Nga: KIÇO BLUSHI *
Arrestimi i Gjikës, kryebashkiakut të Vlorës, në pikun e përmbytjeve, mos do të thotë që po nis një erë e re në luftën antikorrupsion? Apo edhe në këtë rast do të ndodhë si me Mziun e Kamzës? Këto pyetje nuk zgjidhen dot me premtime për dëmshpërblim. Gjithsesi ato hëpërhë provojnë shkallën e lartë të mosbesimit te organet e Drejtësisë.
***
Në këto 25 vite nuk ka ndonjë fjalë të marrë hua nga gjuhët e tjera që të jetë shqipëruar, përdorur e simosmëkequr, mbarë e prapë, lart e poshtë, herë si armë e herë si baltë, rëndom si akuzë e ca më shpesh si kryemeritë sesa fjala çudibërëse: korrupsion. Pasurimi, pronat, favoret, lavdia e begatia që u ka sjellë atyre që kanë ditur ta përdorin me sukses korrupsionin, në kohën e në vendin e duhur, nga viti në vit ia ka hequr kësaj fjale kuptimin e saj parësor, negativ, të përkeqtë. Cili shqiptar nuk e di që sot, sa më i korruptuar je, aq më i shquar, i mençur, i nderuar, i respektuar, i zoti, i ditur, cilësohesh? E thënë modernisht: një VIP! Kryesisht e zakonisht janë këta “të suksesshëm” që bëjnë ligjin te ne, në të gjitha fushat.
Si asnjë veprimtari tjetër, korrupsioni ka aftësinë magjike të transformojë shpejt e në një kohë të shkurtër, pa mund e pa djersë, hiçin në më të shquarin e më të fortin e lagjes; injorantin e periferisë në më të plotfuqishmin e më autoritarin e kryeqytetit. Korrupsioni është çelësi kopil që hap kollaj çdo derë, duke bashkuar në një nyje të pazgjidhshme pushtetin e parasë me pushtetin e politikës. Korrupsioni shfytyron moralin dhe sistemin e vlerave me një shpejtësi të frikshme, duke krijuar një realitet mbarëpopullor pafuqie e plogështie, i cili bëhet më i vështirë të përballohet se erozionet e tokës prej shirave dhe përmbytjeve.
Edhe pse të gjithë e mallkojnë në publik, po të jesh aq i zoti sa (kuptohet, tinëz) korrupsionin ta kesh e ta zësh mik e bashkëpunëtor, pajisesh me imunitet, n’daç mund të bëhesh biznesmen, deputet, ministër, shef komisariati, gjykatës, kryetar partie, madje edhe akademik… etj. Korrupsioni ndih të shpërfillësh e të kapërcesh më lehtë se një xhongler cirku gardhin e karrierës, ndershmërisë, konkurrencës, votës, meritave dhe aftësive profesionale. Korrupsioni është fabrika e vetme që punon me kapacitet të plotë, 24 orë, pa qenë e nevojshme të punësohen e të paguhen punëtorë me mëditje. Taksa e vetme që korrupsioni kërkon është lepepeqëria, guximi i horrit, aftësia për të qenë klient i besueshëm, mungesa e moralit dhe e karakterit.
***
Sa herë vijnë raporte dhe detyrime nga Brukseli apo Uashingtoni për luftën kundër korrupsionit, te ne ndizet një luftë e ndërsjellë mes dy krahëve të politikës. Secila palë synon të ndyjë sa më shumë kundërshtarin për t’ia lënë kopilin në derë. Korrupsioni është kthyer në një lojë kukamçefthi liderësh partiakë e organesh të Drejtësisë, një lojë marifetçinjsh profesionistë ku nuk mërzitet, nuk tronditet e nuk shqetësohet kurrkush po të zbulohet rastësisht ku ka qenë fshehur, apo pse nuk u zbuluan në kohën e duhur ai/ata që bëjnë korrupsion. Pikërisht kjo cilësi e rrallë bën të mundur që, sa më shumë shahet, poshtërohet e mallkohet korrupsioni në publik, sa më shumë përbalten dhe akuzohen të gjithë, aq më tepër lulëzon e bën kërdinë në shoqëri kjo murtajë. Sepse në fakt e mallkojnë më së tepërmi pikërisht ata që janë të detyruar ta denoncojnë dhe ndëshkojnë; të njëjtët që ia kanë parë hairin dhe që kanë mjetet ligjore për ta luftuar.
Pengmarrja e zyrtarëve të lartë është fuqia reale e korrupsionit. Aty janë rrënjët e tij. Kur lipsen ca shembuj të antikorrupsionit (më shumë për ndërkombëtarët sesa për ne), në kohën e Saliut kapej me presh në dorë ndonjë mësues apo mjek që merrte ryshfet jo më shumë se njëqind euro, ndërsa sot, po kapen infermieret që marrin bakshish dy mijë lekë (të vjetra). Kuptohet, në emër të tolerancës zero! Kështu, sa u bë kryeministër, Berisha hapi për publikun një numër telefoni për të denoncuar të korruptuarit; ndërsa këto ditë u hap, për të njëjtin qëllim, një portal interneti, i cili do të informojë ‘live’ “strukturat në tri drejtime”… Në pasqyrat e berberëve në monizëm qe e detyrueshme të shkruhej: “Jo bakshish, se më prish ndërgjegjen!”… Mos vallë duhet të shkruajnë nëpër bluza e uniforma edhe mjekët, mësuesit, policët dhe infermierët diçka të ngjashme? Apo mos duhet të ndëshkohemi dhe ne qytetarët që i lëmë berberit, sa herë qethemi, një bakshish dyqind lekësh?
Zor se beson kush që me të tilla cironka, të cilat bien kollaj në grep, kjo kastë politike e ka marrë seriozisht të shkulë nga rrënjët këtë pandemi mbarëkombëtare, e cila po e thellon hendekun e pabarazisë dhe mungesën e shpresës për drejtësi e moralitet në skajshmëri. Sepse pavarësisht nga intensifikimi i propagandës antikorrupsion, po bëhet gjithnjë e më e pamundur e më e vështirë të kapen peshkaqenët, ata që gëlltisin për një minutë, vetëm me një firmë, miliona euro me anë të tenderave, bordeve, këshillave bashkiakë e VKM-rave… Këto dosje “po flenë” edhe kur janë dëshmuar nga auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Shpërdorimet (kupto: vjedhjet) në Rrugën e Kombit, sipas KLSH, ishin mbi 200 milionë euro, por ama nuk u hetua nga organet e Drejtësisë meqë… meqë ishin “vendime kolektive”, d.m.th. me VKM-ra… Ndaj ia vlen barra qiranë të pyetet: Që kur është krijuar KLSH, sa ka shkuar shifra totale e abuzimeve dhe shpërdorimeve që ka bërë administrata në këto 24 vite? Disa miliardë euro! Sa është në total fatura e dëmeve të pronave publike, ish-fabrika e ish-kombinate që u bënë skrap, ish-toka bujqësore dhe ish-pyje, d.m.th. ish-pasuritë kombëtare që u bënë haram e që, po t’i renditësh, janë paanë e pafund? Nuk dihet! Por edhe pas auditim-konstatimeve që ka bërë KLSH, ky organ i specializuar kushtetues, sa janë ata zyrtarë të lartë që janë ndëshkuar? Shumë pak, në mos asnjë!
Ndoshta organet e Drejtësisë i japin të drejtë vetes të justifikohen me Rrugën e Kombit, pasi atë tender e pat “fituar” një kompani amerikane, “Behteli” i famshëm me fuqi të madhe lobuese në Shtëpinë e Bardhë, paçka se, së fundi u zbulua se në atë mega-korrupsion qenkësh përfshirë edhe ish-ambasadori Dell në Prishtinë. Afërmendsh, cilët gjykatës e prokurorë në Ballkan e posaçërisht në Shqipëri do të guxonin të përballeshin me “dosje” të tilla përvëlonjëse? Ja pra sa i vështirë u bëka antikorrupsioni dhe ja përse ai po luftohet me shashka, me ca mësues dhe infermiere të gjora që mezi arrijnë të kapin një dy mijë lekësh!
***
Vjedhjet, shpërdorimet dhe abuzimet me anë të bordeve, këshillave, tenderave apo VKM-rave, meqë quhen “demokratike”, pra, meqë janë të tilla e meqë cilësohen si “vendime kolektive”, mund të justifikohen, kurse vjedhja e një celulari apo një copë buke, jo! Por a nuk e paralizon dhe e nxjerr jashtë loje që në fillesë antikorrupsionin ky absurd “juridik”? A e ka fajin për këtë gjendje pavarësia e cungët dhe e mangët e Drejtësisë nga politika, si thuhet shpesh? Dyshoj se, edhe sikur reforma e shumëpritur të garantojë më në fund pavarësi reale e të plotë të organeve të Drejtësisë nga klikat sunduese të politikës, gjendja zor se do të ndryshojë për më mirë. Fajin e ka sistemi i korruptuar, por çkorruptimin a mund ta kryejnë ata që e kanë e kanë ngritur këtë sistem? Nuk janë më pak të korruptuar gjykatësit se politikanët e lartë. Për pasuri disamilionëshe është folur me emra konkretë edhe për anëtarë të KLD-së! Por korrupsioni luftohet deri te niveli i një infermiereje, doganieri apo polici, sepse, ashtu si një mjek nuk mund të bëjë me faj kolegun që vdiq pacientin, ashtu edhe një gjykatës nuk mund të dënojë kolegun. Ndaj, si mund ta luftojnë korrupsionin ata që janë bërë juristë, gjykatës e prokurorë me kurse gjashtëmujore në kampin e Durrësit falë korrupsionit sa ekonomik dhe politik? Cilët? Ata që nuk i kanë as duart dhe as fytyrën të pastër, si mund të pastrojnë gjirizet e politikës? Ata që falë korrupsionit pasiv ose aktiv, konvertimit dhe puthadorësisë janë bërë zotër duke zënë poste të larta në administratë, në partira e institucione, pas reformës të presupozuar të Drejtësisë, si mund të pranojnë që të vetëndëshkohen për të pastruar, medemek, më së pari veten e pastaj edhe shoqërinë? E po qe se ndodh ndonjë çudi, a nuk do të kundërshtojnë këta të parët, duke thënë se dënim-ndëshkimi i tyre po bëhet “për motive politike”?
Specialistët ndërkombëtarë na thonë që “ligjet i keni të mira”, të standardeve evropiane, të qëndisura me asistencën e tyre, e megjithatë ja që “lepuri fle” herë te pandëshkueshmëria, herë te pazbatueshmëria e ligjeve, që do të thotë se Drejtësia varet nga vullneti i “Maliqit” fuqiplotë, i cili, njëlloj si në diktaturë, edhe në demokraci, tjetër bën e tjetër thotë.
Aq janë përhapur në shoqërinë tonë metastazat e korrupsionit, sa shumëkush është bindur tanimë se “të gjithë derrat kanë një turi”, si të djathtë e të majtë. Edhe shembujt e mësipërm do të mjaftonin të mbahej gjallë mosbesimi e zhgënjimi. Fatkeqësisht antikorrupsioni, deri tani, ngjan si prodhim “natyral” e i pashmangshëm i sistemit demokratik, si një luftë e dështuar që në fillesë, demagogjike, e vdekur, e pamundur për t’u fituar. Por nuk është kështu. Fakti që në shoqëritë më të përparuara, si p.sh. vendet e Beneluksit është ulur në minimum niveli i korrupsionit, tregon që demokracia i ka të gjitha mekanizmat dhe mundësitë për ta luftuar me efikasitet këtë murtajë që ka shembur edhe perandoritë.
Por kjo mrekulli te ne i lypet vetëm politikës dhe pak shoqërisë, qytetarit, opinionit publik, i cili ndihet i dobët, i pafuqishëm, i asfiksuar. Aq më pak KLSH-së, ILDKP-së dhe agjencisë kundër pastrimit të parave të pista… Këto organe jetike të demokracisë funksionale, të cilat janë përcaktuese në luftën kundër korrupsionit, te ne janë lënë nga Kushtetuta (me sa duket jo pa qëllim) në rolin e vëzhguesit, konstatuesit, audituesit, informuesit të qeverisë, dhe një herë në vit edhe Kuvendit (Neni 164). A nuk tingëllon si lutje njoftimi zyrtar i KLSH-së, teksa kërkon që auditimet e tij “…duhet të shihen si një ndihmë për mirëqeverisjen dhe llogaridhënien dhe institucionet duhet të rrisin nivelin e bashkëpunimit me KLSH-në, veçanërisht në drejtim të zbatimit të rekomandimeve të dhëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit”… Vetëm kaq e puna quhet e kryer.
Edhe ILDKP del herë pas here me njoftime për zyrtarë të cilët nuk e kanë bërë deklarimin, ndaj i gjobit. Kaq. Por edhe ky organ kushtetues, ashtu si KLSH që nuk ka të drejtë të penalizojë, por vetëm të informojë, mjaftohet vetëm me shpalljen e disa emrave të zyrtarëve të lartë që u ka rënë shorti të verifikohen e që del se kanë fshehur pasurinë. Por nuk merret me zbulimin dhe krahasimin e të ardhurave, me verifikimin e burimit të pasurive të tyre. Sipas ligjit edhe ILDKP-ja “njofton, rast pas rasti, Presidentin, Kuvendin, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Këshillin e Ministrave, Kryeministrin, ministrat dhe drejtuesit e institucioneve qendrore për parregullsitë e vërtetuara në deklarimin e pasurisë nga punonjësit në juridiksionin e tyre”. Vetëm kaq mjafton që edhe këtij organi, ILDKP-së, t’i quhet puna e kryer me nder.
KLSH dhe ILDKP nuk kanë të drejta penalizuese, por vetëm audituese, d.m.th. konstatuese. Si rezultat, në të gjitha këto 24 vite auditimet kanë rënë në vesh të shurdhër, pavarësisht se sa miliard euro të fondeve publike, të faktuara nga KLSH, janë bërë rrush e kumbulla. Për të njëjtën arsye edhe ILDKP nuk ka guxuar e nuk ka tentuar të hetojë: si ka mundësi që me një rrogë fikse, brenda disa vitesh filan ministër, kryeministër, kryetar partie, prokuror, gjykatës apo edhe kryebashkiak, nga një njeri me të ardhura mesatare e jetë modeste, pa trashëgimi dhe pa fabrika, është bërë pasunar? Askush syresh nuk është pyetur: Ku i keni gjetur o “burra shteti” këto të ardhura dhe a i keni paguar taksat?
Në po atë njoftim që u citua më sipër thuhet se KLSH “ka kryer 160 auditime gjithsej, nga 153 auditime të kryera në vitin 2013, ose 4.8 për qind më shumë. Institucioni ka zbuluar dëm ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit në nivelin 11.2 miliardë lekë (ose rreth 80 milionë euro), duke kërkuar shpërblimin e dëmit, pra arkëtimin në Buxhet të 98.9 për qind të tyre. Dëmi ekonomik i zbuluar në të tria vitet 2012, 2013 dhe 2014 është rreth 3.8 herë më i madh se vlera e dëmit të zbuluar në tri vitet 2009, 2010 dhe 2011, të marra së bashku”. E pra, a mos duhet që ky raportim zyrtar i KLSH të thuhet në portalin antikorrupsion nga ndonjë qytetar anonim që organet e Drejtësisë të veprojnë?
Për të dalë në një përfundim, mund të them se reforma në Drejtësi dhe konkretisht antikorrupsioni do të jenë frytdhënës, si dëshirojmë, vetëm duke i reformuar e dhënë kompetenca penalizuese edhe këtyre organeve: KLSH, ILDKP dhe agjencisë kundër pastrimit të parave të pista. Këto organe do të mund të siguronin kontrollin paralel, të domosdoshëm për luftën kundër korrupsionit. Për të kuptuar këtë mjaftojnë këto pyetje: Pasi t’i shtohet pavarësia e gjyqësorit, kush tjetër mund të bëjë zap korrupsionin brenda organeve të Drejtësisë, po qe se KLSH dhe ILDKP do të mbeten, si janë, vetëm audituese, d.m.th. konstatuese? A mund të japë drejtësi një gjyqësor që nuk kontrollohet e nuk detyrohet të jetë me duar të pastra? Përndryshe, korrupsioni dhe pandëshkueshmëria kanë për të kënduar avazin: Këtu e tatëpjetë, si ka qenë do të jetë! D.m.th. një lojë kukamçefthi e krerëve të radhës të politikës e gjyqësorit, një legen ku njëra dorë ndyn tjetrën e të dyja bashkë do të mbysin të vërtetën dhe drejtësinë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: