Parlamenti në Tiranë shtyu për 2 muaj shqyrtimin e një dekreti të Presidentit Meta për të ridiskutuar ndryshimet në projekt-ligjin mbi mediat audio-vizive pasi të shprehet për të Komisioni i Venecias.

Ndryshimet në këtë ligj janë pjesë e amendamenteve të së ashtu-quajturës paketa anti-shpifje aq shumë të kundërshtuar nga organizatat e vendase dhe ndërkombëtare të gazetarëve si përpjekje për censurë, sipas tyre, por sipas qeverisë, një përpjekje për të frenuar lajmet e rreme.

Kryetari i grupit parlamentar të partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se Komisioni i Venecias pranoi kërkesën e tyre për t’u shprehur mbi ligjin e mediave audio-vizive në fund të marsit.

Edhe deputetët e opozitës, që marrin pjesë në parlament ranë dakord që të pritet mendimi i Komisionit të Venecias për ligjet e rëndësishme, që kanë të bëjnë me mediat për shkak të ndjeshmërisë së lartë që ka në Shqipëri tema e lirisë së fjalës.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili i ktheu pas në Parlament për rishqyrtim projekt-ligjet, tha sot se ishte për t’u përshëndetur vendimi pozitiv dhe i përgjegjshëm i Kuvendit për t’u tërhequr nga votimi i paketës së ashtuquajtur “anti-shpifje”. “Reflektimi i sotëm i shërben qëllimit të madh e të përbashkët të mbrojtjes së të drejtave kushtetuese të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe garantimit të standardeve demokratike dhe europiane” – tha presidenti Meta. Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luixhi Soreca, shkroi në Tuiter se BE mirëpret vendimin e shumicës për të shtyrë votimin e ligjit për mediat audio-vizive. “Presim me padurim mendimin e Komisionit të Venecias dhe kurajojmë autoritetet të adresojnë shqetësimet e mbetura të organizatave të mediave dhe komunitetit ndërkombëtar”, theksoi ambasadori Soreca në mesazhin e tij. Bashkimi Europian ka theksuar disa herë në deklaratat për këtë temë se paketa anti-shpifje nuk është në përputhje me standartet europiane mbi mediat dhe lirinë e shprehjes.

Projekt-ligjet e paketës së qeverisë të mbiquajtur si anti-shpifje u përgatitën një vit më parë dhe shkaktuan një debat të gjerë, ku u përfshinë edhe institucionet ndërkombëtare.

Dhjetëra gazetarë, përfaqësues të organizatave të medias dhe të shoqërisë civile protestuan kundër së ashtuquajturës “paketë antishpifje”, duke deklaruar se qeveria po ngre institucione censure dhe po mundohet të godasë fjalën e lirë. Por socialistët pohuan se po mundohen të rregullojnë tregun e mediave online dhe të shmangin lajmet e rreme.

Organizatat shqiptare të shtypit thonë se po kërkojnë standarte europiane dhe ndërkombëtare të lirisë së shprehjes, të cilat qeveria po i shkel me ligjet e sotme duke sjellë censurë dhe autocensurë, ndaj zgjidhja e këtij konflikti të shtypit me qeverinë është rrëzimi i ligjeve ntë ashtuquajtura për anti-shpifjen dhe vetërregullimi i komunitetit të medias./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb