Kushtet për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian janë plotësuar tashmë. Kështu është shprehur Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein.

Gjatë fjalës së tij në Parlamentin Europian, eurodeputeti Knut Fleckenstein, i ka bërë thirrje shteteve anëtare që të hapin negociatat me Tiranën zyrtare, duke theksuar përpara tyre se Shqipëria ka shënuar progres përsa i përket sundimit të ligjit dhe vendi po ecën në drejtimin e duhur, raportojnë mediet.

Apeli ndaj vendeve të unionit vjen pak ditë para vendimit të rëndësishëm që BE do të marrë nëse do të hapë apo jo negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë.

“Në Shqipëri ka patur progres të qartë dhe çështjet sa i takon sundimit të ligjit po shkojnë në drejtimin e duhur dhe ndoshta edhe më mirë se në disa vende brenda Bashkimit Europian. Prandaj, ne duhet të hapim bisedimet e anëtarësimit me këtë vend”, apeloi ai në Parlamentin Europian.

Përsa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, Fleckenstein theksoi se “… të mos harrojmë që kriteret për liberalizimin e vizave janë plotësuar tashmë”.

Eurodeputeti gjerman kërkoi gjithashtu hapjen e negociatave me Maqedoninë dhe avancimin e tyre në kapitujt e tjerë për rastin e Serbisë apo edhe Malit të Zi duke nënvizuar se “… duhet të dërgojmë në Ballkanin Perëndimor një sinjal të qartë se cila është qasja jonë për këtë rajon”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb