Pas arrestimit të tre personave nën akuzën e trafikimit të veprave të artit, arkeologët thonë se dy objektet nuk janë pjesë e parkut arkeologjik të Apolonisë.

Sipas tyre, pocja e sekuestruar i përket fundit të shek. V – fillimit të shek. IV para Krishtit, ndërsa reliefi nuk është pjesë e shkollës së reliefeve që ndodhen në Apoloni.

Sipas burimeve pranë parkut arkeologjik të Apolonisë njëri prej objekteve është bërë nga gurët e Karaburunit dhe tjetri mund të jetë objekt i importuar.

Po të njëjtat burime kanë saktësuar se i gjithë territori i parkut ruhet përgjatë 24 orëve dhe nuk janë konstatuar gërmime dhe aq më tepër vjedhje të objekteve.

Policia e Durrësit arrestoi sot 3 persona, pasi akuzohen për veprimtari kriminale në fushën e trafikimit të veprave të artit. Në kuadër të operacionit të koduar “Antikat” në pranga u vunë shtetasit Altin Veizaj, 49 vjeç, banues në Fier, i cili drejtonte automjetin tip “Toyota”, ku u gjetën veprat e artit dhe Alban Vrapi, 37 vjeç dhe Roland Zaimaj, 48 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit në mjet u gjetën dy vepra që i përkasin periudhës së antikitetit, pjesë e trashëgimisë kulturore, të cilat do të shiteshin kundrejt shumës 18 deri në 25 mijë euro secila.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: