TIRANE- Ministria e Energjetikës anulon ndërtimin e 6 hidrocentraleve në lumin e shalës në zonën e Thethit. Në kuadër të skanimit të imtësishëm të kontratave koncesionare, sidomos për zona ku ka ndjeshmëri të lartë mjedisore, ministria deklaron se ka gjetur shkelje të kryera nga koncesionari në raport me detyrimet kontraktuale.

Nga auditimi i kontratës është konstatuar se megjithëse nga koncesioni ishte dorëzuar formalisht projekti i zbatimit, nga ana e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore i ishte bërë me dije se projekti nuk është i plotë dhe se në përmbatje të tij mungojnë një sërë raportesh e dokumentesh si skema e shfrytëzimit hidroenergjitik; raportet hidroenergjetike e hidroteknike; raportet e vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe raportet e planit të biznesit.

Autoriteti kontraktor ka njoftuar disa herë për plotësimin e projektit të zbatimit por nuk ka marrë përgjigje. Ministria e Energjisë dhe Industrisë thotë se për arsye se Koncesionari nuk ka zbatuar në mënyrë të përsëritur një ose disa nga detyrimet e tij, që përbëjnë një ose disa shkelje thelbësore të kontratës siç janë mos hartimi dhe dorëzimi i Projekt-Zbatimit, si dhe mos sigurimin e Kontratës Koncesionare, ka njoftuar zgjidhjen e njëanshme të Kontratës së Koncesionit, e cila parashikonte ndërtimin e 6 hidrocentraleve në lumin e Shalës në zonën e Thethit me fuqi 127 megavat dhe prodhim energjie 530 mijë megavat. Ndërtimi i këtyre hidrocentraleve është kundërshtuar vazhdimisht nga shoqëria civile, me argumentin se dëmtohen resurset natyrore dhe turizmi.
(ed.me/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: