Sot për sot, pas ngjarjes-bombë të dronit në stadiumin e Beogradit, tema që po gëlon, mbizotëron e sundon ndër ne, nuk është dhe aq kostoja. e shtrenjtë e jetesës, çmimi i energjisë elektrike, vlera tejet e ulët e jetës së njeriut, niveli i lartë i varfërisë, i krimit dhe korrupsionit, degradimi mjeran e i pakshpresë i kulturës, arsimit dhe shëndetësisë, tendenca për ta katandisur demokracinë në një sherr të pandërprerë e “institucional” partish e liderësh kordhëtarë, por: kush janë antienveristë e kush enveristë? Lufta politike mbetet e mbërthyer te ky ekuacion absurd që i ngjan pyetjes: “Pula vezën apo veza pulën?”, ngaqë besohet se, duke e mbajtur opinionin publik të gozhduar në këtë “hall”, do të përfitohet lustracioni i vetes, suksesi i nesërm, dështimi i kundërshtarit.
Portretet e diktatorit që janë shfaqur herë pas here nëpër tubimet e vagëta me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit të disa qyteteve kanë pllakosur opinionin mediatik e politik më rëndë e më ethshëm se po të shfaqej, qoftëlarg, epidemia e ebolës. Duket sikur fantazma e Hoxhës është njëjtësuar me fantazmën e atit të Hamletit që ndjell nga varri hakmarrjen, ndërsa në fakt kjo betejë me hidheprit, me ca shashka e ca nofka ‘Facebook’-u, në fakt nuk është gjë tjetër veç kacafytje për ca vota më shumë për vete e ca më pak për kundërshtarin. Kësisoj, zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, kur PD-ja e vetëshpallur kampione e antienverizmit siguroi fitoren me votat e enveristëve, e provoi thagmën e më të pabesueshmes. Me sa duket, afrimi i zgjedhjeve do ta amplifikojë këtë propagandë me/kundër Enverit, sepse besohet që nostalgjikët dhe familjet e veteranëve të luftës mund të të japin/heqin mbi 10% të votave, d.m.th. fitoren ose humbjen, pasi dy koalicionet kryesore kanë qenë dhe janë afërsisht “rrotë më rrotë” në zgjedhje. Këtu “fle lepuri”.
Përdorimi i antienverizmit në vend të antikomunizmit nuk bëhet për bindje, për ideologji, për dallime partish të djathta nga të majtat, as për frikën e mundësisë së ringjalljes së diktaturës dhe të diktatorit Hoxha nga ca nostalgjikë të periferisë, meqë në pushtet kanë ardhur të majtët. Ne jemi vend i vogël, më i varfri në Evropë dhe sikur të ndodhë kataklizmoja dhe komunizmi të vërë nën hyqëm gjithë Evropën, d.m.th. po të mundë NATO-n, SHBA dhe BE-në, ne sërish do të jemi më të fundit për ta importuar, nj’ashtu si mbetëm më të fundit edhe për integrimin në BE. Atëherë, përse antikomunizmi i këtyre njëzet e ca viteve është zëvendësuar me antienverizmin?
Përgjigjja më e saktë do të kishte qenë: klasa politike në këtë një çerek shekulli ka dështuar me dekomunistizimin. Jo dhe aq të shoqërisë, të qytetarëve të zakontë, sesa të mendësisë enveristo-zogiste të parisë drejtuese. Rrjedhimisht edhe demokratizimi ka mbetur i cungët, i çalë, i mangët. Për fat të keq, krerët tanë nuk kanë pasur model tjetër për të ndjekur dhe për të imituar: ose Zogun, ose Enverin. Kështu, si zogizmi për disa, edhe enverizmi për kundërshtarët e tyre, kanë mbetur metoda e vetme “e suksesshme” (e pashpallur si e tillë!) qeverisjeje. Veçanërisht këtë e provon administrimi i brendshëm partiak, demokracia brenda partive, nëpërmjet sundimit e drejtimit vertikal, “me dorë të fortë”, paçka se krerët e sotëm partiakë kanë ndryshuar vetëm ngjyrën, kostumet, fjalorin “demokratik”, por jo thelbin e qenësisë të drejtim-arsyetimit.
Prova më konkrete e kësaj mbrapshtie jo vetëm morale është ngritja e monumentit të Zogut në Tiranë, i cili, për të djathtët e Berishës vlen më shumë si shenjë adhurimi për qeverisjen e për sundimin e monarkut të vetëshpallur, sesa për personalitetin dhe bëmat e tij. Por monumenti i Zogut tinëzisht i ka hapur rrugën edhe ringritjes nga të majtët të monumentit të Enverit, si një tjetër provë kokëfortë e asaj që u tha më sipër: që për elitën e sotme politike, si të djathtë, edhe të majtë, antienverizmi ka enë komunikuese enverizmin, ashtu si antizogizmi po ushqehet me zogizëm. Njëra dorë lan tjetrën. Justifikimi se Zogu iku si tradhtar dhe Enveri hyri në Tiranë si çlirimtar nuk e shter ujët në këtë enë komunikuese, që quhet politikë, por, në të kundërt, e shton dhe turbullon ca më tepër qorrollisjen.
Kjo iu duhet. Kjo është gracka ku mbetet i kapur në çark opinioni ynë publik. Me këtë mënyrë drejtimi e me këtë model udhëheqësie, me këta “idhuj pa krena”, të mëkuar me enverizëm e zogizëm (që deklarojnë me zë e figurë se historia është e detyruar “t’u vejë pas” si manar), besohet që ky popull mund të tërhiqet më gjatë e më kollaj për hunde.
***
Mjafton të shihet se si demokracia e brendshme në të gjitha partitë shqiptare është një kopje e klonuar e centralizmit dhe e unitetit të pathyeshëm më tepër rreth Njëshit, sesa idealit të përbashkët demokratik, apo së paku statutit të partisë. Autoriteti dhe plotfuqishmëria e padiskutueshme e një kryetari partie në vitin 2014 nuk është më e dobët se ajo e sekretarit të parë para 1990-ës. Një kryetar partie sot ka më shumë pushtet të pakufizuar e të pakontrollueshëm nga strukturat e partisë dhe shoqërisë.
Nuk është e vështirë të kuptohet, pas kaq shumë shembujsh, dështimesh e zhgënjimesh, se zogizmi dhe enverizmi nuk mund të luftohen me fasada, me instalacione dhe pankarta, qoftë edhe duke hapur për publikun shtëpinë e Enverit apo bunkerin bërthamor, por duke e çrrënjosur atë si metodë drejtimi dhe botëkuptimi. Duke forcuar e mbrothësuar demokracinë, më së pari brenda partive. Në Shqipërinë pasdiktatoriale duket sikur partitë janë pronarët dhe administratorët realë e fuqiplotë të shoqërisë dhe institucioneve të varura e të pavarura, kurse në fakt janë kryetarët e tyre përkatës. Ky është thelbi i enverizmit.
Vështruar me këtë sy, a mund të ishte Nishani President Republike, Qytetar i Parë, po qe se nuk do ta përzgjidhte dhe nuk do ta dëshironte emrin e tij Berisha? Edhe pse është dorëhequr nga qeveria e nga kreu i partisë, duke mbetur një deputet i thjeshtë, cili shqiptar e beson që Berisha nuk e kontrollon zëvendësin e tij në PD, Lul Bashën, bashkë me Presidentin e Republikës, Nishanin, njëlloj si dikur Enveri i vdekur Ramizin? A nuk është ky enverizëm i kulluar që provon se sa seriozisht e kanë antienveristët e sotëm kur thonë se po luftojnë enverizmin? Le më pastaj të shohësh se si është injektuar po njëlloj kulti i individit, se si janë zbatuar në këto vite lufta e klasave, lufta brenda llojit, lufta mes partive rivale, lufta e opozitës me qeverinë, lufta me median, lufta me Drejtësinë, lufta për të vënë nën kontroll emërimet në të gjitha institucionet…
***
Për hir të së vërtetës, zbulimi me kamera i shtëpisë së Enverit në Bllok para ca muajsh, krahasuar me vilat përrallore të udhëheqësve të sotëm, pat bërë efekt të kundërt te populli, te njerëzit e thjeshtë. Nuk kam shkuar asnjëherë te Gjiri i Lalzit, dhe as që dua të shkoj, po disa miq më kanë thënë se Blloku është spostuar atje, me një luks disafish më të lartë… Dasmat dhe ditëlindjet përrallore si dhe shifrat disamilionëshe të fëmijëve e të grave të udhëheqësve të sotëm, të deklaruara nga ata vetë në ILDKP (jo ato që nuk dihen!), nuk e shkulin enverizmin, nuk ngjallin neveri e përbuzje për diktatorin, por për qytetarët që nuk e kanë jetuar e nuk kanë vuajtur në diktaturë, e shfajësojnë…. Sepse harresa është një makinë njerëzore që nuk ka nevojë për energji, ndërsa krahasimi ka më shumë ndikim të drejtpërdrejtë në psikën e njeriut të thjeshtë sesa propaganda partiake.
Çështja pra është: a po ringjallet enverizmi me ca foto nostalgjikësh dhe zbulime bunkerësh në përvjetorët e Çlirimit, apo si një krimb i fshehur, enverizmi dhe zogizmi, duke qenë modelet e vetme të drejtimit e të sundimit në këto vite të pluralizmit, po vazhdojnë të gërryejnë nga brenda kupolën tonë partiake, bashkë me aspiratën për demokraci? Dhe po qe kështu, si duhet luftuar kjo murtajë ngjitëse që na ka lënë kaq prapa si shoqëri?
***
Ashtu si dje në diktaturë kur sekretari i parë i partisë zgjidhte mjelësen apo traktoristin për ta bërë brenda natës udhëheqës, anëtar byroje, sot kryetari i partisë, po të futi në listë (d.m.th. po krijoi besim te ty), të bën deputet, ministër, sipërmarrës, pronar, gjeneral apo ambasador, edhe pa pasur librezë pune… Përvoja nuk paska vlerë. Madje as hierarkia, as meritat, as aftësia, as konkurrenca, as emri, as mosha… pasi ato shkuakan “ndesh me inovacionin”. Kjo çudi e padëgjuar thuhet publikisht edhe pse diplomat, titujt shkencorë e honorifikë është provuar që më së shumti janë të blera në tregun e zi, me trafik e me servilizëm ndaj një kryetari partie, pa derdhur djersë, pa ndershmëri dhe pa pasion… E pra, edhe Enveri a nuk “i qethi” të gjithë kolegët, bashkëpunëtorët, drejtuesit me përvojë, duke vënë në krye të qeverisjes dhe administrimit ca rishtarë pa emër, ca axhaminj, të cilët nuk kishte nevojë t’i kontrollonte nga frika se mund ta tradhtonin? Le më ta kundërshtonin për aplikimin e luftës së klasave apo për tufëzimin në kohën e krizës!
Nuk ka dyshim që, në ditët që do të vijnë, sa më shumë të afrohen zgjedhjet, aq më tepër ka për t’u thelluar e shpeshtuar propaganda e antienveristëve-enveristë, për t’ia lënë kopilin njëri-tjetrit në derë. Me sa duket, kështu ka ndodhur në këto vite edhe me antikomunizmin, të cilin djallëzisht e përvetësuan ish-komunistët më fanatikë dhe jo të përndjekurit, duke e zhveshur qëllimin jo vetëm nga morali, por edhe nga mundësia e demontimit të tij përfundimtar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb