“Propaganda autoritare nuk e lë individin të marrë në dorë fatin e vet. E bën atë ta kërkojë si ajri autoritetin sundues, ndryshe humbet toruan. Ai mbetet në kërkim të ‘babait’ dhe të ‘nënës’.

Pret urdhra, kërkon të mësohet, squllet, struket, emocionohet nga histeritë që shkakton pushteti, jo rrallë edhe qan para tij dhe për të!”- Artan Fuga. Nën titullin “Antropologjia e propagandës totalitare. Rasti i Shqipërisë” profesori dhe akademiku Artan Fuga ka botuar në Francë (me shtëpinë botuese NON LIEU) librin “Njeriu fëmijë”.

Ai analizon aspektin e formimit psikologjik të individit që ka rrënjosur propaganda, edukata, shkolla dhe kultura paternaliste, duke shtruar pyetjen, pse qytetari i rritur sillet politikisht si fëmijë? Një prezantim i librit u bë në “Shtëpinë e Europës” në Tiranë nën kujdesin e ambasadës franceze në Shqipëri, me një pjesëmarrje të gjerë intelektualësh, studentësh të departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit dhe rektorit të UT-së, Artan Hoxha.
“Jo të gjitha pemët janë tharë!” thotë akademiku, pas takimit, ndërsa vëren se analiza e identitetit tonë shqiptar, e ideologjive që kanë formuar shtetin shqiptar, e së kaluarës dhe e së sotmes tërheq vëmendjen e studiuesve seriozë.
“ Për sa i përket platformave ideologjike në shekulli 19 që çuan pastaj në themelimin e shtetit të pavarur shqiptar ne kemi një mbivendosje koherente të disa niveleve. Kultura e familjes dhe e klanit, letërsia artistike, koncepti i Zotit, platforma politike laike, pra ndërgjegjja artistike, politike, fetare, familjare. Ajo që kam konstatuar është ndërtuar si arkitekturë koherente e cila formon atë mendim intelektual abstrakt shumë monumental qe jep identitetin e shqiptarëve që mund ta studiojmë nga përqasje shumë disiplinore” tha akademiku.

Përmes analizave krahasuese mbi propagandat dhe mekanizmat psikologjikë, mendorë e zakonorë, filozofi Artan Fuga përpiqet të ndriçojë disa shtigje të cilat mendon se deri tani kishin mbetur në hije.

“Ajo që unë sjell është ajo nga pikëpamja e antropologjisë strukturore e psikanalizës e socio psikanalizës të cilat më kanë ndihmuar të vij në disa rezultate. Përtej thatësirës që kërkojnë të na imponojnë, shpirti dhe mendja shqiptare përsëri gurgullojnë dhe janë të shqetësuar për të vërtetën”, thekson profesori që më herët përmes mitit të Rozafës, ka trajtuar një tjetër raport tonin me civilizimin.

Botimi “Njeriu fëmijë” që në frëngjisht ka ekuivalentin “Antropologjia e propagandës totalitare. Rasti i Shqipërisë”, nxjerr në pah se ku qëndron forca e propagandës që na manipulon, vendos në rresht, heq çdo iniciativë qytetare, mbyt të menduarin kritik. Ai niset nga analiza e propagandës totalitare, por hedh dritë më pas mbi manipulimin e opinionit publik edhe në kushte të tjera. Autori i qaset devijimit psikologjik, traumës dhe psikikës njerëzore që propaganda përdor përmes një stili të qartë dhe të kuptueshëm, sqaron marrëdhënien me pushtetin, propagandën dhe mediat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: