Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, reagon pas vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve për t’i anuluar gjobat kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, të vendosura nga KQZ.

Kaso shkruan në “Facebook” se KAS humbi sot mundësinë për të qenë një strukturë në funksion të garantimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Reagimi i plotë:

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) humbi sot mundësinë për të qenë një strukturë në funksion të garantimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Sot me një vendimarrje të paprecedent, 3 anëtarët e KAS kanë shkelur rëndë besimin se mbi interesin e partisë në pushtet qëndron ligji dhe vetë rregullat e sanksionuara nga KQZ.

Vendimet antiligjore të 3 anëtarëve të KAS bien ndesh me standartin e OSBE për ndarjen e shtetit nga partia, duke justifikuar përdorimin e funksionit publik nga Erjon Veliaj për interesa të Partisë Socialiste.

Partia Demokratike dënon këtë akt të paligjshëm të 3 anëtarëve të KAS, që cënon rëndë standardet e barazisë së palëve në zgjedhje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb