NGA ENEIDA PETOVA*

BERAT- Një tjetër rast i sensibilizimit pas apelit për ndihmë në News24. Ndihma në ushqime, veshmbathje e pajisje shtëpiake kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në familjen Saliaj në fshatin Bistrovicë në Urën Vajgurore, të cilët jetojnë mes varfërisë së tejskajshme e me çatinë që rrezikon të shembet. Ndihmat e para kanë mbërritur nga Bashkia e Urës Vajgurore dhe Drejtoria Rajonale e Tatimeve në Berat.

Me ndihmën e bizneseve që operojnë në territorin e bashkisë së Urës Vajgurore, ndihmat e grumbulluara për këtë familje që jeton në kushtet e varfërisë së tejskajshme janë dërguar këtë të martë në fshatin Bistrovicë nga kryetarja e bashkisë së Urës Vajgurore, Juljana Memaj, e shoqëruar nga specialistë të bashkisë dhe inspektorë të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve.

Ndërkohë kryebashkiakja e Urës Vajgurore ka premtuar se pas miratimit të buxhetit të kësaj bashkie, këshilli do miratojë një fond të veçantë për riparimin e tavanit të shtëpisë së familjes Saliaj.

Xhevdet e Venetike Saliaj, apeluan për ndihmë për shkak se jetonin në kushte mjerane, me shtëpinë që rrezikon shembjen nga çasti në çast, si pasojë e rrëshqitjes së tokës, e përveç kësaj ata nuk kanë me çfarë të ushqehen. Ata rrëfyen se i vetmi ushqim që konsumojnë është buka dhe dhallë. Të vetmet të ardhura janë ato të fituara nga shitja e bimëve medicinale që çifti i të moshuarve i grumbullon në fshatin ku jetojnë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb