Nga ARMIR MEHAJ* PUKË- Pas apelit dhe kronikës së transmetuar në News24 dhe BalkanWeb, Krishtlindje të bardha vijnë edhe për familjet e varfëra të Pukës, të cilat pak ditë më parë apeluan për ndihmë.

Ndihma të shumta në artikuj ushqimorë, ku përfshiheshin dhe gjeli e ëmbëlsira simbol e festës, bakllavaja, veshmbathje, lodra, madje dhe para kesh kanë mbërritur sot në familjet e Ardian Laçit, Zef Manushit dhe Flor Prendit.

Ka qenë deputeti Kristjan Demokrat, Mark Frroku, familja e Gëzim Gjokës me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kisha Katolike “Shën Jozefi” që dërguan artikuj të shumtë ushqimorë, të cilat do të jenë të mjaftueshme për afro një vit në këto familje.

Ndërkohë që ndihmës ndaj këtyre familjeve ju bashkua dhe avokatja Vilma Premti, e cila dhuroi për këto familje një pjese të vlerës monetare të përfituar nga dëmshpërblimi si ish-punonjëse e Ministrisë së Çështjeve Sociale.

Ashtu si në çdo familje, tashmë edhe në tryezat e këtyre personave në nevojë, festat do të vijnë të lumtura, falë bujarisë dhe ndihmës së ofruar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: