Pikërisht kur në Lezhë u ekzekutua oficeri i policisë Saimir Hoxha, teksa ky i fundit po kthehej në komisariat, pasi bashkë me kolegët kishte shkatërruar një parcelë hashash një tjetër ngjarje që kaloi pa vëmendje u regjistrua në Tropojë, ku u vunë në rrezik jetët e një grupi oficerësh policie.

Sipas një plani masash, disa efektive  të komisariatit të Tropojës kishin dalë për kontroll territori, kur zbuluan një parcelë hashashi në pyllin e fshatit Kovaç.

Në momentin e fundit, ata kuptuan se trafikantët e hashashit, kishin vendosur kamera për të ruajtur bimët narkotike, që brenda pak ditësh do të korrej e bëhej gati për t’u trafikuar. Por, pak minuta më vonë, do të zbulonin një tjetër fakt tronditës. Në hyrje të parcelës ishin montuar dy granata, gati për të shpërthyer. Policia ndërhyri duke bërë çmontimin e tyre dhe nisi hetimet për rastin. Dy vite më vonë, në kuadër të operacionit të koduar “Sofistikimi”, në pranga përfundoi njëri nga të dyshuarit.

Bëhet fjalë për 51-vjecarin Agron Hoxhaj, i dyshuar për veprat penale të kultivimit të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim, ndërsa në kërkim u shpall Bekim Çelaj, 22 vjeç, banues ne fshatin Kovaç.

“Bazuar në provat e siguruara, rezulton se këta shtetas, më datë 28.09.2021, në pyllin e fshatit Kovaç, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike, përreth të cilave kishin lidhur me fill sintetik 2 granata ofensive, si dhe kishin vendosur kamera, për të monitoruar zonën.  Gjithashtu, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se në muajin korrik të vitit 2020, kanë kultivuar bimë narkotike, në fshatin Hoxhaj”, njoftoi policia. Ndërsa po vijon punën për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë veprimtari kriminale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: