TIRANE – Ndryshimet në Kodin Penal që synojnë ashpërsimin e dënimeve për evazionin fiskal dhe kontrabandën, sollën debate të ashpra në Komisionin e Ligjeve. Opozita ka kundërshtuar ndryshimet, duke i cilësuar si masa represive që rëndojnë mbi biznesin e vogël. Nismën e Ministrisë së Financave e mbrojti në Komision deputeti socialist Pandeli Majko i cili tha: “Kontrabanda e kapitenit, pilotit apo ekuipazhit…këta janë ca horra që vendin e kanë vetëm në burg se po i vure gjobën shkojnë e paguajnë gjykatësin nën dorë.”

Kjo deklaratë e deputetit socialist ka ngjallur reagimin e ish-kreut të Doganave dhe anëtarit të Asamblesë së PS-së Petrit Ago, i cili i kujton ish-kryeministrit deficitin tregtar gjigand të vitit 1999 dhe atë të 6 mujorit të vitit 2002, por sipas tij, asnjë evazor nuk u fut në burg. Sipas Agos, socialistët duhet t’i kërkojnë ndjesë popullit, por sidomos elektoratit të majtë, për keqtrajtimin konstant që po i bëjnë.

“I nderuar zoti Majko! Jam befasuar dhe ndihem super i fyer si qytetar dhe biznesmen nga fjala juaj në Komisionin e Ligjeve, ku kërcënuat me burg dhe justifikuat politikën e burgosjes për qytetarët. Dua t’ju kujtoj deficitin gjigand të vitit 1999 dhe atë të 6 mujorit të 2002, kur u bëtë kryeministër për herë të dytë. Në atë kohë mbizotëronte kontrabanda e naftës, hekurti dhe e autoveturave, por ti nuk i fute në burg “kriminelët” evazorë të asaj kohe. Ne detyrat nuk i realizuam me burg por me përkushtim. Faktet janë kokëforta. Përdorimi i fjalës burg është shprehje e paaftësisë për të menaxhuar sistemin. Mos harroni që ju dhe të gjithë buxhetoret e tjerë paguheni nga taksat tona. Ju dhe koleget tuaj duhet t’i kërkoni ndjesë popullit, por sidomos elektoratit të majtë, për keqtrajtimin konstant që po bëni.”- shprehet Petrit Ago në reagimin e tij për “News24”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: