SHBA – Për ata që i tremben një shpërthimi bërthamor, sulmeve terroriste apo stuhive diellore, një apartament special ofron qetësi mendjeje dhe trupi. Në qytetin Konkordia të Kansasit po ndërtohen apartamente luksoze brenda një depoje të nëndheshme raketash të braktisur tashme.

Në zonat e pabanuara në veri të Kansasit sheh roje të armatosura rëndë, automjete të blinduara, kamera me rezolucion të lartë dhe kulla për snajper. Por nuk kemi të bëjmë me një objekt ushtarak. Këtu dikur ndodhej qendra e nëndheshme e lëshimit të raketave balistike ndërkontinentale, Atlas.

Raketat Atlas i përkisnin sistemit amerikan të mbrojtjes gjatë Luftës së Ftohtë.
Biznesmeni Larry Hall e bleu atë pasi u nxor jashtë përdorimit në 1965 dhe krijoi mjedise luksoze banimi.

14 katet e objektit lidhen me ashensor dhe ndërtesa ka një pishinë 25 metra të gjatë, një sallë kinemaje dhe një mur alpinizmi. Po ashtu ka një sistem shumë të sofistikuar furnizimi me ujë dhe energji.

Apartamentet janë projektuar me idenë për të jetuar në këto mjedise për pesë vjet pa kontakte me mjedisin e jashtëm. Një kat i tërë shërben për të magazinuar ushqime të konservuara.
Po ashtu kultivohen perime e peshk në basene ujore për të garantuar furnizime të freskëta.
Dritaret elektronike, secila me vlerë 15 mijë dollarë, ndihmojnë për të luftuar psikozën që krijon jeta nën tokë për një kohë të gjatë.

Një apartament që zë një kat të tërë, me sipërfaqe mbi 170m2 kushton mbi 3 milionë dollarë. Një apartament që zë gjysmën e katit kushton 1.5 milionë dollarë.
Por kërkohet të bësh pagesë të plotë me kesh. Pjesa më e madhe e banorëve i përdorin apartamentet si shtëpi pushimi.

Apartamentet në ish-objektin e parë të lëshimit të raketave janë shitur plotësisht. Punimet kanë filluar në objektin e dytë dhe gjysma e apartamenteve në këtë projekt janë shitur.
Për ata që mund ta përballojnë koston, ky apartament është si një garanci ideale për sigurinë.(voa)

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb