Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit për Shqipërinë 2030 në BE”, zhvilloi forumin e pestë të dialogut me studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë, të Universitetit “ Luigj Gurakuqi”, në Shkodër.

Pjesëmarrësit u njohën nga afër me analizën e bërë nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë (GENL), metodologjinë e përdorur për skanimin e situatës në drejtim të mirëqeverisjes, antikorrupsionit dhe sundimit të ligjit, sugjerimet e tyre mbi mekanizmat se si mund të ndërhyhet dhe masat e rekomanduara për tu bërë pjesë e planit kombëtar të veprimit në luftën dhe parandalimin e korrupsionit.

Prof. Assoc. Dr. Irma Buraka, Dekane e Fakultetit të Drejtësisë përshëndeti takimin dhe vlerësoi rëndësinë e angazhimit të të rinjve në procesin e reformave që do të ndërmarrë vendi në kuadrin e integrimit, por dhe rëndësisë për përfshirjen në diskutim të gjithë shoqërisë dhe universiteteve lokale në diskutimin mbi gjetjen e mekanizmave efektivë për parandalimin e korrupsionit.

Anëtarja e Komisionit të Posaçëm, deputetja znj.Etilda Gjonaj, bëri një përmbledhje të fokusit të punës së Komisionit të Posaçëm, analizës së gjerë profesionale të bërë nga GENL në skanimin e situatës për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, procesit të konsultimit me ekspertë ndërkombëtarë dhe kontributit të dhënë nga ekspertë shqiptarë që jetojnë në diasporë, nevojës për angazhimin e gjithë shoqërisë dhe në mënyrë të veçantë të rinjve dhe botës akademike në adresimin dhe gjetjen e mekanizmave të duhur jo vetëm për ta luftuar, por mbi të gjitha për ta parandaluar dhe ndryshuar qasjen si shoqëri ndaj fenomenit të korrupsionit.

Prezantimi i gjetjeve kryesore të analizës së grupit të ekspertëve për Shtyllën II- Antikorrupsionin u bë nga znj. Ardita Seknaj, përfaqësuese e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë së Shqipërisë, pjesë e GNEL, e cila bëri një përmbledhje të pesë fushave të analizës, si dhe gjetjeve kryesore që konsitojnë në: mangësi e kapaciteteve dhe koordinimit institucional, kornizë ligjore të fragmentarizuar dhe e paharmonizuar; paqartësi në zbatimin dhe mbikëqyrjen e integritetit publik; mungesë së transparencës dhe llogaridhënies në sektorët me risk më të lartë ndaj korrupsionit në qeverisjen qendrore dhe vendore; masat e paefektshme për pastrimin e parave dhe korrupsionit transnacional; mungesa e ndërgjegjësimit dhe angazhimit të shoqërisë.

Znj. Seknaj bëri të ditur hapat e mëtejshëm për hartimin e Planit kombëtar të Veprimit, i cili përmban 175 masa nga të cilat: rreth 30 përmirësime të kuadrove ligjore; hartimin e 4 ligjeve të reja; 3 ndërhyrje në Kodin Penal, ndryshime strukturore brenda institucioneve të ndryshme, përmirësim dhe forcim të mjeteve të integritetit institucional, si dhe marrjen e masave ndërgjegjësuese.

Më pas, përmes një bashkëbisedimi me të pranishmit, znj. Senkaj dhe znj. Gjonaj iu përgjigjën pyetjeve dhe komenteve të bëra nga studentët dhe pedagogët lidhur me masat e propozuara dhe planin e veprimit për rolin e sinjalizuesve dhe nevojën e ndërgjegjësimit të të rinjve për të denoncuar raste korruptive; identifikimin e çdo rasti korrupsioni apo favori i çdo forme, mekanizmat që do të garantojnë suksesin në procesin e “vettingut” të institucioneve dhe administratës publike, nevojën e përçuarjes së mesazheve sa më të thjeshta për qytetarët dhe gjeten e mekanizmave për rritjen e besimit për të denoncuar, ndikimet apo orientimet e mundshme të politikës në analizën e ekspertëve, si mund të bëhen më llogaridhënëse dhe transparente vendimmarrja e institucioneve, etj.

Në përfundim të takimit të rinjtë u ftuan të bëhen pjesë e diskutimeve publike nëpërmjet platformës së dedikuar komisionit të posaçëm www.masl.al.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb