por më pas Bucks jo vetëm përmbysën, por e mbyllën me 9 pikë para.

I papërmbajtshëm Giannis Antetekounmpo, që realizoi 46 pikë dhe 12 rebound, duke bërë të pavlefshme triple-double të Sabonis për Kings me 23 pikë, 17 rebound dhe 15 asist. Një fitore me vlera për Bucks që mbrojnë kreun në Konferencën e Lindjes, duke përfituar edhe nga humbja e Boston.

Po aq spektakolare ishte edhe ndeshja mes Dallas Mavericks dhe Memphis Grizzlies, me këtë të fundit që fitoi 104-88. Vendasit nuk kishin dyshen Doncic-Irving dhe kjo ndikoi shumë. Edhe në krahun tjetër mungoi Morant, por miqtë u mbështetën te loja kolektive. Fitorja e tretë radhazi për Grizzlies që mbrojnë vendin e dytë në Perëndim.

Po në këtë konferencë, kampionët në fuqi të Golden State fituan në shtëpi 123-112 ndaj rivalëve të Phoenix Suns. Thompson ishte më i miri në parket me 38 pikë, i ndihmuar edhe nga Curry me 23. Pas këtij suksesi Warriors ngjiten në vendin e pestë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb