NGA: LEDIONA XHELADINAJ*
Drejtësia po na vret për herë të dytë. Procesi për të dënuar vrasësin e djalit tim po zvarritet pa fund. Abaz Isai, që ma vrau djalin me bukë në gojë, po ndihmohet nga njerëz me pushtet. Ai do t’i shmanget dënimit, përmes një raporti mjekësor si i sëmurë”. Me lot në sy, Petrit Laho, babai i Marjo Lahos 23 vjeç, të riut që u vra nga bashkëfshatari i tij në kasollen e bagëtive, i bën apel drejtësisë të mos zvarrisë procesin, por të japë dënimin për autorin e krimit të rëndë.

Kanë kaluar plot gjashtë muaj prej ditës kur Abaz Isai i mori jetën të riut dhe, ndonëse ka pranuar vrasjen, drejtësia ende nuk e ka dhënë verdiktin e saj. Babai i viktimës vë alarmin, teksa denoncon se autori po mundohet t’i shmanget dënimit, duke kërkuar raport mjekësor me pretendimin se nuk është mirë mendërisht. Ai shkon edhe më tej, kur thotë se njerëz me pushtet po ndihmojnë autorin që t’i shpëtojë dënimit. Petrit Laho pretendon gjithashtu, se janë kërcënuar familjarisht për të mos kërkuar drejtësi për gjakun e të birit.

Gjashtë muaj më parë, djali juaj u qëllua për vdekje nga Abaz Isai. A mund të na thoni nëse drejtësia e ka thënë fjalën e saj?
Kanë kaluar më se gjashtë muaj prej ditës kur mua më vranë dritën e syve. Ishte data 11 korrik e vitit 2015 kur pas një grindjeje për motive banale, Abaz Isai vrau barbarisht djalin tim. Ka qenë fillimisht një grindje mes meje dhe autorit, dhe më pas, pas ndërhyrjes së djalit për mbrojtjen e babait të tij, u vra me bukë në gojë. Marjo ishte në mal me bagëti, ndërsa ka shkuar tri orë në këmbë dhe e ka vrarë në kasollen ku ai flinte në mal. E vrau me automatik dhe u largua. Sot kanë kaluar gjashtë muaj dhe krimineli nuk është dënuar nga gjykata. Çfarë bëhet kështu?! Ka vrarë një bir nëne dhe jo një mace. Kjo është e tmerrshme! Shpirti ynë u copëtua kur na e vranë djalin, tani po e copëtojnë edhe atë pak që ka mbetur, dhe këtë po e bën drejtësia.

Përse thoni që po ju vret drejtësia? Çfarë po ndodh realisht?
Drejtësia po na vret, pasi nuk ka dhënë ende dënimin për dorën që vrau djalin tonë. Kanë kaluar gjashtë muaj prej ditës së ngjarjes së rëndë dhe autori nuk ka marrë asnjë dënim. Ne e njohim autorin, pasi kemi pasur lidhje fisnore dhe e dimë shumë mirë që ai ka njerëz në pushtet, të cilët po ndërhyjnë në drejtësi për të mos e dënuar Abaz Isain. Ai pretendon se është i sëmurë mendor, dhe këtë raport po e sajon me njerëzit që ka në pushtet për të përfituar ulje në dënim. Kjo është e tmerrshme! Nuk është i sëmurë, dhe ne e dimë shumë mirë këtë gjë. Ai nuk ka vuajtur asnjëherë nga sëmundje të tilla, siç pretendon. Ai e ka vrarë me vetëdije të plotë djalin. Drejtësia po sorollat proceset gjyqësore, dhe këtë e bën sepse gjyqtarët kanë marrë lekë nga të afërmit e tij.

Cili është apeli juaj?
Ne duam drejtësi dhe vetëm drejtësi! Abaz Isai duhet të marrë dënimin e duhur, pasi ka vrarë një njeri me bukë në gojë (qan). Djali im ishte i pafajshëm. Ia mori jetën për një fjalë goje. I bëjmë thirrje ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, të vërë gisht në këtë ngjarje dhe në gjykatat e Korçës, pasi janë të kalbura. Po zvarrisin proceset gjyqësore dhe nuk japin dënimin.

Nëse nuk vihet drejtësi për vrasjen e djalit tuaj, çfarë do të bëni?
Nëse drejtësia nuk vihet në vend, ne do marrim hak familjarisht për gjakun e Marjos. Nuk e lëmë në heshtje këtë çështje! Ne jemi vrarë familjarisht dhe nëse drejtësia rri në heshtje, do e bëjmë ne drejtësinë e djalit tonë.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: