TIRANË

Ministria e Brendshme bën me dije se së shpejti Task Forca Qendrore do të nisë monitorimin nga ajri të të gjithë territorit të Shqipërisë, për të shkatërruar çdo sipërfaqe toke të mbjellë me bimë narkotike.

Në këtë kuadër, në Ministrinë e Brendshme u mbajt takimi i radhës së Task Forcës Qendrore, në kuadër të zbatimit të Planit të Veprimit kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit 2017-2020.

Në mbledhje u diskutua mbi masat e ndërmarra, rezultatet dhe arritjet konkrete të institucioneve anëtare të TFQ-së. Fokus i këtij takimi krahas masave dhe aktiviteteve të kryera si pjesë e detyrimeve, ishin edhe paraqitja e problematikave të hasura, si dhe nevojat për kapacitete logjistike në përmbushje të detyrave të tyre.

Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda kërkoi bashkëpunim më të ngushtë dhe më intensiv gjatë kësaj periudhe, ndërmjet institucioneve qendrore pjesë e Task Forcës, për të shkëmbyer informacion për raste kultivimi ose trafikimi, si dhe kryerjen e operacioneve të përbashkëta ndërinstitucionale.

Gjithashtu anëtarët theksuan domosdoshmërinë e një koordinimi edhe më të mirë me qëllim parandalimin në kohë dhe goditjen me efikasitet të çdo rasti të kultivimit të kanabisit.

Së shpejti, kontrolleve të territorit nga Policia e Shtetit dhe Inspektorateve të ndryshme, do t’i shtohen edhe monitorimi përmes fluturimeve ajrore, mundësuar nga projekti “Sancas” i financuar nga BE.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb