Prej gati 20 vitesh një e moshuar 92-vjeçare është detyruar të jetojë me sëmundjen e dy fëmijëve të saj, djalit dhe vajzës, të cilët janë diagnostikuar me skizofreni. Ndonëse gëzon shëndet të plotë mendor, e moshuara nuk mund t’u vijë dot në ndihmë tre vajzave të djalit të saj, të cilat janë detyruar të “harrojnë” fëmijërinë, dhe të kujdesen për babain dhe hallën e tyre.

Ato sot iu drejtuar emisionit “Me zemër të hapur” në “News24” për të kërkuar ndihmë, pasi gjyshes së tyre iu hoq pensioni i kujdestarisë për fëmijët e saj prej 11 vitesh tashmë, për shkak të moshës. Dhe tashmë mbesat e saj nuk kanë mundësi financiare për të ndihmuar dy të sëmurët dhe gjyshen e moshuar.

Ndonëse babai dhe halla marrin pension invaliditeti, ai është i pamjaftueshëm për t’u përballur me situatat në të cilat ato përballen çdo ditë, për ilaçet dhe kurimin e tyre.

Përpos mesazhit të dhënë nga vajzat, një apel i veçantë në emision ka ardhur nga e moshuara 92-vjeçare, e cila kërkon ndihmë.

“Jam 92 vjeç dhe kam një djalë dhe një vajzë të sëmurë. Ajo u nda nga burri dhe është me kemp. Unë nuk e ndihmoj dot, se jam plakë, po vdes. Ju lutem më ndihmoni”, thotë e moshuara me zërin që i dridhet.

Sipas Almës, mbesës së madhe të 92-vjeçare, halla është në gjendje më të renduar, ajo nuk pi as ilaçet, kur bëhet keq kanë vështirësi për ta marr e për ta çuar deri në spitalin e Vlorës, pasi janë në vështirësi të mëdha financiare.

Alma vetë është martuar me mblesëri në moshën 16-vjeçare për t’u shkëputur nga ai realitet i vështirë. Ajo sot është nëna e një vajze të vogël 1-vjeçare me emrin Denisa.

Ajo ka 2 motra Violën 14-vjeçare dhe Stelina Shallarin, 17 vjeç e cila është autike.

Aktualisht edhe Alma ka shkuar dhe banon pranë tyre, ka lënë shtëpinë dhe punën e saj për shkak se nuk mund të kujdeset askush tjetër për ta. Motrën autike e çojnë pranë një qendre në Fier dhe ajo ka nevoje për shoqërues, dhe mbi të gjitha për para edhe për transportin.

Shqetësimi më i madh janë dy motrat për të cilat ajo dëshiron të kujdeset dhe t’i kalojë në kujdestari. Por deri më tani kjo ka qenë e pamundur. Alma nuk dëshiron që ato të vazhdojnë të jetojnë në familje me persona agresivë, të dhunshëm, dhe të sëmurë.

Vetë Alma e braktisi shkollën dhe u martua për një jetë më të mirë, por asgjë nuk shkoi siç e priste. Bashkëshorti punon kur gjen në Fier, por nuk ka punë të përhershme dhe jetojnë në varfëri. Ajo kërkon ndihmë për veten dhe motrat e saj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb