TIRANE – Gjykata e Apelit liroi nga ambientet e paraburgimit avokatin Bashkim Hoxha, i cili kërcënoi rreth tri javë më parë kryeministrin Edi Rama në telefon. Në seancën e zhvilluar këtë të enjte, Apeli ndryshoi masën e sigurisë ndaj Hoxhës, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Mësohet se gjatë seancës së sotme avokati Bashkim Hoxha i kërkoi sërish ndjesë kryeministrit Rama, duke theksuar se ka qenë në gjendje të dehur kur i ka dërguar mesazhet në telefon.

Kërcënimi i Kryeministrit nga ana e avokatit ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit të datës 29 nëntor 2014. Pas mesazhit të parë, ku avokati e ka krahasuar Ramën me Ismail Qemalin e Isa Boletinin, kryeministri e ka telefonuar dërguesin e mesazhit dhe biseda mes tyre është acaruar fillimisht për shkak të orarit në të cilin mesazhi i parë ka mbërritur në celularin e kreut të qeverisë. Ndërsa Rama ka mbyllur telefonatën, më pas avokati ka dërguar shtatë mesazhe të tjera kërcënuese dhe fyese për kryeministrin dhe familjen e tij.

Kreu i qeverisë ka njoftuar Ministrin e Brendshëm i cili ka përcjellë çështjen në polici për hetime. Pasi është bërë lokalizimi i avokatit ai është vendosur në pranga në banesën e tij. Ai ka pretenduar se ka qenë i dehur dhe nuk mban mend detajet e komunikimit me Ramën. Nga hetimi, por edhe dëshmia e avokatit, nuk ka deri tani ndonjë arsye apo motiv të veçantë për kërcënimet në adresë të kryeministrit.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb