TIRANË

Nga foltorja e Parlamentit, nënkryetarja e PD-së Jorida Tabaku apeloi sot SPAK të veprojë pa vonesë lidhur me cështjen e inceneratorëve.

“Është e qartë që përtej korrupsionit kriminal në këtë kontratë ka diçka tjetër që nuk shkon. Janë krijuar mbi 40 kompani të tjera nga Klodian Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja me personazhe të ndryshëm që operojnë me kontrata fiktive si e si për të qarkulluar para të dyshimta dhe për të pastruar para. Këto kompani dhe udhëtime me ministra edhe zv kryeministra në prani të së cilëve janë eksponentë të dyshimtë të transaksioneve monetare janë në fakt rruga që ndjek paraja.” u shpreh Tabaku.

Fjala e plotë:

Në historinë e Shqipërisë ka disa momente që mund të quhen momentet e vlimit, pra ato çaste ku abuzimi dhe vjedhja është aq e madhe saqë ka arritur pikun.
Historia e inceneratorëve është një histori e tillë, që përmban brenda saj të gjitha krizat e mundshme që mund të ketë një qeveri në një vend me një demokraci normale.
Fatkeqësisht Shqipëria nuk është një vend me demokraci normale as me demokraci të pranueshme.
Jemi vendi më i korruptuar në Europë dhe njëkohësisht një vend që sipas SHBA kemi një “korrupsion endemik në të gjitha degët e qeverisjes”.

Reforma në Drejtësi që u ndërmor si një hap për të çliruar drejtësinë nga kapja e politikës nuk po jep rezultatet e pritshme dhe për këtë është i qartë i vogël dhe i madh.
Para disa ditësh, ish ministri i Mjedisit Lefter Koka u arrestua nga prokuroria dhe është sot në burg për abuzim me detyrën, korrupsion dhe pastrimin e parave.

I madh dhe i vogël e ka të qartë që në aferën e 3 inceneratorëve që janë dhënë me koncesion gjatë dy mandateve të qeverisë Rama, emri i Lefter Kokës është i fundit në listë.
Kjo, nuk do të thotë që Koka është më pak i fajshëm apo më pak hajdut. Jo! Nuk po them këtë dhe as po ngre këtë alibi!
Ajo që dua të ringre sot në këtë parlament lidhet me një tjetër shqetësim. Duket qartazi, së paku deri më tani, se ish ministri Koka është një farë kurbani për të shpëtuar disa njerëz dhe akoma më keq për të mos e quajtur këtë aferë ashtu siç e meriton ajo.

Pasi kjo aferë kriminale është ideuar dhe zbatuar nga një Grup i Strukturuar Kriminal me seli në zyrat e qeverisë shqiptare.
Me të drejtë, ndonjë shqiptar mund të pyesë se përse unë e konsideroj këtë grup personash një Grup i Strukturuar Kriminal?!
Lejomëni t’jua shpjegoj.

Në Kodin Penal të RSH nenin 28 pika 4 përcaktohet qartësisht se një grup i strukturuar kriminal “në të cilin bëjnë pjesë tre ose më shumë persona, për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale”.
Përballë nesh kemi minimalisht 3 vepra penale që janë ato të dhënies praktikisht pa garë apo me garë fiktive të 3 inceneratorëve.

Inceneratori i Elbasanit iu dha pa garë Stela Gugalljas pa garë dhe me një kompani të krijuar as katër muaj nga gjoja gara që sot është në kërkim dhe që është bashkëshortja e Klodian Mërtirit.
Për zonjën Gugallja u shkel çdo procedurë ligjore dhe u shpikën 17 të tilla në shpejtësi absolute
Inceneratori i Fierit iu dha Klodian Zotos dhe kompanisë së tij që ka për adresë të njëjtën adresë si kompania e Stela Gugalljas.

Inceneratori i Tiranës iu dha një kompanie offshore në Holandë pas së cilës kuptohet fshihet Klodian Mërtiri siç edhe investigimet e medias kanë raportuar.
Përpos kësaj, inceneratori i Fierit ndonëse ka marrë gjithë fondet e buxhetit të shtetit sot e kësaj dite është jo funksional. Pra pasi ka marrë mbi 22 mln euro nga taksat e shqiptarëve ai është jo funksional dhe mbetet i tillë ndonëse vetëm pak ditë më parë ka përfituar rreth 500 mijë euro transfertë nga buxheti i shtetit.

Ndërsa inceneratori i Tiranës, është në fakt ajka e abuzimit me ligjin, korrupsionit dhe padyshim pastrimit të parave.
Ky incenerator na u shit fillimisht si me kosto rreth 132 mln euro ndërkohë që e vërteta e shifrave dhe kontratës ishte se vlera reale e koncesionit ishte 430 mln euro.
Kryebetonieri i Tiranës, Erion Veliaj, ndryshe nga sa kërkon ligji nuk e dërgoi këtë kontratë në Këshillin Bashkiak por vendosi me kokën e tij pranimin e kësaj kontrate duke i taksuar dy herë qytetarët e Tiranës.

Akoma më tej, inceneratori i Tiranës sot e kësaj dite sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë ka të investuar 31% të vlerës së programuar ndonëse ka marrë 99% të vlerës së projektuar nga buxheti.
Pra është e qartë që përtej korrupsionit kriminal në këtë kontratë ka diçka tjetër që nuk shkon. Janë krijuar mbi 40 kompani të tjera nga Klodian Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja me personazhe të ndryshëm që operojnë me kontrata fiktive si e si për të qarkulluar para të dyshimta dhe për të pastruar para.

Këto kompani dhe udhëtime me ministra edhe zv kryeministra në prani të së cilëve janë eksponentë të dyshimtë të transaksioneve monetare janë në fakt rruga që ndjek paraja.

Nuk është rastësi që Arben Ahmetaj, që sa herë është pyetur për inceneratorët këto kohë ka kërcyer nga sikleti, të ketë udhëtuar me Mirel Mërtirin.

Nuk është po aq rastësi që dikur i njëjti Arben pretendonte se nuk e njihte dhe nuk e njeh Klodian Zoton dhe Klodian Mërtirin.

Sikundër nuk është rastësi që edhe zoti Gjiknuri i kapur tanimë edhe në foto me Klodian Mërtirin të mohojë ndonjë njohje me to.

Madje çudi nuk përbën as fakti që sot Edi Rama bën të paditurin dhe injorantin në lidhje me këtë çështje.

Çudi sot e kësaj dite mbetet se si Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nuk ka sjellë ende një shkresë për t’iu hequr mandatin Arben Ahmetaj, Damian Gjiknurit, Alqi Bllakos dhe padyshim Edi Ramës.

Çudi sot e kësaj dite është se si SPAK nuk ka thërritur ende në hetuesi apo të marrë masë sigurimi për Qazim Sejdinin, për Armando Subashin dhe padyshim për Erion Veliaj.

Sot ne nuk habitemi se sa e korruptuar është qeveria e Ramës dhe se sa thellë në korrupsion janë futur xholat e tij në qeveri dhe parti.
Jo! Nuk habitem as unë, as kolegët e mi demokratë dhe madje po ju them as disa prej kolegëve të mi socialistë.

Ne e dimë dhe e kemi të qartë pasi sado që Edi Rama dhe xholat e tij në PS përpiqeshin të fshiheshin për këtë aferë korruptive shenjat e tyre në vendin e krimit ishin të dukshme.

Merrni si shembull vetëm një fakt të thjeshtë; të tre kompanitë e inceneratorëve në vend kanë paguar miliona euro reklama dhe publicitet në mediat shqiptare.

Shumica e mediave e kanë ndërprerë fjalën time në konferencë për shtyp, në foltore të parlamentit dhe madje më kanë kërkuar mos flas as në studiot e tyre televizive për këtë çështje.

Përse e kanë bërë? Më lejoni t’i referohem raportit të DASH për lirinë e mediave në Shqipëri për ta kuptuar
“ushtrimi i drejtë për drejtë apo indirekt i presionit politik dhe ekonomik mbi media, përfshirë edhe kërcënime dhe dhunë ndaj gazetarëve që përpiqen të investigojnë krimin dhe korrupsionin”.

Ndiqni paranë, për të kuptuar se ku shkon dhe nuk është e vështirë që të kuptosh që paraja shkon tek i pari i vendit.

Ndonëse, Edi Rama vazhdon të përsërisë deri në monotoni atë barsoletën e gjetur shkodrane për Pal Vatën “E ka bërë Mehmeti me kokën e tij se unë dhe Enveri nuk dimë gjë!”
Dy fjalë dua t’ia drejtoj sot edhe SPAK jo për të influencuar politikisht dhe as për ta kërcënuar.

Partia Demokratike e Shqipërisë në verën e vitit 2016 ka votuar vetëm 1 ligj nga ligjet organike të Reformës në Drejtësi që u bënë shkel e shko. Ka votuar ligjin për ngritjen e SPAK.

E votuam këtë ligj pasi kishim bindjen që kjo do të jetë një prokurori e pavarur nga presioni politik dhe nga ndikimi qeveritar. Ne e dinim dje dhe e dimë edhe sot se sa malinj është ndikimi i kryeministrit mbi drejtësinë.

Ka ardhur koha që ju të ngriheni në lartësinë e duhur. E kam të qartë që pas emërimeve të fundit emri juaj është njollosur edhe më shumë, por ju duhet të veproni.

Mos harroni, nuk janë vetëm shqiptarët që po shohin, janë edhe partnerët tanë strategjikë që po ju ndjekin për këtë aferë që mund të jetë medalja juaj e nderit apo turpi i radhës.

Askush nuk mund të gënjehet me arrestimin e Lefter Kokës. Madje as me arrestimet e Gugalljas apo Zotos.

Nuk keni ç‘kërkoni më gjurmë kur ujqërit janë përpara syve i shohim të gjithë përditë dhe i kemi parë këto vitet e fundit duke mbrojtur të pambrojtshmen në debate televizive ku herë shkonte Rama dhe më pastaj Ahmetaj.

Ka ardhur momenti dhe çasti të veproni! Ka ardhur koha që t’i shërbeni qytetarëve dhe të mirës publike duke zbatuar ligjin dhe jo duke u bërë palë me shkelësit e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb