Policia ka ndërmarrë një aksion gjatë mbrëmjes së kaluar, ku ka arrestuar një grua, nënë e tre fëmijëve, e cila rezultonte e shpallur në kërkim nga autoritetet italiane për terrorizëm.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Interpolin kanë bërë arrestimin e Lubjana Gjeçajt e cila jetonte në Tiranë.

Aktualisht po bëhen verifikime nga policia, ndërsa e dyshuara po merret në pyetje.

Njoftimi i policisë:
Vijon bashkëpunimi me homologët për kapjen e personave me veprimtari kriminale në fushën e terrorizmit. Falë bashkëpunimit të Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe Interpol Tiranës me homologët në Itali, kapet në Tiranë dhe vihet në pranga një 43 vjeçare e dënuar për pjesëmarrje në organizatë me qëllime terroriste. Në kuadër të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes Drejtorisë së Antiterrorit, Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Itali, është marrë informacion në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasje të kërkuar, e dënuar për veprimtari kriminale në fushën e terrorizmit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta të Drejtorisë së Antiterrorit, Interpol Tiranës në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë nr 6 në DVP Tiranë, u lokalizua vendndodhja dhe u vu në pranga shtetasja: Lubjana Gjeçaj, 43 vjeçe, banuese në Tiranë, e shpallur në kërkim ndërkombëtar më datë 4 shtator 2020. Gjykata e Hetimeve Paraprake Milano, Itali, e ka dënuar me 3 vjet burg, për veprën penale ”Organizatë me qëllime Terroriste”. Arrestimi i kësaj shtetaseje u bë me qëllim ekstradimi drejt Italisë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb